Lidhje

Sekretarja e Shtetit Rajs pret Ministrin e Jashtëm shqiptar Lulzim Basha


Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs i bëri thirrje Shqipërisë të përshpejtojë programet e saj të reformave ekonomike dhe politike për të plotësuar kriteret e antarësimit në NATO.

Sekretarja Rajs i tha sot në Uashington Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha, se Tirana duhet të marrë të gjitha masat e mundëshme për të plotësuar kriteret e planit të pranimit në NATO.

Zoti Basha, i cili po bën vizitën e tij të parë në Uashington si ministër i jashtëm, shprehu synimin e qeverisë së tij për plotësimin e të gjitha elementeve të planit.

Të hënën, në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, ministri Basha hodhi poshtë idenë se vendi i tij aspiron krijimin e një “Shqipërie të madhe”.

Ai i tha sekretares Rajs se qeveria shqiptare i ka bërë thirrje për durim dhe përmbajtje Kosovës, ndërkohë që popullata e saj pret vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të ardhmen e statusit.

Në programin televiziv Ditari, Zëri i Amerikës i mori këtë intervistë Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha keni rreth dy orë që jeni takuar me sekretaren e shtetit Rice dhe natyrshëm që pyetja e parë është çfarë u diskutua gjatë takimit?

Lulzim Basha: Takimi me Sekretaren e Shtetit Condoleezza Rice ishte jashtëzakonisht inkurajues. Është padyshim një pikë kulminante në diplomacinë shqiptare dhe marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Diskutuam mbi disa çështje kryesore. U diskutua mbi anëtarësimin e Shqipërisë në Nato, ku u vlerësuan përpjekjet e Shqipërisë në veçanti reformat qoftë ushtarake, por me theks të veçantë reformat në planin ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe informalitetit, përpjekjet e qeverisë shqiptare për të çmontuar organizatat e krimit të organizuar në Shqipëri dhe sukseset e arritura në këtë fushë, në bashkëpunim edhe me institucionet ndërkombëtare në përgjithësi dhe departamentin e drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veçanti me FBI-në, misionet e tyre në Tiranë. U diskutua për reformat në ekonomi, në veçanti përpjekjet e qeverisë shqiptare për të stimuluar ekonominë nëpërmjet një pakete fiskale të favorshme ndaj biznesit, në të njëjtën kohë duke siguruar transparencë dhe një formalitet më të madh të ekonomisë, një luftë ndaj informalitetit e cila ka sjellë gjatë 20 muajve të kësaj mazhorance edhe një performancë të përmirësuar në sektorin e mbledhjes së të ardhurave të destinuara për reforma të rëndësishme, projekte të mëdha në infrastrukturë, rritje të të ardhurave në sektorët socialë, siç janë shëndeti publik dhe arsimi. Në tërësi u vlerësuan këto përpjekje si reforma të cilat vërtetojnë edhe njëherë se Shqipëria është e vendosur në rrugën drejt anëtarësimit në Nato të plotësojë jo vetëm kriteret ushtarake por edhe ato kritere të cilat përbëjnë thelbin e vlerave të përbashkëta të anëtarëve të aleancës së Atlantikut të Veriut.

Zëri i Amerikës: Një nga synimet kryesore të Shqipërisë në politikën e jashtme është pra anëtarësimi në Nato dhe vendi juaj pret në vitin 2008 të marrë një ftesë për të. A jeni ju i sigurtë se vitin e ardhshëm do të merrni ftesë për anëtarësim apo kjo do të jetë e varur, e kushtëzuar nga reformat, nga përparimi i tyre?

Lulzim Basha: Sigurisht që ka një mekanizëm i cili mat progresin e vendeve që aspirojnë të bëhen anëtarë të Natos, është një program veprimesh i vendit anëtar. Ne jemi në përfundim të ciklit të tetë të këtij programi, dhe siç u informova edhe gjatë javës së kaluar në sekretariatin e përgjithshëm të Natos në Bruksel, do të ketë një cikël të nëntë për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Diskutova me sekretaren Rice përpjekjet që qeveria po bën për ta mbyllur këtë cikël me sukses si dhe për caktimin e një plani të saktë masash për muajtë në vijim deri në periudhën paraprake të samitit të Bukureshtit dhe u garantova për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara që edhe në këtë program Shqipëria të përfundojë me sukses ato angazhime që do të ndërmarrë dhe përfundimi me sukses i të cilave sigurisht është një faktor shumë i rëndësishëm në vlerësimin e kandidaturës së Shqipërisë për tu bërë një anëtare e Natos.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha brenda një periudhe të shkurtër ka dy zhvillime të rëndësishme që lidhen me marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë. Takimi që patët sot me sekretaren e Shteti dhe pas një muaji presidenti Bush viziton Shqipërinë në atë që parlamenti dje në ato vendimet e tij të rralla votoi njëzëshëm për ta quajtur një vizitë historike. Çfarë rëndësie kanë takime të tilla, këto shkëmbime të larta marrëdhëniesh për të dyja palët. Çfarë përgjegjësie shtrojnë ato para jush?

Lulzim Basha: Si në takimin me sekretaren Rice edhe në takimet me një numër senatorësh dhe kongresmenësh në Uashington dje dhe sot është theksuar se vizita e presidentit Bush është një shenjë e qartë, është një pikë kulminante në marrëdhëniet midis dy vendeve, është një vizitë historike dhe një shenjë e qartë e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara për reformat që Shqipëria po ndërmerr për anëtarësimin në Nato si dhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Prandaj në këtë kuadër mendoj që vizita e presidentit Bush nuk mund të ketë dimensione më të rëndësishme për këto objektiva madhore të Shqipërisë, për këto objektiva madhore të shqiptarëve siç janë anëtarësimi në Nato dhe zgjidhja sa më shpejtë e çështjes së Kosovës. Është një oportunitet i jashtëzakonshëm, një rast i jashtëzakonshëm që rallëherë vjen, rallëherë i prezantohet vendeve si Shqipëria për të shpalosur para botës sytë e së cilës do të jenë në Shqipëri gjatë vizitës së presidentit, vendin tonë, rrugën e gjatë që kemi bërë që nga 1991 deri më sot, si dhe përpjekjet tona në rrugën drejt emancipimit dhe reformimit të vendit, të ekonomisë, të sistemit ligjor për tu anëtarësuar në Nato dhe në Bashkimin Evropian. Pra është padyshim një rast i jashtëzakonshëm për të shpalosur këto arritje dhe për ta bërë Shqipërinë të njohur në nivele të ndryshme, jo vetëm në nivele të larta të politikës por edhe në nivele të ndryshme para opinionit publik ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Siç thatë edhe ju, Kosova ka qënë një nga pikat e diskutimit gjatë takimeve që keni patur në Uashington. Çfarë roli pritet të luajë Shqipëria në këtë fazë përfundimtare të procesit të statusit të Kosovës?

Lulzim Basha: Roli i Shqipërisë është vlerësuar me nota mjaft pozitive, është vlerësuar mjaft lartë nga të gjithë zyrtarët që takova, duke filluar nga sekretarja Rice dhe zyrtarët e tjerë. Kemi diskutuar për vazhdimin e këtij roli konstruktiv që Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë në këtë pjesë të fundit por vendimtare të statusit të Kosovës, në veçanti me partnerët tanë, autoritetet kosovare por edhe me partnerët e tjerë në rajon duke kërkuar durim dhe maturi në këtë periudhë të fundit dhe duke besuar plotësisht në vullnetin dhe përkushtimin e administratës amerikane në veçanti por edhe të komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi për ti dhënë përfundimisht një zgjidhje të qëndrueshme çështjes së Kosovës nëpërmjet paketës së propozuar nga presidenti Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë ka dalë një variant tjetër për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në qoftë se Rusia do të vazhdojë të kundërshtojë dhe do ti vëri veton rezolutës së re që pritet në Këshillin e Sigurimit, njohja e njëanëshme e pavarësisë së Kosovës. A ka qeveria shqiptare një strategji; çfarë qëndrimi do të mbajë në atë moment. A do të jeni ju ndër të parët që do e njihni?

Lulzim Basha: Edhe kjo u diskutua gjërësisht edhe me sekretaren Rice edhe me zyrtarë të tjerë. Mund të themi që shpresat tona janë të mëdha për një rezolutë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe një proces të kontrolluar të pavarësimit të Kosovës çfarë do të ishte jo vetëm në përfitim të Kosovës dhe kosovarëve por në përfitim të gjithë rajonit, stabilitetit në rajon dhe stabilitetit evropian. Ne shpresojmë që kjo pikëpamje do të ndahet nga të gjithë faktorët duke përfshirë këtu edhe Rusinë e cila është anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë nuk po rrimë duarkryq dhe po marrim të gjitha masat që stabiliteti i cili është edhe shqetësimi kryesor i të gjithë aleatëve të mos cënohet nga dinamika e ngjarjeve që do të rrjedhin. Një gjë është e sigurtë – ky proces tashmë është në përfundim dhe mbështetja e komunitetit ndërkombëtar durimi dhe maturia e faktorëve politikë në Kosovë janë përbërësit kryesor që do ta çojnë këtë proces drejt një suksesi të plotë në muajtë në vijim.

Zëri i Amerikës: Është folur këto ditë se mund t’i bëhen ndryshime planit Ahtisari. A keni ju dijeni për këtë dhe a ekziston mundësia për ndryshime?

Lulzim Basha: Ne besojmë se paketa Ahtisari është kompromisi më i mirë i mundshëm në situatën ku ndodhemi. Besojmë gjithashtu se përpjekje për të ndryshuar karakterin e paketës Ahtisari mund të rrezikojnë integritetin e kësaj pakete dhe vlefshmërinë e saj. Megjithatë ne do të vazhdojmë të mbetemi konstruktivë, të angazhojmë në dialog të gjithë faktorët vendim-marrës dhe të ecim përpara në këtë proces të bindur se procesi është drejt përfundimit të tij dhe se kjo është një çështje kohe mjaft e shkurtër.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha edhe një pyetje nga zhvillimet që kanë ndodhur sot në Shtetet e Bashkuara. Sot në mëngjes janë bërë gjashtë arrestime në Nju Xhërsi dhe mendohet që katër prej tyre të jenë shqiptarë, nuk e dimë ende se nga – thuhet që kanë lindur në ish-Jugosllavi, ne sapo njoftuam se janë me mbiemrin Duka. Ndonjë koment, ndonjë reagim tuajin?

Lulzim Basha: Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit. Kjo është një çështje tjetër me shumë rëndësi që u diskutua me sekretaren Rice e cila shprehu vlerësimin e saj maksimal për përpjekjet e Shqipërisë në koalicionin anti-terror në veçanti në Irak por edhe në Afganistan dhe kudo ku trupat tona dhe personeli ynë është i angazhuar bashkarisht në luftën kundër terrorizmit. Sigurisht që edhe përpjekjet që Shtetet e Bashkuara bëjnë për të vënë në kontroll situatën dhe për të konfrontuar elementët terroristë brenda territorit të saj do të gjejnë përkrahjen tonë të plotë. Mund të them se baza e shëndoshë e marrëdhënieve bilaterale Shqipëri-Amerikë reflektohet qartësisht edhe nga vizita e presidentit Bush e cila padyshim ilustron edhe rolin e Shqipërisë si një eksportues i sigurisë në rajon dhe në botë – në Afganstan, Irak dhe kudo ku ne po planifikojmë misione të tjera. Gjithashtu kam kënaqësinë të konfirmojë se Sekretarja e Shtetit Rice pranoi ftesën zyrtare për të vizituar Shqipërinë dhe besoj që në muajt që do të vijnë do të kemi kënaqësinë ta presim atë në Tiranë.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha me çfarë mesazhi po ktheheni në Shqipëri pas takimeve që patët këto ditë në Uashington, e kam fjalën për çështjen e reformave pasi vendi përballet me një sërë përplasjesh politike?

Lulzim Basha: Mesazhi është shumë i qartë, është një mesazh inkurajues për reformat të cilat duhet të vazhdojmë, reforma që shpeshherë mund të kenë aspekte të dhimshme por që janë të nevojshme për ta reshtuar Shqipërinë në klubin e vendeve të emancipuara që ndajnë të njëjtat vlera përsa i përket ekonomisë së tregut, konkurencës së ndershme, transparencës së veprimeve të qeverisë, lirive individuale, luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal. Një pjesë e këtyre reformave kanë nevojë për një bashkëpunim midis opozitës dhe qeverisë. Qeveria ka shprehur disa herë, kryeministri Berisha është shprehur shpeshherë edhe në publik për nevojën e një konsensusi për çështje madhore, në veçanti për ato çështje që kanë të bëjnë për vazhdimësinë e reformave në sektorë të tillë si sektori i drejtësisë ku bashkëpunimi midis opozitës dhe qeverisë është vendimtar për kalimin e paketave legjislative që do të reformojnë sistemin gjyqësor në Shqipëri dhe do të shtrojnë rrugën për efikasitetin e këtij sistemi në luftë kundër korrupsionit në mënyrë që ekzekutivi, parlamenti dhe gjyqësori, të tre të plotësojnë rolet e tyre në këtë luftë dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në angazhimin e Shqipërisë në arritjen e reformave. Prandaj bashkëpunimi midis opozitës dhe qeverisë është tashmë jo një çështje e vullnetit personal apo institucional partiak por është një çështje e vullnetit kombëtar për të arritur qëllime të tilla madhore siç është integrimi në Nato. //rd//

XS
SM
MD
LG