Lidhje

SHBA: Pengesat ndaj një marrëveshjeje ndërkombëtare mbi të ardhmen e Kosovës mund të kapërcehen


Rusia ka përkrahur qeverinë serbe në kundërshtimin e saj të fortë ndaj planit të të dërguarit të OKB-së, Marti Ahtisari, mbi të ardhmen e Kosovës. Megjithatë, zyrtarët në Departamentin amerikan të shtetit thonë se pas takimit të Londrës, kreu i delegacionit amerikan, Nënsekretari i Shtetit për Çështje Politike, Nikolas Bërns, beson se problemet nuk janë të pakapërcyeshme dhe se një plan mbi Kosovën do t’i paraqitet së shpejti Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Plani Ahtisari, produkt muajsh të tërë përpjekjesh diplomatike nga ana e ish-presidentit finlandez, do t’i jepte Kosovës shumicën e karakteristikave të shtetit të pavarur, ndërkohë që trupat e Natos dhe forcat e policisë së Bashkimit Evropian do të vazhdonin të garantonin siguri.

Serbia e kundërshton me energji pavarësinë e Kosovës dhe ka përkrahur një plan alternativ për autonomi të mbikqyrur. Moska është shprehur se po të lejohet pavarësia, do të inkurajoheshin forcat separatiste në zona të tjera, përfshirë rajonin e saj të Kaukazit.

Në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Kejsi, tha se me përjashtim të Rusisë, ekziston një unitet i fuqishëm ndërmjet 5 vendeve të tjera në Grupin e Kontaktit, ku bëjnë pjesë edhe Britania, Franca, Gjermania, Italia, si dhe Shtetet e Bashkuara, në lidhje me nevojën për të shkuar drejt realizimit të planit Ahtisari. “Sigurisht, ne besojmë se plani Ahtisari ofron një rrugë të qendrueshme para dhe jemi të interesuar pa masë të vazhdojmë diskutimet me Rusinë mbi këtë çështje, pasi jemi të bindur se është e rëndësishme për të gjithë ne, përfshirë Moskën, të jemi në gjendje të mbështesim këtë rezolutë, meqenëse ofron shpresat më të mira për popullin e Kosovës dhe të Serbisë”.

Një diplomat i lartë amerikan, që foli me gazetarët, tha se Nënsekretari Bërns, u kthye nga takimi i Londërs me besimin se dallimet me qendrimin e Rusisë mund të sheshohen, megjithatë nuk shpjegoi se çfarë kompromisesh mund të jenë të domosdoshme për të shmangur një veto nga ana e Rusisë ndaj planit Ahtisari.

Zëdhënësi Kejsi tha se bisedimet mbi Kosovën do të vazhdojnë në selinë e Kombeve të Bashkuara dhe se kjo çështje pritet të trajtohet në bisedimet e Sekretares së Shtetit, Kondoliza Rajs, këtë muaj në Moskë.

Shqiptarët e Kosovës kanë kërcënuar se do të shpallin pavarësinë, nëse javët e ardhshme plani Ahtisari nuk miratohet nga Këshilli i Sigurimit.

Në komentet e bëra në Londër, zoti Ahtisari tha se plani është e vetmja rrugë para për Kosovën dhe se nuk ka asnjë mënyrë për të bindur shqiptarët që të kthehen përsëri nën sundimin e Serbisë pas atij trajtimi të ashpër nga qeveria jugosllave e Millosheviçit.

Zoti Ahtisari tha se Nato do të caktonte një afat për tërheqjen e trupave nga Kosova, por shtoi se prarashikon që trupat e aleancës të qendrojnë për të paktën edhe pesë vjet të tjera. //az//

XS
SM
MD
LG