Lidhje

Ministrat Basha dhe Olldashi në pozicionet e reja


Në Shqipëri parlamenti votoi sot emërimet e dy ministrave të rinj të kabinetit Berisha. Zoti Lulëzim Basha dhe Sokol Olldashi u caktuan javën e shkuar në postet e Ministrit të Jashtëm dhe atij të Transporteve pas dorëheqjes së shefit të diplomacisë shqiptare Besnik Mustafaj.

Sot paradite presidenti Alfred Moisiu bëri dekretimin e tyre. Pak më shumë se 5 javë më parë kryeministri Berisha kërkoi në parlament votën për ndryshimet e para në kabinetin e tij pas një gati një viti e gjysëm në pushtet. Ndërsa sot u votua për dy lëvizje të reja.

Dorëheqja e papritur e Ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj provokoi një ndërhyrje të dytë të detyruar. Kryeministri nuk vonoi në gjetjen e zgjidhjes. Pa kaluar as 24 orë ai vendosi rikthimin në kabinet të zoti Sokol Olldashi i cili për shkak të garës që humbi në 18 shkurt për bashkionë e Tiranës, kishte hequr dorë nga Ministria e Brendshme si dhe kishte lënë mandatin e deputetit.

Zoti Olldashi po priste të vihej në një nga postet drejtuese të partisë, por tani do të jetë në krye të Ministrisë së Transporteve, vend i cili mbeti bosh me kalimin e ministrit Basha në krye të diplomacisë.

Javën e shkuar demokristrianët, të cilët kanë 8 deputetë, kërcënuan se nëse partia demokratike nuk përmbushte angazhimet e marra atëherë ata do të votonin kundër qeverisë. Megjithatë sot tonet edhe të kryetarit të grupit Nikollë Lesi ishin më të zbutura, ndërsa kryetari i partisë Nard Ndoka, njeherazi anëtar i kabinetit qeveritar, deklaroi se nuk ka asnjë ultimatum ndaj qeverisë.

Kryeministri Berisha një ditë më parë, vlerësoi së tepërmi punën e bërë nga ministri Basha, profilin e zotit Olldashi duke rikthyer ne kujtese aktivitetit të tij në Ministrinë e Brendshme, pa harruar të shtojë se ish ministri Mustafaj ka bërë një punë të suksesshme.

Ministri i ri i Jashtëm do të nisë punën me një takim mjaft të rëndësishëm në Uashington në 8 maj, ku ai pritet të bisedojë me sekretaren amerikane të shtetit Kondolesa Rajs. Nje arsye me teper per kryeministrin Berisha qe te shpejtonte ne gjetjen e ministrte te ri te jashtem. //rd//

XS
SM
MD
LG