Lidhje

Francë: Zgjedhjet presidenciale dhe marrëdhëniet Uashington-Paris


Francezët votojnë sot për të zgjedhur presidentin e ardhshëm që do të zëvendësojë Zhak Shirakun. Dy kandidatët janë Nikola Sarkozi i qendrës së djathtë dhe socialistja Segolen Ruajal. Por si mund të ndryshojnë marrëdhëniet amerikano-franceze me ardhjen e një presidenti të ri në Pallatin Elize:

Marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Shteteve të Bashkuara janë ngjyrosur vitet e fundit nga një ngjarje e vetme: lufta në Irak. Presidenti Zhak Shirak dhe ish-ministri i jashtëm Dominik dë Vilpë u vunë në krye të kundërshtimit ndaj ndërhyrjes amerikane të vitit 2003 në Irak.

Ekspertët thonë se marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe Parisit kanë mbetur të tensionuara si rezultat i pikëpamjeve të papajtueshme lidhur me luftën. Simon Sefarti, ekspert mbi Evropën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se në analizën afat-gjatë, pikëpamjet e Presidentit Shirak kanë rezultuar të drejta: "Megjithëse në Shtetet e Bashkuara ne vazhdojmë ta dënojmë edhe sot Presidentin Shirak lidhur me qëndrimin që mbajti ai në prag të luftës në Irak, është fakt se argumenti që paraqiti ai në dhjetor 2002 e janar 2003 lidhur me luftën, është argumenti që kanë përqafuar tani shumica dërrmuese e amerikanëve."

Ekspertë si Andru Moravçik, Drejtor i Programit për Bashkimin Evropian në Universitetin Princton, thonë se Franca ka reputacion si vend me pikëpamjet anti-amerikane. "Por e vërteta është se kur shqyrton çdo çështje në veçanti, arrin në përfundimin se Franca është në 90 për qind të rasteve një anëtare aktive e angazhuar në bashkëpunimin me Perëndimin. Të marrim për shembull çështjen e përdorimit të forcave të armatosura jashtë vendit. Që pas luftës në Irak, ne zakonisht e shohim Francën si një vend që kundërshton të gjitha operacionet e udhëhequra nga amerikanët, në përpjekjet e saj për të balancuar Shtetet e Bashkuara si superfuqi. Por në fakt, në çdo ndërhyerje që nga Lufta e Ftohtë, që nga Lufta e Gjirit Persik – në Liban, në Afganistan, në Ballkan, në Bregun e Fildishtë apo Kongo, francezët dhe amerikanët kanë qenë në të njëjtën anë. Amerikanët kanë mbështetur operacionet ushtarake franceze dhe anasjelltas. Iraku, në vitin 2003 ishte një përjashtim. Asnjë politikan francez në këto zgjedhje nuk e ka sfiduar qëndrimin pro-perëndimor të Francës," thotë zoti Moravçik.

Sot votuesit francezë shkojnë para kutive të votimit për të zgjedhur presidentin që do të pasojë Zhak Shirakun. Ky kandidatët janë Nikola Sarkozi i qendrës së djathtë dhe kandidatja e Partisë Socialiste Segolen Ruajal. Ekspertët thonë se nga këta të dy, zoti Sarkozi është më pro-amerikani. Ai nuk e fsheh admirimin e tij për shpirtin sipërmarrrës amerikan dhe shtatorin e kaluar erdhi në Uashington ku zhvilloi një takim të shkurtër me Presidentin Xhorxh Bush. Zonja Ruajal nuk ka ardhur në Shtetet e Bashkuara.

Çarls Kapçën, ekspert i çështjeve evropiane në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë thotë se gjatë ditëve të fundit të fushatës, zoti Sarkozi u detyrua ta zbuste retorikën pro-amerikane: "Kjo pjesërisht sepse Segolen Ruajal po e kritikonte duke thënë se ishte tepër i afërt me Presidentin Bush dhe në një farë mënyre u përpoq ta portretizonte pak a shumë në modelin e Toni Blerit, të cilin evropianët e thërrasin “këlyshi i Bushit” si udhëheqës i gatshëm për t’ia nënshtruar interesat e Britanisë administratës së Presidentit Bush," thotë analisti.

Gjatë një tubimi të fundit politik, Ruajal deklaroi: “ne nuk do të gjunjëzohemi para Xhorxh Bushit.” Shumë ekspertë janë të mendimit se paravarësisht se kush zgjidhjet President i Francës, do të ketë përmirësime krahasuar me marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet zotit Shirak dhe Xhorxh Bushit.

Por ata shtojnë qoftë zonjës Ruajal apo zotit Sarkozi do t’u duhej të vendosnin se çfarë marrëdhëniesh synojnë të ndërtojnë me Shtetet e Bashkuara, duke pasur parasysh faktin që në një anketë të zhvilluar në dhjetor, tre të katërtat e francezëve u përgjigjën se dëshirojnë që Presidenti i ardhshëm të ruajë një distancë nga politika e jashtme amerikane. //ad//

XS
SM
MD
LG