Lidhje

Rumania në procesin e modernizimit të një baze ajrore për dislokimin e forcave amerikane


Në bazën ajrore Mihail Kogalni-ceanu të Rumanisë vazhdon puna për modernizimin në përgatitje për dislokimin e forcave amerikane në fund të këtij viti, megjithëse ende nuk është njoftuar një datë e saktë. Marrëveshja për bazën është nënshkruar në dhjetor 2005 nga Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice dhe u ratifikua nga parlamenti rumun.

Baza ndodhet pranë portit të Konstancës në Detin e Zi, 250 kilometra në lindje të Bukureshtit. Puna për zgjerimin e pistës përkoi me manovrat e përbashkëta dy javëshe amerikano-rumune. Kjo është pjesë e një programi për të përmirësuar infrastrukturën përpara se trupat amerikane të arrijnë në bazë.

Nënkoloneli Craig Wills i Forcës Ajrore amerikane tha se ishte i kënaqur me zhvillimin e manovrave dhe se kushtet e stërvitjes ishin të përsosura. Ai tha gjithashtu se shpreson që marrëdhëniet me Rumaninë do të vazhdojnë.

"Infrastruktura është shumë e mirë, njerëzit ishin të mrekullueshëm, të gjithë na trajtuan si miq të vërtetë”.

Manovrat me pjesmarrjen e një personeli rumun prej 300 vetësh dhe 200 amerikanë, përfshinin 30 avionë luftarakë nga të dy vendet, thanë zyrtarët.

Ndërkohë, parlamenti i Rumanisë miratoi marrëveshjen që lejon Shtetet e Bashkuara të përdorin katër baza ushtarake rumune dhe të dislokojnë deri në 3 mijë trupa në këtë vend ish komunist. Deputetët votuan me 257 vota pro dhe një kundër për të ratifikuar marrëveshjen 10-vjeçare. 29 deputetë nacionalistë abstenuan. Marrëveshja ishte nënshkruar në dhjetor 2005 nga Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice.

Shtetet e Bashkuara pritet ta marrin në kontroll bazën Mihail Kogalni-ceanu nga fundi i vitit, ndonëse ende nuk është njoftuar data e saktë. Trupat amerikane do të lejohen gjithashtu të përdorin tre poligone stërvitjeje në Rumaninë juglindore dhe qendrore. Rreth 1,500 trupa amerikane do të fillojnë stërvitjen në bazë e cila do të jetë e para që Shtetet e Bashkuara ngrejnë në një vend ish anëtar të Traktatit të Varshavës.

Kjo bazë ka qenë përdorur më parë nga Shtetet e Bashkuara gjatë operacioneve në Irak dhe Afganistan, dhe ka qenë dyshuar si objekt i përdorur nga CIA për marrjen në pyetje të personave të dyshuar për terrorizëm.

Rusia ka shprehur shqetësime për marrëveshjet që Shtetet e Bashkuara kanë arritur me Bullgarinë dhe Rumnaninë për ngritjen e bazave të tilla ushtarake. //iç//

XS
SM
MD
LG