Lidhje

Kujtimet e ish shefit te CIA-s rihapin debatet mbi Irakun


Publikimi i librit me kujtime nga ish shefi i zbulimit amerikan George Tenet ka ndezur një debat të ri mbi informacionet e zbulimit të paraluftës në Irak. Zoti Tenet thotë se informacioni që iu dha administratës së presidentit Bush ishte më i miri që kishte në dispozicion CIA në atë kohë, duke shtuar ndërkohë, se administrata po anonte nga lufta, pavarësisht se ç’thonin informacionet e zbulimit. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Gary Thomas shumë njerëz në qarqet politike dhe të zbulimit besojnë se zoti Tenet dhe agjencitë nën drejtimin e tij, mund të kishin bërë një punë më të mirë.

Në kujtimet e tij “In the Eye of the Storm”, “ Në Qendër të Stuhisë”, ish drejtori i CIA-s George Tenet pranon se shumë nga informacionet e zbulimit të paraluftës dolën të gabuara. Por ai shton se gjithsesi, ai ishte informacioni më i mirë që agjencitë e zbulimit amerikan kishin në dispozicion në atë kohë. Ai thotë gjithashtu se asnjëherë nuk është zhvilluar ndonjë debat me peshë në administratën e presidentit Bush rreth shkuarjes në luftë.

Ashtu si disa ish oficerë të tjerë të zbulimit, Tyler Drumheller, që ishte shefi i operacioneve evropiane të CIA-s thotë se zoti Tenet nuk iu kundërvu me forcën e duhur zyrtarëve që mund të kishin arritur në vendime paraprake. "George Tenet është njeri me dinjitet. Dhe ai kishte rastin të bënte diçka. Momenti më i mirë i erdhi në dhjetor të vitit 2002 dhe ai nuk e shfrytëzoi. Kjo është pjesa për të ardhur keq. Por njerëzit nuk duhet të ngatërrohen. Fokusi për të gjetur se cili është përgjegjësi për luftën nuk duhet të vihet mbi Xhorxh Tenet. Ai është përgjegjës vetëm pse nuk u tregua i fuqishëm sa duhet për t’i ndaluar zyrtarët që ishin vërtetë përgjegjës. Dhe ai ishte i vetmi që mund ta bënte një gjë të tillë", thotë Drumheller.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, John McLaughlin, oficer karriere në zbulim që u ngjit në vendin e dytë të komandës së CIA-s pas zotit Tenet, thotë se analistët të gjithë besonin se Sadam Huseini kishte armë të shkatërrimit në masë. Por ai shton se analiza të tilla thjesht mbështesnin atë që mendonin zyrtarët rreth armëve të shkatërrimit në masë të Irakut. "Është e rëndësishme të theksohet se analistët besonin se Saddami kishte armë të shkatërrimit në masë. George Tenet i besoi këto vlerësime. Unë i besoja. Shumica e shërbimeve të zbulimit në botë i besonin këto vlerësime. Pra askush në të vërtetë nuk i shtyu analistët të deklaronin se kishte armë të shkatërrimit në masë në Irak. A ishte administrata e etur të theksonte elementët më të bujshëm të këtij informacioni? Po. Por një gjë të tillë e kam parë në çdo administratë me të cilën kam punuar".

Larry Wilkerson, shef kabineti i ish Sekretarit të Shtetit Kolin Pauell, i tha Zërit të Amerikës se zoti Tenet ishte një tip energjik, popullor që pëlqehej nga punonjësit e CIA-s. Por shton ai, zoti Tenet i bëri një shërbim të keq vendit, duke u dhënë politikanëve informacione të pasakta. Megjithatë, shton zoti Wilkerson, ai është dakort me vlerësimin e ish drejtorit Tenet se zyrtarë të administratës i manipuluan informacionet e zbulimit. “Unë nuk besoj se zyrtarët e administratës dhe veçanërisht Sekretari i Shtetit, u ndihmuan nga komuniteti i zbulimit. Përfaqësuesi i agjencive të zbulimit ishte drejtori i CIA-s. Në të njejtën kohë, gjithsesi, Xhorxh Tenet ka të drejtë kur thotë se administrata i përzgjidhte informacionet e zbulimit, e politizoi zbulimin, u dha informacioneve rëndësi më të madhe se ç’duhej, në disa raste duke i nxjerrë jashtë kontekstit dhe madje edhe ka përdori informacione të rreme, që gjithnjë e më shumë, sot unë po besoj se zyrtarët i dinin që në atë kohë që ishin të pavërteta.”

Por Karl Ford, ish shefi i zyrës së zbulimit të Departamentit të Shtetit, thotë se si politikanët ashtu edhe komuniteti i zbulimit janë bashkëfajtorë për dështimin e zbulimit rreth Irakut. “Vihet re një përpjekje në radhët e komunitetit të zbulimit, për të fajësuar të tjerë për gjithë gabimet. Për mendimin tim faji kryesor i politikanëve nuk është keqpërdorimi i informacionit të zbulimit, që unë mendoj se ata e kanë keqpërdorur, por fakti që ata nuk kërkuan përsosmëri nga komuniteti i zbulimit. Ata thjesht na braktisën. Atyre nuk u pëlqente ajo që ne u jepnim dhe filluan të gjejnë vetë përgjigje alternative ose të përdorin gjykimin e tyre.” Tani që demokratët kontrollojnë Kongresin, të paktën një komision po shqyrton mundësinë e fillimit të një hetimi për informacionet e zbulimit të paraluftës në Irak. Dhe zoti Tenet pritet të jetë një ndër dëshmitarët kryesorë. //rd//

XS
SM
MD
LG