Lidhje

SHBA, Shqipëria dhe Ligji mbi Lirinë e Informimit


Një grup përfaqësuesish të shtypit, qeverisë, organizatave jo qeveritare dhe nga zyra e avokatit të popullit të Shqipërisë, përfunduan këtë javë në Uashington një kurs një javor që pritet t’i ndihmojë ata për zbatimin sa më mire të ligjit mbi lirinë e informimit; ligjit që detyron qeverinë për të njohur publikun me dokumente, vendime apo aktet qeveritare. Kursi u financua nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID dhe u zhhvillua nën kujdesin dhe administrimin e Qëndrës Valbin për programe ndërkombëtare.

Një qeveri e mire a e keqe ekziston sepse njerezit e lejojnë. Ky është parim. Rrjedhimisht, këta njerëz kanë të drejtë t’i kërkojnë llogari qeverisë së tyre. Përvoja tregon se një demokraci mund të jetë e suksesshme vetëm me pjesmarrje aktive te shtetasve. Dhe kjo pjesmarrje lidhet plotësisht me transparencën e qeverise që e lejon publikun të shohë se çfarë ndodh në qeveri, çfarë qendron pas çdo vendimi të saj, dhe përse e në ç’mënyrë këto vendime ndikojnë në jetën publike.

Që një qeveri të jetë sa më transparente, vjen në ndihmë edhe Ligji mbi lirinë e infomacionit, ligj që në Shqipëri ndodhet në fuqi që prej vitit 1999. Por sa zbatohet ai? Sami Neza është drejtor i Qëndrës për Transparenci dhe Informacion të lire. Ai thotë se ligji që të zbatohet, duhet më pare të kuptohet dhe në Shqipëri, ligji që e lejon publikun të njihet me aktet apo vendimet qeveritare duket se nuk njihet sa duhet si nga qeveria edhe nga masa e gjërë, ndërsa në mes në kërkim të informacionit ndodhen gazetarët që përpiqen të njoftojnë.

Programi u financua nga Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. Valbona Sherifi e Qëndrës Valbin për Programe Ndërkombëtar, që administroi këtë kurs, thotë se informacioni është transparence dhe trasparenca është muri i tejdukshëm që parandalon ose shkurajon shtrembërimet dhe korrupsionit. Në se ekzistojnë rrugë për përdorimin efikas të fondeve publike, është detyrë e qeverise t’i zbuloje ato; në se zyrtarë a nëpunës qeveritarë marrin rushfete ose ndërlikohen në veprimtari të paligjshme; nëse udheheqës politikë marrin fonde për fushata dhe nuk tregojnë burimin e tyre; apo bëjnë premtime gjatë fushatave dhe nuk i mbajnë ato pra mashtrojnë zgjedhësit, atëherë publiku ka të drejtë t’u kërkojë atyre llogari. Valbona Sherifi beson se përfaqësuesit e shtypit, qeverisë, organizatave jo qeveritare dhe nga zyra e avokatit te popullit u treguan mjaft të interesuar dhe duket se mësuan gjëra të reja gjatë zhvillimit të programit në Uashington.

Laureta Omeri, është shefe e zyrës për marrëdhëniet me publikun pranë Bashkisë së Tiranës. Ajo thotë se Bashkia e Tiranës përdor disa mënyra për informimin e publikut me veprimet dhe vendimet e saj, përfshi nëpërmjet informacioneve për shtypi, debateve të hapura, mbledhjeve dhe forume të ndryshme me qytetarë, si dhe me një faqe mjaft informuese në internet.

Por është zyra e avokatit të Popullit ajo që duket se ka një detyrim të dyfishtë përsa i përket zbatimit të ligjit mbi Lirinë e Informimit, thotë Alket Jaupi, këshilltar ligjor pranë kësaj zyre. Sipas zotit Jaupi, zyra e Avokatit të Popullit, është ajo që duhet t’a informojë publikun dhe njëkohësisht t’u kërkojë qeveritarëve informata, pasi vetëm kështu përgjigja ndaj ankesave që publiku paraqet në këtë zyrë, mund të zgjidhen drejt e në mënyrë bindëse.

Kështu, pas një jave programi tepër të ngjeshur, mbrëmë në ambasadën shqiptare në Uashington u zhvillua edhe ceremonia e diplomimit të kursantëve, në prani të ambasadorit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Aleksandër Sallabanda, personelit të tij, dhe të zyrtarëve nga Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. I ftuar ndodhej edhe ish ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, William Rajerson.

XS
SM
MD
LG