Lidhje

Verbeke raporton në Këshillin e Sigurimit për misionin faktmbledhës në Kosovë


Në raportin e parë që pas kthimit nga misioni faktmbledhës në Kosovë, Kryetari i Delegacionit të Këshillit të Sigurimit, ambasadori i Belgjikës Johan Verbeke tha se misioni arriti në përfundimin se shqiptaret e Kosovës dhe serbët vazhdojne të kenë dallime të mëdha mes tyre, si dhe pikëpamje të ndryshme për të ardhmen e Kosovës, gjë që do të thotë se krijimi i një shoqërie të integruar shumë-etnike, do të kërkojë përpjekje të mëdha.

Qëndrimet e dy komuniteteve për propozimin e të dërguarit të posacëm të OKB-së, Marti Ahtisari mbi Kosovën, mbeten të ndryshme, tha ai.

“Ndërsa Beogradi dhe serbët e Kosovës e kundërshtojnë propozimin e zotit Ahtisari, dhe hodhën poshtë çdo lloj forme të pavarësisë, shqiptarët e Kosovës shprehën mbështetjen e tyre për propozimin dhe ata shpresojnë së tepërmi për zgjidhjen e menjëhershme të statusit”, - tha Verebeke.

Ambasadori belg tha se këto ndarje pasqyroheshin edhe në pikëpamjet e komunitetit në Kosovë, ku shqiptarët janë optimistë për gjendjen, kurse serbët druhen se të drejtat e tyre nuk do të mbrohen siç duhet.

Zoti Verbeke tha se numri i refugjatëve serbë të kthyer vazhdon të jetë shumë i vogël:

“Edhe pse strukturat për kthimin ekzsitojnë, -tha ai, - mungesa e perspektivës ekonomike dhe shqetësimet për sigurinë kanë qenë arsyet kryesore përse serbët e Kosovës nuk kthehen në shtëpitë e tyre”.

Ambasadori Verbeke vlerësoi punën e UNMIK-ut për krijimin e insitucioneve të përkohshme në Kosovë dhe përkushtimin për zbatimin e standarteve të caktuara nga Kombet e Bashkuara.

Pas raportimit të Kryetarit të Misionit Fakmbledhës, Verbeke, ambasadori rus ne Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin në një konferencë shtypi, përseriti qëndrimin e Rusisë, se palët duhet t'i vazhdojnë negociatat dhe se nuk është koha që të imponohet pavarësia për Kosovën, pa u siguruar për zbatimin e Rezolutës 1244.

“Pas atyre që pamë në Kosovë, është shumë e vështirë të argumentosh që bashkësia ndërkombëtare është pranë zbatimit të Rezolutës 1244 dhe kërkesave të saj kryesore, si krijimi i kushteve normale të jetesës dhe kthimi i serbëve atje.” - tha ai.

Ambasadori Çurkin tha se në se propozimi i pavarësisë do të zbatohej, kjo nuk do t’u ndihmonte kthimit të refugjatëve serbë në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt dhe i kanë bërë thirrje Rusisë ta mbështesë planin e zotit Ahtisari.//lk

XS
SM
MD
LG