Lidhje

Kosova dënon përfshirjen e shqiptarëve në komplotin terrorist


Në Kosovë është dënuar ashpër përfshirja e katër personave të përkatësisë kombëtare shqiptare në komplotin për të sulmuar bazën ushtarake Fort Dix në Nju Jersey.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku i ka shkruar një letër shefes së zyrës amerikane në Prishtinë Tina Kaidanow në të cilën shpreh mbështetjen e fuqishme për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë kohë. Ai ka nënvizuar në letër, siç thuhet, “ndjenjën e jashtëzakonshme që populli i Kosovës e ka për Shtetet e Bashkuara dhe idenë e neveritshme se shqiptarët kudo që janë mund të përfshihen në kësi lloj sulmesh mbi një komb, i cili ka qenë shumë bujar deri më tash. Unë nuk mund të besoj se ka shqiptarë në botë që është i gatshëm që të bëjë akte të tilla kundër popullit amerikan dhe e dënoj shumë ashpër si gjithë qytetarët, si gjithë shqiptarët kudo në botë që i dënojnë aktet e tilla”, tha kryeministri Çeku.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, që ishte i pari që reagoi ndaj njoftimeve për arrestimet e djeshme në New Jersey, e ka cilësuar si tronditës për kombin shqiptarë lajmin se një mesin e të arrestuarve ka edhe shqiptarë.

Ndonëse ende nuk ka informacione më të plota për të arrestuarit, ai theksoi se “njerëzit e tillë janë kundër humanizmit, demokracisë dhe vlerave civilizuese dhe nuk kanë asgjë të përbashkët më kombin shqiptarë”. Shqiptarët, tha ai, janë krenarë për faktin që janë populli më pro amerikan në Evropë dhe partner të Shteteve të Bashkuara. Zoti Thaçi shprehu besimin se ngjarjet e fundit nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. “Nuk besoj se kjo do të ndikohet, sepse përkushtimi i shqiptarëve është për vlerat e civilizimit botërorë, përkushtimi i politikës sonë është vizioni perëndimorë dhe Kosova në veçanti, por edhe shqiptarët në përgjithësi kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë aktive e luftës kundër terrorizmit global, kudo që të paraqitet", tha zoti Thaçi.

Skënder Hyseni, këshilltar i presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, e përshkroi ngjarjen si “pa përshkrueshëm fatkeqe dhe thellësisht të dënueshme”. Ai tha se kultura shqiptare është thellësisht properëndimore dhe nuk ka të bëjë më kulturat që prodhojnë terrorizëm. “Ajo që është e sigurt dhe që dihet është se populli i Kosovës, shqiptarët e Kosovës, por jo vetëm ata por përgjithësisht shqiptarët, janë popull i orientuar kah vlerat demokratike”, tha zoti Hyseni. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur “e tmerruar nga lajmi se objekti, i cili shërbeu edhe si strehimore për 4 mijë shqiptarë refugjatë gjatë luftës në Kosovë, ishte kërcënuar që të shkatërrohet. Ky synim nuk ishte i menduar vetëm për të sulmuar vlerat demokratike të Shteteve të Bashkuara, por edhe zemërgjerësinë e saj në ndihmën e dhënë popujve të tjerë në tërë botën që kishin nevojë për ndihmë”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Ndërkaq, kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës duke dënuar siç thuhet çdo akt terrorist pavarësisht se kush e planifikon apo edhe e kryen, pa marrë parash qëllimin dhe motivin, vlerëson se ky rast është edhe më i rëndë meqë në të janë të përfshirë qytetarë të kombit shqiptarë. “Të planifikosh një akt terrorist mbi një bazë ushtarak të një shteti mik të shqiptarëve e posaçërisht të Kosovës, do të thotë të jesh kundër interesave të popullit shqiptarë, ndërsa të sulmosh Shtetet e Bashkuara do të thotë të sulmosh shtetin që promovon vlerat demokratike”, thuhet mes tjerash në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Të tronditura janë shprehur të gjitha partitë politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilat vlerësojnë lartë rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

XS
SM
MD
LG