Lidhje

Bashkësia myslimane shqiptare SHBA - Kanada dënon komplotin ndaj Fort Diksit


Kryesia e bashkësise islame shqiptare që permbledh 13 xhami në Shtetet e Bashkuara e Kanada, nëpërmjet një deklarate, e dënon në mënyrën më të rreptë përpjekjen për një sulm të mundshëm terrorist ndaj bazës ushtarake në Fort Diks. Bashkësia myslimane shqiptare në Amerikën veriore, thuhet në deklaratë, është kundër të ashtuquajturve myslimanë që e shpërdorojnë dhe e poshtërojnë fenë islame për të krijuar një imazh të keq për besimtarët myslimanë.

Në fakt, lajmi mbi arrestimin e 4 shqiptarëve, përfshi vëllezërit Duka, pjesmarrës në këte perpjekje terroriste ka tronditur thelle të gjithë shqiptarët, që Amerikën e shohin si mikun e tyre më të ngushtë. Kjo tronditje duket se më shumë është ndjerë në Nju Jork, në Stejten Ajland, ku banojnë rreth 2 mijë familje shqiptare shumica nga Maqedonia dhe ku ata kane edhe xhaminë e tyre, ku pjestarë të familjes Duka kanë qënë dikur anëtarë

Askush, pavarësisht se cilit komb apo grup etnik apo feje i përket, nuk është i imunizuar nga gabimet apo nga krimi. Megjithatë, pak njerëzve do t’u shkonte ndërmend që një shqiptar të planifikonte të kryente sulme terroriste kundër Shteteve të Bashkuara, pas gjithë asaj që Amerika ka bërë e po bën për shqiptarët. Kjo është mënyra sesi shprehet për Zërin e Amerikës, imam Dhulkasenj Vardari i qëndrës islamike shqiptare në Stejten Ajland (Staten Island) të Nju Jorkut.

Imam Vardari thotë se vetëm në Stejten Ajland ka rreth 2 mijë familje shqiptare. Mbi 50 përqind e tyre janë nga trojet shqiptare në Maqedoni, të tjerët janë nga Kosova e Mali i zi dhe një pakicë janë nga Shqipëria. Familja Duka, ku bëjnë pjesë Dritani, Elviri dhe Shaini, (shqiptarë nga Maqedonia) të akuzuar për planifikimin e sulmit ndaj bazës ushtarake në Fort Dix, kanë jetuar në lagjen Bruklin, përpara se të zvendoseshin në Nju Xhersi.

Në bibliotekën e imam Vardarit mund të shihen të vendosura krahas njëra tjetrës Tora e hebrernjëve, Bibla e të krishterëve dhe Kurani i myslimanëve. Marrëdhëniet e xhamisë me këto bashkësi që kanë qëndrat e tyre në Stejten Ajland, janë të shkëlqyera, thotë Imam Vardari. Ai shton se kushdo që e njeh historinë e shqiptarëve, e di se institucionet fetare, qofshin ato katolike, orthodokse apo muslimane gjithmonë kane luajtur rol pozitiv, bashkues e jo përçarës, gjithmonë kane mbjellë miqësi dhe asnjëherë urrejtje.

Qëndra islamike shqiptare në Stejten Ajland të Nju Jorkut është ndoshta objekti më i madh shqiptar i këtij lloji në Shtetet e Bashkuara. Themeluar në vitin 1990, sot kjo qendër tërheq një numër besimtarësh nga mbarë Nju Jorku. Sekretari i përgjithshëm i bashkësisë islame Ferid Bedrolli thote se ruajtja e gjuhës dhe tradidave shqiptare krahas fesë janë qellimet kryesore të ketij institucioni. Këtu shqiptarët përgatiten e mësojnë sesi të bëhen shtetas shembullorë dhe të respektojnë çdo njeri pavarësisht se cilës kombësie apo feje i përket ai/ajo. Imam Bedrolli krenohet veçanërisht me shkollën e kësaj qëndre, programi i së cilës është miratuar nga këshilli ë arsimit shtetit të Nju Jorkut dhe është shkolla këti lloji ndër më të respektuarat në Nju Jorku.

Drejtuesit e qëndrës thonë se personat e nderlikuar në komplotin për të kryer vrasje të ushtarëve amerikanë në bazën Fort Diks, janë vetëm të ashtuquajtur shqiptarë e myslimanë, pasi ata nuk kanë asgjë të përbashkët as me kombin shqiptar dhe as me fene islame, që predikon paqen dhe tek shqiptarët e Amerikës kultivon mirënjohjen e thellë dhe miqësinë e ngushtë me këtë vend të madh.

XS
SM
MD
LG