Lidhje

Me gjithë përpjekjet e SHBA-së për të luftuar terrorizmin, sulmet në Irak dhe në Afganistan janë shtuar


Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet se nga sulmet terroriste u vranë më shumë se 20 mijë njerëz dhe më tepër se gjysma e këtyre sulmeve ndodhën në Irak, ku ato shkaktuan rreth 13 mijë të vrarë. Raporti thotë gjithashtu se sulmet terroriste në Afganistan u shtuan 50 përqind.

Russell Travers, nëndrejtor i Qendrës Kombëtare të Antiterrorizmit, thotë se gjatë vitit të kaluar, myslimanët ishin më shumë se të tjerët objekt i sulmeve të tilla.

"Nga 20 mijë të vrarët, mbi gjysma e tyre në të gjithë botën ishin myslimanë, kryesisht për shkak të sulmeve të ekstremistëve të tjerë islamikë."

Raporti e përshkruan Irakun si vendi që ndodhet në qendër të luftës së Shteteve të Bashkuara kundër terrorit dhe ku forcat e koalicionit luftojnë kundër al-Kaidës, kryengritësve dhe skuadrave të vdekjes. Zyrtari i Departamentit të Shtetit për Antiterrorizmin, Frank Urbançik thotë se ndonëse vrasja apo kapja e terroristëve kryesorë është me rëndësi thelbësore për luftën kundër terrorizmit, kjo nuk e eliminon kërcënimin.

"Ne duhet të përpiqemi të krijojmë rrjete të besuara me pjesmarrjen e qeverive, të qytetarëve dhe organizatave private, të institucioneve shumëpalëshe dhe të grupeve të biznesit të cilat të punojnë së bashku për të eliminuar kërcënimin që vjen nga ekstremizmi i dhunshëm dhe ideologjia e tij radikale."

Raporti i Departamentit të Shtetit thotë se që nga sulmet terroriste të vitit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, janë shënuar hapa përpara në përpjekjet globale për të luftuar terrorizmin. Raporti përmend masat e shtuara për sigurimin e kufijve, masat kundër financimit të terrorizmit dhe eliminimin e disa organizatave të dhunshme.

Raporti reshton pesë vende që Shtetet e Bashkuara i cilësojnë se nxitëse shtetërore të terrorizmit: Irani, Siria, Sudani, Kuba dhe Koreja e Veriut. Departamenti i Shtetit thotë se Irani është në krye të listës dhe vazhdon të destabilizojë Irakun duke u dhënë militantëve irakianë armë dhe para si dhe duke i sërvitur. //iç//

XS
SM
MD
LG