Lidhje

Berisha: Shpresoj që Rusia ta rishohë politikën në Ballkan


Kryeministri Sali Berisha deklaroi të hënën se mirëkuptimi pozitë-opozitë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit nuk mund të arrihet me parakushte dhe detyrime.

Ai tha se një president konsensual mund të zgjidhet ose me një garë të barabartë të kandidatëve në sallën e parlamentit për të marrë secili sa më shumë vota, ose me marrëveshje paraprake midis pozitës dhe opozitës për një emër, sic ndodhi pesë vjet më parë kur u zgjodh presidenti Alfred Moisiu.

"Maxhoranca mbetet e hapur për zgjedhje konsensuale të kryetarit të shtetit, me kushtin e vetëm, që ajo të mos konceptohet si një imponim. Ideja se presidenti duhet të jetë ose i këtij kampi ose zgjedhje të reja, nuk i është ide që i shërben konsensusit" - tha zoti Berisha.

Kryeministri Berisha tha se mirëpriste çdo kërkesë të opozitës për mocion mosbesimi ndaj qeverisë së tij. Ai i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit italian, Umberto Ranieri, ku së bashku dhanë deklarata edhe për Kosovën. Zoti Berisha tha se shpresonte që Rusia të rishikojë politikën e saj në Ballkan.

"Shpreh shqetësimin tim për lloj ksenofobie ndaj shqiptarëve që po qarkullon tani kur problemi i Kosovës po shkon drejt statusit final. Shpresoj që Rusia të rishqyrtojë politikën e saj në Ballkan" - tha zoti Berisha.

Ndërsa zoti Ranieri tha se rajoni i Ballkanit ka një të ardhme të përbashkët me integrimin europian.

"Edhe ne në Itali shpresojmë që zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës të bëhet sipas orientime të përgjithshme të OKB. Qëndrueshmëria e Ballkanit nuk varet nga hegjemonia e ndonjë vendi të caktuar, por nga demokratizimi i gjithë shteteve të Ballkanit, nga bashkëpunimi i tyre dhe nga e ardhmja e përbashkët e integrimit europian" ,- tha Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit italian, Umberto Ranieri.

XS
SM
MD
LG