Lidhje

Analizë e re për kancerin e prostatit; Prindërit në sytë e fëmijëve


Analizë e re për kancerin e prostatit

Kanceri i prostatit është mes kancereve më të zakonshëm tek burrat në vendet e zhvilluara. Rreth 400 mijë raste të tilla shfaqen çdo vit në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë dhe afro 90 mijë burra pritet të vdesin nga kjo sëmundje. Parashikohet që ndërsa burrat në vendet e zhvilluara jetojnë më gjatë, edhe numri i prekjes apo vdekjeve nga kanceri i prostatës të rritet, nëse këtu nuk merren parasysh përparimet shkencore. Në fakt, shkencëtarët vazhdimisht përpiqen për trajtime të reja më të sukseshme.

Për shembull, mjekët u bëjnë thirrje burrave mbi moshën 50 vjeç që çdo vit të kryejnë analiza të gjakut për antigjenin e veçantë të prostatit. Kjo analizë quhet ndryshe PSA. Niveli i lartë ose rritja e nivelit të këtij antigjeni është shenjë paralajmëruese për kancer në prostat. Por kjo analizë nuk është gjithmonë e saktë, prandaj shumë burra kryejnë një analizë tjetër më e dhimbëshme siç është biopsia e prostatit. Profesor Robert Gecenberg pranë universitetit Xhons Hopkins thotë se me këtë analizë ekziston një problem. Tani për tani, thotë ai, na duhet të kryejmë biopsinë tek 6 burra për të gjetur një që ka kancer në prostat. Objektivi është përqëndrimi ose kufizimi i kryerjes së biopsisë tek persona që me të vërtetë kanë kancer në prostat.

Përveç disa pasaktësive, analiza e antigjenit të prostatit shpesh nuk e dallon kancerin. Një analizë e tillë zakonisht mat sasinë e një kimikati që prodhohet në prostat. Analiza e re mat vetëm kimikatet e prodhuara nga qelizat kanceroze në prostat. Profesor Gecenderg dhe kolegët e tij zbuluan se analiza e re është e saktë në 94 përqind të rasteve. Prova të mëtejshme klinike me këtë analizë janë planifikuar, dhe një gjë e tillë do të bënte të mundur që pas afro 1 viti e gjysëm, analiza e re për zbulimin e kancerit të prostatit të jetë gati për publikun e gjërë. Doktor Gecenberg thotë se analiza e re, është në gjendje të tregojë edhe nëse kanceri është kufizuar vetëm në prostat apo është përhapur në organe të tjera.

Prindërit në sytë e fëmijëve

Shpesh prindërit çuditen me sjelljet ose veprimet e fëmijëve të tyre, Kjo ndodh pasi ata e shohin fëmijën me syrin e të rriturit. Por çfarë ndodh në rast të kundërt, kur i rrituri shikohet me syrin e fëmijës. Shkencëtarët thonë se nga syri i një foshnjeje, prindërit janë po aq të çuditshëm, misterioze e të hutuar sa edhe fëmijët e parë nga syri i prindërve. Shkencëtarët vëzhguan me kujdes dhe krahasuan lëvizjet e syve dhe kohëzgjatjen e përqëndrimit të tyre tek një grup fëmijësh 1 vjeç dhe tek një grupi fëmijësh 6 muajsh. Rezultatet treguan se fëmija më pak se një 1 vjeç nuk është në gjendje të parashikojë ose të kuptojë se çfarë po përpiqet të bëjë një person tjetër. Por një fëmijë 12 muajsh, është në gjendje njësoj si i rrituri të parashikojë veprime të thjeshta të personave për rreth. Për shembull, nëse një nënë merr një lodër të caktuar që foshnja e parapëlqen dhe ia zgjat fëmijës, fëmija nën një vjeç nuk është në gjendje të kuptojë se çfarë po përpiqet të bëjë e ëma, edhe nëse kjo nënë e ka bërë këtë veprim shumë herë më parë. Kështu ndodh edhe me fytyra ose situata të njohura; foshnjet nën një vjeç nuk janë në gjendje të kuptojnë se cfarë po bën personi që përpiqet t’i ndihmojnë. Shkencëtarët thonë se kjo duket që tregon se përpara moshës një vjeç, në trurin e fëmijës ende nuk ka ndodhur ajo ndërthurrje neuronesh që e bën njeriun të parashikojë hapin e ardhshëm. Kjo ndoshta nuk u përgjigjet të gjitha pyetjeve që kanë prindërit e rinj, por të paktën i bën ata të kuptojnë pak më mirë përse fëmijët bëjnë atë që bëjnë dhe që të rriturve u duken veprime të çuditëshme.

XS
SM
MD
LG