Lidhje

Opozita shqiptare përshëndet forcimin e marrëdhënieve me SHBA


Opozita socialiste në Tiranë vlerësoi si një ngjarje shumë pozitive takimin e ministrit të jashtëm Lulëzim Basha me sekretaren e shtetit Kondoleza Rajs, si dhe përgatitjet për vizitën e presidentit Xheorxh Bush në Shqipëri gjatë qershorit.

Ish-ministrja socialiste e integrimit, deputetja Ermelinda Meksi, thotë se kjo është një provë që marrëdhëniet dypalëshe midis Tiranës dhe Uashingtonit po forcohen gjithnjë e më shumë, po ashtu edhe si një mbështetje në rrugën drejt NATO-s. "Shumë pozitiv është fakti që në proceset euro-atlantike jemi angazhuar prej vitesh dhe të gjithë kemi interesin që për t'i shpënë ato përpara. Kjo është një vizitë që forcon këtë bashkëpunim mes Shqipërisë dhe SHBA në drejtim te arritjes së standarteve të integrimit, dhe njëkohësisht edhe të asaj mbështetjeje që ne kemi patur nga Amerika për të realizuar në një kohë sa më të shpejtë aspiratën që na shpie drejt anëtarësimit me NATO-n. Të gjithë duhet të mendojmë dhe të punojmë shumë sepse kjo nuk vjen vetëm nga vullneti politik i njërës palë, por nga arritja reale e standarteve që shqiptarët dhe politikanët që drejtojnë vendin duhet të realizojnë me sukses, pa spekulluar me takime të këtij lloji" - tha zonja Meksi.

Ajo theksoi se pikërisht sot në Ditën e Europës shqiptarët duhet të meditojnë më thellë për të hartuar dhe zbatuar ligje europiane dhe për të jetuar si europianë. "Shpresoj që të dimë të respektojmë ligjet sipas standarteve europiane, të ndërtojmë ligje me frymë europiane, dhe të gjithë së bashku të punojmë për t'i zbatuar ato sipas të njëjtave standarteve. Gjithashtu duhet përmirësuar më tej klima e vendit për të shtuar arritjen e standarteve që zhvillojnë vendin, sic e dëshirojmë të gjithë" - tha zonja Meksi.

Po sot qeveria vlerësoi komentet që erdhën nga Brukseli dhe Uashingtoni për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit pranë institucioneve euro-atlantike. Kryeministri Sali Berisha tha se Shqipëria ka provuar një angazhim gjithnjë në rritje për t'u integruar në NATO dhe Bashkimin Europian. "Shqiptarët janë të ftuar të ndjekin me përkushtim reformat, për të realizuar projektin më të shkëlqyer të historisë së tyre: integrimin në Bashkimin Europian. Vlerësimet e djeshme të sekretares së shtetit, Kondoleza Rajs, për reformat, mesazhi i shkëlqyer që erdhi nga komisioneri Oli Rehn janë dëshmi e vlerësimit për reformat e zbatuara. Shqipëria ka patur një mal reformash në letër, kurse ne mbetemi të përkushtuar për t'i zbatuar ato" - tha zoti Berisha. Forcimi i marrëdhënieve SHBA - Shqipëri si edhe me vendet anëtare të Bashkimit Europian, e, në tërësi, integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE është një ndër cështjet e rralla, për të cilat forcat politike kanë arritur një mirëkuptim dhe bashkëpunim maksimal për shumë vite, duke miratuar bashkarisht ligje dhe rezoluta në mbështetje të këtij integrimi. //rd//

XS
SM
MD
LG