Lidhje

Italia i bën thirrje Shqipërisë të bashkëpunojë në kapjen e keqbërësve


Shqipëria duket se është kthyer në një strofkullë të rehatshme për kriminelët shqiptarë të cilët kryejnë krime në Itali, trafiqe droge e prostitucioni dhe më pas kthehen të jetojnë lirisht në vendin e tyre pa u prekur nga askush.

Për këtë temë është folur shpesh, por të dhënat e ofruara të premten nga zëvendësministri i drejtësisë italiane, Alberto Maritati, gjatë takimit me ministrin shqiptar të drejtësisë, Ilir Rusmali, ishin tronditëse. Ai dha një listë të saktë me të paktën 210 emra shqiptarësh, të cilët janë shpallur në kërkim në Itali e që ndërkohë vazhdojnë të bëjnë jetë normale në Shqipëri. Zyrtari italian kërkoi nga autoritetet shqiptare arrestimin e të paktën 70 prej tyre, për të cilët gjykatat italiane kanë dhënë vendim të formës së prerë duke i dënuar. Kjo çështje e diskutuar gjatë, në takimin e së premtes, ka rihapur konfliktin e vjetër tashmë, që ekziston me prokurorinë shqiptare, përplasjen e fortë mes qeverisë dhe Prorkuorit të Përgjithshëm, i akuzuar pikërisht për një luftë të dobët ndaj krimit të organizuar.

Në të vërtetë kjo luftë e brendshme në Shqipëri ka qenë me pasoja jo të vogla në bashkëpunimin me autoritetet e drejtësisë italiane. Për vite me radhë antimafia italiane ka punuar ngushtë me prokurinë shqiptare. Por tashmë po bëhen gati dy vjet që këto marrëdhënie kanë shkuar thuajse drejt zeros. Këtë situatë e pranoi edhe zyrtari italian Maritati, i cili ka ardhur më parë në Shqipëri, edhe si një nga drejtuesit e antimafies italiane dhe e njeh shumë mirë situatën e kriminalitetit e veçanërisht atë që vepron mes dy vendeve: “Nëse Shqipëria, organizimi i saj politiko-shoqëror nuk gjen shpejt një zgjidhje për problemet e veta brenda një kohe të shkurtër kjo mungesë zgjidhjeje pasqyrohet në mënyrë të pashmangshme në komunikimin dhe përqasjen e institucioneve italiane të cilat me kujdes qëndrojnë mënjanë. Ndaj ne duhet të bëjmë të mundur që italianët të mos kenë më frikë se gabojnë apo se përfshihen në një konflikt i cili nuk duhet t’iu përkasë atyre”, sqaroi zoti Maritati.

Në takimin e djeshëm ai paraqiti një propozim të hershëm italian për ngritjen e bërthamave të përbashkëta policore italo-shqiptare për të kryer hetime të përbashkëta, si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali. Sipas tij, kjo duhet të jetë përgjigja për kriminelët të cilët, nga ana e tyre, funksionojnë me një organizim të përkryer: "Keqbërësit lëvizin lirisht, zbarkojnë në brigjet shqiptare apo ato italiane, lidhin marrëveshje me njëri tjetrin, arrijnë të përcaktojnë me saktësi përqindjet e fitimit dhe interesit, shkelin ligjin italian, shkelin ligjin shqiptar, te drejtat e personave. Vrasin, grabisin, tregtopjnë droigë dhe qënie njerëzore dhe per kete nuk kanë nevojë të kalojnë në asnjë pikë doganore. Pra ky është një ndërkombëtarizim tërësisht funksional i këtij sistemi. Kundërpërgjigjia shtypëse gjyqësore, ajo pra që duhet të zbatojnë vendet për të luftuar këtë aktivitet kriminal është e ende ngadaltë".

Zoti Maritati shpjegoi se kriminaliteti shqiptar ka ardhur duke u perfeksionuar. Ashtu si dhe grupet e tjera kriminale të cilat forcohen dhe sofistikohen, edhe ai shqiptar, saktësoi zoti Maritati, ka nisur të punojë nën dhe, por duke u rritur. //az//

XS
SM
MD
LG