Lidhje

Projekt-rezoluta për Kosovën në Këshillin e Sigurimit


Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane paraqitën projekt rezolutën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit që propozon pavarësi të mbikqyrur. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Sean McCormack tha sot se rezoluta i hap rrugën pavarësisë së Kosovës.

Këshilli i Sigurimit tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit duhet të veprojë me shpejtësi për çështjen e Kosovës. Pas 8 vjetësh nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, dhe pas një vit e gjysmë negociatash, ka ardhur koha për të zgjidhur statusin e Kosovës, tha ai.

Zyrtarët amerikanë thonë se presin që rezoluta të hidhet në votë brenda këtij muaji. Sipas ambasadorit amerikan në OKB-së Zalmai Khalilzad, shumica e vendeve të Këshillit të Sigurimit e mbështesin planin Ahtisari.

Rusia ka shprehur kundërshtime të forta ndaj planit por nuk është shprehur qartë në se do t’i vërë veton rezolutës. Ambasadori rus në OKB, Vitaly Çurkin tha dje se mes planit amerikano-evropian dhe atij rus ka elementë të papajtueshëm. Rusia ka paraqitur një propozim alternativ që kërkon vazhdimin e bisedimeve.

Zëdhënësi McCormak tha sot se Shtetet e Bashkuara janë duke bërë konsultime intensive me Rusinë, por ai shtoi se nuk ka më vend për bisedime. Zoti McCormak tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin përfundimet e të dërguarit të pëosaçëm për Kosovën, Marti Ahtisari, se bisedimet e mëtejshme, nuk do të jenë në gjendje të kapërcejnë dallimet thelbësore mes Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës.

Nënsekretari i Shtetit Nicholas Burns, i cili ishte sot në Zagreb për takimin e krerëve të shteteve të vendeve të Evropës Juglindore, i bëri thirrje Rusisë të mbajë një qëndrim konstruktiv. “Rusia duhet të luajë një rol konstruktiv. Por Rusia duhet ta kuptojë se ishin Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, ushtarët e tyre që për 8 vjet mbajtën aty paqen. Kemi qënë ne që mbështetëm politikisht dhe ekonomikisht popullin e Kosovës dhe ne do të jemi po ne, që do të qëndrojmë në Kosovë edhe pas statusit”, tha zoti Burns.

Këtu në Uashington, zëdhënësi McCormak tha sot se çdo vonesë e mëtejshme për zgjidhjen e statusit do ta bënte më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje. Sipas zyrtarëve amerikanë rezoluta e re do të shfuqizojë rezolutën12-44 dhe do t’i hapë rrugën autoriteteve vendase në Kosovë të shpallin pavarësinë. Pavarësia do të njihej më pas nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Ndërkohë i dërguari i OKB-së për Kosovën Marti Ahtisari i tha sot Zërit të Amerikes se ai shpreson që Këshilli i Sigurimit do ta miratojë planin e tij për pavarësinë e mbikqurur. Plani tha ai gëzon mbështetje të gjerë. Zoti Ahtisari ndodhet në New York këto ditë për konsultime rreth statusit të Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG