Lidhje

Në mbarë botën manifestime proteste me rastin e 1 majit


Në mbarë botën u zhvilluan sot festime me rastin e 1 majit dhe shumë prej tyre përfunduan në konfrontime midis qytetarëve dhe autoriteteve.

Policia në territorin jugor kinez të Makaos hapi zjarr në ajër për të shpërndarë protestuesit që kërkonin kushte më të mira pune dhe masa kundër marrjes në punë të punonjësve ilegalë. Autoritetet hapën zjarr kur qindra protestues kaluan kordonin e policisë gjatë një marshimi. Demonstruesit dhe policia u përleshën por protestuesit arritën të vazhdonin marshimin e tyre.

Në Indonezi, dhjetra mijëra demonstrues dolën nëpër rrugët e Xhakartës, duke kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira pune.

Në Turqi, policia përdori gazin lotsjellës dhe shkopinjt e gomës për të shpërndarë mijëra protestues. Autoritetet ndaluan gjithashtu më shumë se 500 veta në përpjekje për të shpërndarë një manifestim me rastin e 1 majit nga forcat e majta në sheshin Taksim të Stambollit. Autoritetet e shpallën të ndaluar sheshin për protestuesit, por lejuan udhëheqësit e sindikatave të vendosnin lule në shesh me rastin e kësaj dite.

Policia në Berlin ndaloi të paktën 47 veta, që qëllonin me gurë e hidhnin shishe gjatë përleshjeve të sotme.

Në mbarë Rusinë, të paktën 100 mijë veta marshuan në manifestime me rsatin e ditës së 1 majit.

Ilirian Agolli

Tiranë

Dita ndërkombëtare e punëtorëve u përkujtua sot në Tiranë me veprimtari të ndryshme si dhe me tubime proteste. Ndonëse zyrtarisht një ditë pushimi pak kush e shfrytëzoi atë si një rast për të protestuar dhe kërkuar të drejtat e punëtorëve. Organizatat joqeveritare u bënë thirrje institucioneve shtetërore për të shtuar vendet e punës dhe për t'u kujdesur më shumë për punëtorët me paga të ulta dhe pa sigurime shoqërore në të zezë.

Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ishte organizatorja e një tubimi pranë Ministrisë së Punës, Emigrimit dhe Ceshtjeve sociale. Shumica e protestuesve ishin studentë në prag diplomimi, pra të cilët shprehën shqetësimin e tyre për mungesën e vendev e të punës pas mbarimit të studimeve universitare.

Drejtuesi i ZMQ, Kreshnik Spahiu tha se "sipas studimeve të besueshme joqeveritare papunësia reale në Shqipëri është 2-4 herë më e lartë se asto që ofrojnë shifrat zyrtare". Zoti Spahiu tha se "shtimi i vendeve të punës dhe zbutja e papunësisë është një nga premtimet më të mëdha dhe më të paplotësuara të qeverisë".

Sipas statistikave zyrtare, papunësia në Shqipëri luhatet në rreth 15 % të të rriturve të aftë për punë. Zyrtarët janë përpjekur prej një kohe të gjatë që të hapin shkollat profesionale në mënyrë që njerëzit të marrin profesione sipas kërkesave të tregut, por përsëri është vlerësuar se ato nuk kanë ndikuar në zbutjen e papunësisë sepse përvec sektorit të ndërtimit dhe të tekstileve ende nuk ka investime të rëndësishme që të sigurojnë punësime masive.//iç//

XS
SM
MD
LG