Lidhje

Sarkozi premton reforma të mëdha pas fitores


Në Francë, Presidenti i sapozgjedhur Nikolas Sarkozi premtoi reforma të mëdha pas fitores vendimtare që arriti në raundin e dytë të zgjedhjeve të zhvilluara dje.

Zoti Sarkozi po harton plane ambicioze për 100 ditët e para në detyrë, duke përfshirë reformimin e javës 35-orëshe të punës si dhe forcimin e masave kundër krimit dhe imigracionit.

Ai ka nevojë të sigurojë shumicën në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 10 dhe 17 qershor për të realizuar planet e tij. Ish ministri i brendshëm konservator mori mbështetje për idetë e tij të ndryshimeve ekonomike dhe politike duke mposhtur socialisten Segolen Ruajal me 53 kundrejt 47 përqind të votave. Pjesëmarrja në votime ishte 85 përqind.

Mandati pesë-vjeçar i presidentit të ri pritet të fillojë më 16 maj. Ai premtoi se do të rikthejë krenarinë kombëtare të Francës duke thënë se do të jetë president i të gjithë francezëve. Ai premtoi se do t’i risjellë Francës “vlerat e punës, të autoritetit, moralit, respektit dhe meritës.” Zoti Sarkozi premtoi gjithashtu të rigjallërojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe me pjesën tjetër të Evropës.//lk

XS
SM
MD
LG