Lidhje

Ekspertët komentojnë rreth marrëdhënieve SHBA-BE


Presidenti Bush dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian riafirmuan këtë javë angazhimin e tyre të thellë për të nxitur paqen, të drejtat e njeriut dhe demokracinë në botë. Udhëheqësit, të mbledhur në Uashington nënshkruan një numër marrëveshjesh ekonomike ndërsa lidhur me Kosovën ritheksuan mbështetjen për planin Ahtisari.

Presidenti Bush u takua të hënën në Shtëpinë e Bardhë me Kancelaren Angela Merkel të Gjermanisë, e cila ka kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian si dhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. Megjithëse ata vetë diskutuan kryesisht për tema politike, delegacionet e tyre ekonomike finalizuan një numër marrëveshjesh që do t’i çojnë më përpara lidhjet ndëratlantike.

Takimi i së hënës krijoi një Këshill Ekonomik Ndëratlantik, i cili do të kryesohet nga diplomatë të lartë. Presidenti Bush e përshëndeti Planin Ndëratlantik të Integrimit Ekonomik si një mekanizëm të rëndësishëm për eliminimin e procedurave burokratike në marrëdhëniet ekonomike: "Është një deklaratë që flet për rëndësinë e tragtisë, është një angazhim për eliminimin e barrierave të tregtisë, është njohje e faktit se sa më të ngushta të bëhen marrëdhëniet Amerikë-BE, aq më mirë është për popujt tanë. Pra është një marrëveshje e rëndësishme", tha presidenti.

Profesor Daniel Hamilton i Universitetit John Hopkins thotë se ekonomia ndëratlantike ka përmasa shumë më të mëdha se çdo ekonomi tjetër në botë: "Ajo është padyshim ekonomia më e madhe mes dy partnerëve në botë. Sipas vlerësimeve tona, kjo ekonomi ka një vlerë prej rreth 3.75 trilion dollarësh. Ajo punëson rreth 14 milion njerëz në të dyja anët e Atlantikut".

Zyrtarët nënshkruan edhe një marrëveshje të shumëpritur për liberalizimin e fluturimeve mes Amerikës dhe Evropës. Marrëveshja e njohur me emrin “Qiejt e Hapur”, do të lejojë kompanitë ajrore amerikane të fluturojnë në çdo qytet të BE-së. Po kështu edhe kompanitë ajrore evropiane do të mund të shkojnë në çdo aeroport amerikan. "Tani do të kemi një treg të pandërprerë aviacioni mes dy anëve të Atlantikut", thotë Esther Brimmer, nëndrejtore e Qendrës për Marrëdhëniet Ndëratlantike në Washington.

Udhëheqësit amerikanë dhe evropianë diskutuan edhe mbi një gamë të gjerë çështjesh të sigurisë, duke shprehur angazhimin e thellë ndaj paqes dhe demokracisë. Në një deklaratë të publikuar pas takimit thuhet se Ballkani Perëndimor ndodhet në një moment kritik. Aty ritheksohet mbështetja amerikane dhe e BE-së ndaj propozimit të kryenegociatorit Ahtisari për të ardhmen e Kosovës. Deklarata ve në dukje se zgjidhja e statusit të Kosovës nuk do të përbëjë precedent për zgjidhjen e konflikteve të tjera.

Në deklaratë njoftohet krijimi i një misioni të Shtetit Ligjor në Kosovë, që do të drejtohet nga BE-ja dhe që ka mbështetjen amerikane. Ja se si shprehet zonja Esther Brimmer: "Kjo është pjesë e Misionit Policor Evropian dhe do të jetë e hapur edhe ndaj vendeve që nuk janë anëtarë të BE-së. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera që mbështesin përpjekjet e përgjithshme për stabilitet në Kosovë do të kenë mundësi të marrin pjesë në këtë mision". Zonja Brimmer pret që edhe Russia të ftohet për të marrë pjesë në përpjekjet për policinë dhe shtetin ligjor në Kosovë.

Bush, Merkel dhe Barroso për herë të parë ranë dakord me pikpamjen se ndryshimet e klimës përfaqësojnë një kërcënim serioz. Por takimi i tyre nuk rezultoi në ndonjë marrëveshje për klimën. //rd//

XS
SM
MD
LG