Lidhje

A po përgatitet Rusia për të krijuar një organizatë si OPEC?


A po përgatitet Rusia për të krijuar një organizatë si OPECu? Disa analistë thonë se prodhuesi më i madh i gazit sot në botë është aq i fuqishëm sa që nuk ka nevojë të punojë në një grup që u vë rregulla vendeve anëtare.

Në fillim të prillit, forumi i vendeve eksportuese të gazit natyror u mblodh në Doha të Katarit dhe vendosi të formonte një komision të nivelit të lartë për të diskutuar çmimet e gazit. I udhëhequr nga Rusia, ky grup që garanton rreth 70 përqind të rezervave të gazit, përbëhet nga disa prej vendeve më pak demokratike të botës Irani, Qatari dhe Venezuela. Por forumi i vendeve eksportuese të gazit natyror nuk i ka kushtuar rëndësi krijimit të një karteli gazi të tipit të OPEC-ut.

Në përgjigje të takimit të Doha-s, Sekretari amerikan i Energjisë, Samuel Bodeman, tha se mbytja e konkurencës do të ishte shkatërimtar për rrejtin botëror të energjisë.

Megjithatë, disa ekspertë si Marshall Goldman i Universitetit Harvard, thonë se ka mjaft arsye për t’u shqetësuar, edhe në qoftë se nuk është njoftuar zyrtarisht formimi i një karteli për gazin natyror. Zoti Goldman thotë se meqë Rusia dominon furnizimin me gaz natyror në Evropë, ajo është mjaft e fuqishme dhe nuk ka nevojë për të hyrë në ndonjë grup të tipit të OPEC-ut: “Ata njerëz që varen nga gazi natyror rus, janë në mëshirën e Rusisë. Të marrim si shembuj Gjermaninë apo Evropën. Në qoftë se rusët thonë se ‘koha është e keqe’ ose Ukraina po bëhet pengesë, ju nuk mund të furnizoheni me sasinë e gazit që keni nevojë. Edhe në qoftë se krijoni një farë rezerve gazi, ai do të marrë fund shpejt dhe kështu që do të mbeteni në gjendje të vështirë”.

Mbi 50 përqind e gazit natyror që u nevojitet vendeve të Bashkimit Evropian, merret nga Rusia. Shumica e vendeve të reja ish komuniste të BE-së, varen krejtësisht nga Rusia për gazin natyror. Mbi të gjitha, Rusia ka monopolin e të gjitha linjave të transportit të gazit natyror nga Azia Qendrore në Evropë. Vladimir Socor i Fondacionit Jamestown thotë: “Sipas strategjisë së Rusisë, vendet e Azisë Qendrore do të subvencionojnë ekonominë e Rusisë, duke shitur gazin e tyre natyror me çmime më të ulta duke i dhënë kështu mundësi Gazprom-it ta rishesë gazin si prodhim rus në Evropë ose ta përdorë gazin e marrë nga Azi Qendrore në Rusi dhe gazin natyror rus ta eksportojë në Perëndim me çmime të larta”.

Rusia është duke nxjerrë përfitime të mëdha nga rishitja në vende të tjera e gazit natyror që merr nga Azia Qendrore. Të marrim si shembull Ukrainën. Pothuajse 100 përqind e gazit të eksportuar në këtë vend e ka burimin në Turkmenistan. Rusia e blen gazin turkmen me çmim të ulët dhe e shet duke nxjerrë një fitim nga 200 në 300 përqind. Vladimir Socor thotë se Kremlini po përpiqet të maksimizojë ndikimin e tij politik në Evropë duke ushtruat kontroll mbi rrjetin e gazit natyror nga Azia Qendrore. Zoti Socor i bën thirrje Evropës të thyejë monopolin rus të gazsjellësit. Ai thotë se kjo është një formë neokolonializmi që perëndimi nuk duhet ta pranojë. Bashkimi Evropian ka në plan ta diskutojë politikën e tij të energjisë këtë javë. //rd//

XS
SM
MD
LG