Lidhje

Amerikanët reagojnë ndaj gjashtë personave të arrestuar në SHBA


Në Shtetet e Bashkuara, autoritetet thonë se gjashtë personat e akuzuar se po komplotonin për të vrarë ushtarë amerikanë në baza të ndryshme të vendit, do të qendrojnë në arrest pa të drejtën e dorëzanisë deri në një seancë gjyqësore të premten. Burimet i thanë Zërit të Amerikës se 3 shqiptarë, mes tyre vëllezër me mbiemrin Duka, janë nga Dibra e Maqedonisë. Dy persona të tjerë janë njëri me origjinë jordaneze dhe tjetri nga Turqia.

Byroja Federale e Hetimeve thotë se komploti u zbulua kur njëri prej personave solli në një dyqan një videokasetë për ta hedhur në DVD. Videoja kishte imazhet e personave duke praktikuar qitje me armë automatike. Kjo e bëri të zotin e dyqanit të dyshojë dhe të njoftojë autoritetet. Ja si u shpreh prokurori i qarkut të Nju Xhersit jugor, Christopher Christie:

"Këta njerëz kishin një numër videosh xhihadiste. Kishin një video me amanetin e dy prej 19 personave që rrëmbyen avionët më 11 shtator 2001. Kishin video të Osama bin Ladenit që u bënte thirrje myslimanëve të ngriheshin në Xhihad."

Autoritetet thonë se nuk ka prova të drejtpërdrejta që t’i lidhin personat me ndonjë organizatë ndërkombëtare si al-Kaida. Por disa nga të akuzuarit kanë thënë se ishin të gatshëm të vrisnin dhe të vriteshin “në emër të Allahut”. Qëllimi i tyre ishte të vrisnin sa më shumë ushtarë amerikanë duke përdorur mortaja, granatahedhës dhe pushkë, tha prokurori. Përveç komplotit për të sulmuar bazën Fort Dix, të akuzuarit flisnin edhe për një sulm kundër një baze të Marinës në Filadelfia gjatë një ndeshjeje universitare futbolli si dhe bënin vëzhgimin e instalimeve të tjera ushtarake në këtë zonë, thanë prokurorët.

Njëri nga të akuzuarit, shpërndarës picash nga Turqia, i quajtur Serdar Tatar, dyshohet se shfrytëzonte punën që bënte për të vëzhguar planimetrinë e bazës ushtarake Fort Dix të Nju Xhersit. Mario Tummillo, i cili punonte në picerinë që është në pronësi të babait të zotit Tatar, tha se personi në fjalë “kurrë nuk fliste për luftë".

"Ai kurrë nuk fliste për luftë. Unë merrem me gjueti dhe peshkim dhe një herë ai më tregoi se do të shkonte në pensilvani me disa shokë për të bërë qitje me pushkë. Por nuk përmendi se kishte ndërmend të vriste njerëz ose për ndonjë akt terrorist".

Hetuesit thanë gjithashtu se prej më shumë se një viti kishin depërtuar brenda grupit me anë të një informatori dhe regjistronin fshehurazi personat, pesë prej të cilëve banonin në Cherry Hill, një periferi e Filadelfias, rreth 30 kilometra larg Fort Diksit. Njëri nga të akuzuarit, Elvir Duka, është regjistruar duke thënë se “në fund të fundit, kur vjen puna për të mbrojtur fenë tënde, kur dikush përpiqet të të sulmojë fenë dhe mënyrën e jetesës, atëhere xhihadi është rruga e vetme”. Një tjetër i akuzuar, Mohamad Ibrahim Shnewer, shtetas amerikan i lindur në Jordani, fliste për të vrarë të paktën 100 ushtarë me granatahedhës dhe armë të tjera, gjithnjë sipas dokumenteve të gjykatës.

John Stinson, jeton pranë bazës Fort Dix:

"Nuk është për t’u habitur, por ata u treguan shumë naivë sepse kjo është një bazë shumë e madhe dhe është e pamundur që dikush të hyjë dhe të bëjë gjëra të tilla pasi ka shumë ushtarakë. Pra mendoj se ata duhet të kenë qenë të çmendur".

Të gjashtë u arrestuan të hënën mbrëma kur po përpiqeshin të blenin armë automatike AK-47, M-16 dhe armë të tjera nga një informator i FBI-së.

Tre vëllezërit Duka ndodheshin në Shtetet e Bashkuara ilegalisht. Dy të akuzuar të tjerë kishin kartë jeshile ndësa i gjashti është shtetas amerikan. Cilësimi i të dyshuarve si “ekstremistë islamikë” nga prokurorët, ka krijuar shqetësime të reja mes disa banorëve të zonës.

"Është e frikshme. Unë banoj në këtë zonë, kam dy fëmijë, si edhe një nip dhe një mbesë që jetojnë me mua. Prandaj u shqetësuam shumë kur dëgjuam se këta njerëz mund të hynin në bazë. Kjo më tronditi,” thotë Robyn Odham, e cila banon pranë bazës ushtarake Fort Dix.

Qindra myslimanë nga Nju Xhersi u arrestuan në muajt që pasuan sulmet e 11 shtatorit 2001, por përfundimisht asnjëri prej tyre nuk u akuza për lidhje me ato sulme.

XS
SM
MD
LG