Lidhje

Konsultime mbi Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi konsultime për Kosovën dhe doli me disa elementë të mundshëm që do të përmbante një rezolutë e re. Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmai Kalilzad, në komentet që bëri për gazetarët, pas konsultimeve të sotme, tha se elementët e një rezulute u janë qarkulluar ditët e fundit të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Rezoluta do të përmbante klauzolën e Kapitullit të Shtatë, që do të thotë se ajo do të ishte e detyrueshme për t'u zbatuar. Një klauzolë tjetër do të shprehte mbështetje për rekomandimet e të dërguarit të OKB-së, Marti Ahtisari.

Ambasadori Kalilzad tha se pala amerikane po punon me palën ruse, dhe në kontaktet dy palëshe nuk është bërë ndonjë kërcënim për të vënë veton ndaj një rezolute të ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

“Raporti i misionit faktmbledhës ka përfunduar, u është qarkulluar vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe ne po diskutojmë me kolegët tanë mbi datën që do të zhvillojmë diskutime mbi këtë çështje, diskutim që mendoj se do të zhvillohet brënda pak ditësh”.

Ambasadori Kalilzad tha se misioni faktmbledhës në Kosovë ka pasur një ndikim pozitiv për çuarjen përpara të procesit. Ai tha se mezi pret të bashkëpunojë me kolegët rusë. Misioni faktmbledhës në Kosovë u zhvillua me propozim të ambasadorit rus, Vitaly Çurkin. Ambasadori Kalilzad tha se diskutimet që ka zhvilluar me palën ruse janë karakterizuar nga fryma e bashkëpunimit. //ze//

XS
SM
MD
LG