Lidhje

Uashingtoni dhe Moska bien dakord për bisedime të nivelit të lartë mbi mbrojtjen nga raketat


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime të veçanta në nivel kabineti në përpjekje për të zgjidhur një përplasje në lidhje me planet amerikane për të vendosur elementë të një sistemi të mbrojtjes nga raketat në Evropën Qendrore. Rusia këmbëngul se plani amerikan do të dobësonte mbrojtjen e saj strategjike.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs dhe Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts do të takohen me homologët e tyre rusë brenda këtij viti në përpjekje për të ulur tensionet që ka shkaktuar plani amerikan për një sistem të mbrojtjes nga raketat.

Rusia e ka kundërshtuar me forcë planin e administratës së Presidentit Bush për të vendosur interceptorë raketash në Poloni dhe një sistem radarësh në Republikën Çeke, për të interceptuar raketa të hedhura nga Irani apo vende të tjera të papërgjegjshme në Lindjen e Mesme. Presidenti rus Vladimir Putin, i cili këmbëngul se sistemi amerikan mund të bëjë të pavlefshëm sistemin strategjik rus të raketave, e acaroi më tepër mosmarrëveshjen javën e kaluar, kur tha se Moska do të pezullonte angazhimin e saj në Traktatin që kufizon numrin e forcave konvencionale në Evropë, të nënshkruar që në kohën e Luftës së Ftohtë.

Në një konferencë për shtyp, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike Daniel Frid tha se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar propozimin rus për një takim të pazakontë “2 plus 2” ndërmjet ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes së të dyja vendeve, i cili është parashikuar të zhvillohet në shtator. Ai tha se bisedimet duhet të zgjerohen për të përfshirë edhe Këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për Sigurimin Kombëtar Stiven Hedli dhe homologun e tij rus, Igor Ivanov.

Administrata e Presidentit Bush thotë se plani për të vendosur 10 raketa interceptore në Poloni nuk ndërhyn në asnjë mënyrë me arsenalin e madh rus të raketave strategjike me rreze të gjatë veprimi. Administrata hedh gjithashtu poshtë idenë e ngritur nga Moska se objektet që janë planifikuar të ngrihen në Poloni dhe Republikën Çeke janë pararendëse të një sistemi më të madh kundër raketave.

Zoti Frid, i cili shoqëroi Sekretarin amerikan të Mbrojtjes Robert Gejts në Moskë muajin e kaluar, tha se shqetësimet ruse duket se bazohen në keqkuptime mbi kufizimet dhe aftësinë e sistemit të planifikuar. Ai theksoi se administrata e Presidentit Bush është sinqerisht e angazhuar për të eliminuar shqetësimet ruse, dhe i ka bërë ftesë Moskës të marrë pjesë në program: "Përgjigja jonë është t’i ofrojmë bashkëpunim rusëve, në mënyrë dypalëshe ndërmjet këshillit Nato-Rusi dhe të jemi plotësisht transparentë në ato që bëjmë. Kjo është përgjigja e duhur. Pjesërisht si rezultat i angazhimit tonë serioz për të bashkëpunuar me Moskën, e shikojmë si diçka pozitive që edhe Rusia të përfshihet në program. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë bashkëpunim dhe oferta jonë qëndron e hapur."

Zoti Frid tha se mendon që kundërshtimi ndaj planit për mbrojtjen nga raketat, që është shprehur gjetkë në Evropë po zbutet, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet për të shpjeguar synimin e këtij sistemi dhe kërcënimin që paraqet Irani.

Ndihmës Sekretari i Shtetit theksoi se parashikon që kundërshtimi do të pakësohen me kalimin e kohës edhe në Kongres, ku një nënkomision i rëndësishëm votoi për të pakësuar në masën 50 për qind shumën prej 300 milionë dollarësh që administrata ka kërkuar si buxhet të programit për vitin e ardhshëm. Disa anëtarë të Kongresit e kanë akuzuar administratën e Presidentit Bush se po nxiton për të vënë në funksionim një sistem të paprovuar më parë, por zoti Frid thotë se është me vend që përgatitjet për programin të fillojnë para se të bëhet realitet kërcënimi iranian.

Negociatat zyrtare me Poloninë dhe Republikën Çeke lidhur me programin nuk kanë filluar ende dhe zyrtarët amerikanë thonë se mund të duhen 5 vjet para se sistemi të jetë gati për funksionim. Në një dëshmi të dhënë dje në Kongres, zoti Frid parashtroi përllogaritje të shërbimeve të zbulimit mbi Iranin, sipas të cilave mendohet se Teherani mund të ketë raketa me rreze të gjatë veprimi brenda vitit 2015. Ai tha se diplomacia shumëkombëshe për të bindur Iranin të ndalë programin e tij bërthamor ofron mënyrën më të mirë dhe mund të sjellë sukses. Por ai shtoi se nëse këto përpjekje dështojnë, administrata ka përgjegjësinë për të mbrojtur popullin amerikan dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara. //ad//

XS
SM
MD
LG