Lidhje

SHBA: Shumica e vendeve-anëtare të KS, pro pavarësisë së Kosovës


Ambasadori amerikan, pranë Kombeve të Bashkuara, Zallmai Khalilzad, i tha të enjten Këshillit të Sigurimit se vonesa e vendimit mbi të ardhmen e Kosovës krijon kushtet për shtimin e zemërimit dhe ngecje ekonomike.

Ai tha se misioni i kohëve të fundit i Këshillit në Prishtinë dhe Beograd e ka bindur atë vetë se bisedimet mbi të ardhmen e Kosovës kanë ngecur pa shpresë dhe se është e domosdoshme ndërhyrja e këshilli. “E kuptoj se nuk ka mundësi për kompromis sa i përket çështjes së pavarësisë. Nga këto bisedime nuk mund të dalë asgjë tjetër dhe nuk ekziston ndonjë mundësi në një të ardhme të parashikueshme, që, me kalimin e kohës, të mund të ndryshohet ky polarizim. Nga ana tjetër, mendoj se vonesa përmban mundësi të mëdha për destabilizimin e Kosovës dhe të Ballkanit”.

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane kanë njoftuar synimin e tyre për ta hedhur këtë çështje shpejt në votë në Këshillin e Sigurimit. Ambasadori Khalilzad thotë se jo më larg se të premten mund të paraqitet një projekt-rezolutë zyrtare. Ai thotë se shumica e vendeve-anëtare të Këshillit të Sigurimit e mbështesin rekomandimin e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, që Kosovës t’i jepet pavarësi e mbikqyrur. “Besoj se ekziston sasia e duhur e votave për mbështetjen e planit të zotit Ahtisari, nëse Rusia nuk e përdor të drejtën e vetos”.

Ambasadori tha se nuk ka dëgjuar që Rusia të ketë kërcënuar se do të përdorë veton.

Megjithatë, pas pak, ambasadori i Rusisë, Vitaly Çurkin, refuzoi të përjashtonte mundësinë e vetos. Duke folur me gazetarët, ai nënvizoi ndryshimet e papajtueshme, siç u shpreh, ndërmjet elementeve të rezolutës së mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në mbështetje të planit të Ahtisarit, dhe të një pakete elementesh të Rusisë, që bën thirrje për negociata të mëtejshme. “Disa pika në këto elemente duket qartë që nuk mund të pajtohen. Prandaj dhe në tryezë ka dy dokumenta të veçanta. Kështu që kemi një problem të vështirë para nesh. Besojmë se ky problem kërkon negociata të mëtejshme”.

Në të njëjtën kohë, zoti Çurkin tha se Rusia e kupton se “status quo”-ja në Kosovë nuk mund të vazhdojë më. Ai tha se Moska është e përgatitur të pranojë një kalim të kontrollit të administratës së Kosovës nga Kombet e Bashkuara nën Bashkimin Evropian.

Por ai argumentoi se pavarësia do të krijonte një precendent duke shkelur parimin e paprekshmërisë territoriale të një vend-anëtar të Kombeve të Bashkuara. “Ne e kuptojmë dhe vlerësojmë se Bashkimi Evropian është përfshirë tepër aktivisht dhe është përgatitur të ndërmarrë rolin kryesor politik në Kosovë. Kjo nuk na shqetëson. Mund të paramendoj fare lehtë një formulë, në bazë të së cilës, ndërkohë që vazhdojnë bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Bashkimi Evropian merr kontrollin e administratës nga Kombet e Bashkuara. Por është problem i një rëndësie të gjerë ndërkombëtare dhe është krijuar një situatë ku, kurrë më parë, për një pjesë të një vendi, një rajoni autonom, të jetë propozuar dhënia e pavarësisë dhe, sa u përket kushteve të së drejtës ndërkombëtare, kemi të bëjmë me një kufi të patolerueshëm”.

Mbështetësit e pavarësisë e quajnë Kosovë rast të veçantë për shkak të gjenocidit që ndodhi në fund të viteve 1990, duke çuar në shpërbërjen e Jugosllavisë. //az//

XS
SM
MD
LG