Lidhje

Kryeministri britanik Toni Bler 10 vjet në detyrë


Kryeministri britanik filloi nga detyra para 10 vjetësh dhe si udhëheqës i Partisë Laburiste të Britanisë krijoi një lidhje politike me demokratin më të lartë të Amerikës, presidentin Bill Klinton. Por kur një republikan me pikëpamje ideologjike më pak të pajtueshme me të mori presidencën në vitin 2001, zoti Blair i vazhdoi marrëdhëniet e mira me Shtëpinë e Bardhë. Ai gjeti një gjuhë të përbashkët mbi një numër çështjesh, kryesisht Irakun, me konservatorin Xhorxh W. Bush.

Nga fitorja në zgjedhje ..... në një marrëveshje mbi Irlandën e Veriut. Lufta në Irak ... dhe shpërthimet në Londër..., janë këto disa nga momentet e personalitetit të kryeministrit Toni Blair gjatë 10 vjetëve në detyrë.

Kur ai mori pushtetin në vitin 1997, burri familjar 43 vjeçar braktisi imazhin e mërzitshëm të britanikut të ftohtë.

Ai kërkonte që t’i drejtoheshin me emër, ndërkohë që Partia Laburiste ishte dinamike, moderne dhe efikase me një qëndrim të ri në ekonomi, çështjet shoqërore dhe politikën e jashtme.

Por vetëm disa muaj pasi mori detyrën e kryeministrit, Toni Blair u përball me krizën e parë politike, vdekjen e Princeshës Diana dhe qëndrimi tepër i ftohtë e i heshtur i familjes mbretërore. Atij iu desh të qartësonte gjendjen shpirtërore të vendit.

“Sot ne në Britani jemi një vend në gjendje shoku, në zi dhe në dhimbje tepër të thellë”.

Suksesi i tij i parë i madh erdhi në vitin 1998 me të ashtuquajturën Marrëveshje e së Premtes së Mirë, duke sjellë së bashku palët ndërluftuese të Irlandës së Veriut.

“Mendoj dhe shpresoj se do të ekzistojë vullneti i mirë, duke pasur parasysh faktin se ne mund të biem dakord në parim dhe t’i shprehim ato qartë”.

Kjo marrëveshje ndihmoi në krijimin e kushteve për paqe, që ka transformuar provincën që prej atëhere.

Por ishte kriza humanitare e Kosovës në vitin 1999 që e bëri Toni Blairin të dilte në skenën botërore si një lojtar i fuqishëm.

Duke krahasuar përpjekjet për spastrim etnik të Sllobodan Millosheviçit me nazizmin, zoti Blair u shndëruar në një zë bindës, duke kërkuar mposhtjen e udhëheqësit serb.

Zgjedhjet e vitit 2001 ishte thjeshtë një formalitet pasi zoti Blair fitoi me një shumicë dërmuese mandatin e dytë, por dashuria e elektoratit me të filloi të venitej.

Kevin Meguajër, redaktor i çështjeve politike për gazetën e majtë Daily Mirror, thotë se ndryshimi ishte i pashmangshëm.

“Para 10 vjetësh ai foli rreth një agimi të ri mbi Britani dhe ai mund të bënte çdo gjë që dëshironte.”

Ishte 11 shtatori i vitit 2001, që sipas fjalëve të kryeministrit britanik, ‘ndryshoi çdo gjë’.

“I gjithë tmerri i asaj që ndodhi sot në Shtetet e Bashkuara tani po qartësohet. Është vështirë të mendohet masakra dhe tmerri i plotë, që ka përfshirë kaq shumë njerëz të pafajshëm”.

Krah për krah presidentit Bush, kryeministri Blair formoi një koalicion për të konfrontuar al-Kaidën në Afganistan. Por hapi i tij i ardhshëm përçau si partinë e tij edhe gjithë vendin.

Më 2003, ekzistonte një opozitë e fortë publike ndaj perspektivës së luftës në Irak. Megjithëse zoti Blair fitoi me vështirësi mbështetjen e politikanëve, publiku si edhe shtypi, nuk ishin aspak të bindur.

Kryeministri u karakterizua si personi që i thoshte PO Amerikës, madje ai u portretizua si një kotele e Uashingtonit.

Popullariteti i zotit Blair ra edhe më shumë me vazhdimin e luftës dhe kur armët e shkatërrimti në masë nuk u gjetën kurrë në Irak.

“Iraku pa dyshim do të mbetet momenti kur zoti Blair filloi të humbiste mbështetjen dhe besimin e publikut. Po të mos ishte për luftën në Irak, Toni Blair do të hynte në histori si një prej kryeminstrave më të sukseshëm”.

Në vitin 2005, zoti Blair fitoi mandatin e tretë, por partia e tij u godit rëndë në anketat e opinionit publik.

Më pas në korrik të atij viti ndodhën shpërthimet terroriste në Londër, mes pretendimeve se politika e jashtme britanike kishte nxitur këto sulme.

Vitin e kaluar, u fol shumë rreth jetës në Britani pas largimit të kryeministrit Blair, gjë që asqë nuk mund të mendohej më parë. Ai tha se do të largohej nga detyra, por nuk pranoi të caktonte datën. Një luftë për pushtet filloi mes zotit Blair dhe anëtarit të kabinetit të tij, Gordon Braun.

“Është vështirë të hiqet dorë, por është edhe hapi i duhur, për vendin dhe për partinë”.

Britanikët kanë mendime të ndryshme rreth shërbimit të kryeministrit.

“Ai pati shumë synime të mira, por gabimi i tij më i madh ishte mbështetja e luftës në Irak”, thotë një britanik

“Ai i ka shërbyer vendit me krenari, por tani me siguri që është koha për dikë tjetër”, thotë një britanik tjetër.

Askush nuk mund të thotë me siguri se si do të mbahet mënd në histori Toni Blair, por tani për tani trashëgimia e tij mbetet në hijen e rëndë të luftës në Irak. //ze//

XS
SM
MD
LG