Lidhje

Ekspozitë me vepra arti që sfidojnë "bukurinë"


Kultura perendimore është e dhënë shumë pas bukurisë dhe famës, ku shpesh vihet shenja e barazimit midis të qënurit tepër elegante (nën peshë)dhe tërheqëse. Media dhe industria e modës shpesh e përjetësojnë këtë mit. Por ndalimi për modelet nën peshë gjatë Javës së Modës në Madrid ka bërë që shumë analistë të reflektojnë se cila duhet të jetë masa e dobësisë? Një ekspozitë e fundit arti në Nju Jork, e titulluar Bukuria e Rezikshme i hedh një vështrim idealit të shoqërisë për bukurinë.

Bukuria e Rrezikshme, një ekspozitë në Muzeun Chelsea të Artit në Nju Jork sfidon nocionin e shoqërisë për bukurinë. Duke ecur nëpër ekspozitë vizitorët vihen përballë peshores së Jacob Dahlgren-it. Përgjegjësi i muzeut Manon Slome thotë se synimi i ekspozitës është të krijojë një farë ankthi për audiencën.

“Njerëzit kanë frikë të peshohen në publik dhe kjo është arësyeja që e vendosa peshoren në hyrje të ekspozitës për të krijuar sensin e ankthit që mendoj se është rezultat i krijuar nga industria e bukurisë”.


Punimet vijnë nga lloje të ndryshme të medias: piktura, skulptura, fotografi dhe video që synojnë të provokojnë, të trondisin dhe me një fjalë t’i sfidojnë vizitorët. Puna në dru me vaj dhe akrilik e Tom Sanfordit pasqyron pikërisht fenomenin e anoreksisë tek të famshmit.


Videoja e Joshua Neusteinit regjistron dietën ekstreme të një modeleje shumë të hollë. Fotografitë e Orlanit vendosin në kronikë 40 ditët e famshme para operacionit të implantimit. Videoja e artistes Daniella Dooling “Whirling” luhet ndërsa paraqitet xhaketa që ajo vishte e mbuluar me thonj fallco.

Përgjegjësi i muzeut Manon Slome: “jo është një xhaketë force që përdoret në një institucion psikiatrik dhe me të cilin është i lidhur ky person, që është i mbuluar me 10 mijë thonj artificialë. Është interesante pasi kjo vepër arti quhet këmishë, veshmbathje femërore e periudhës viktoriane. Pra kemi një lloj shkëputjeje midis titullit të veprës dhe realitetit”.

Zoti Slome thotë se ekspozita përpiqet të trondisë themelet e perceptimeve të tilla.

“Mendoj se njerëzit vriten si emocionalisht edhe fizikisht në përpjekje për të mbajtur standarte jorealiste të bukurisë, veçanërisht në këtë kohë. Përse duhet të kufizohemi në këtë nocion steriotip të bukurisë?”

Shumë vizitorë si Elizabeth Beahm, e vlerësojnë këtë mesazh: “Ekspozita më ka bërë të ndjehem më mirë me veten, me këtë që jam, me trupin që kam. Është OK të jesh e moshuar, të kesh rudha në fytyrë dhe pak bark. Nuk dua të dukem si këto gra, si manekine”.

Të gjitha modelet torturohen nga uria në ndjekje të ëndrës së tyre. Haidis thotë: “Kam qënë gjithmonë shumë tërheqëse, shkoj në palestër, marr mësime boksi dy herë në javë. Më pëlqen të vrapoj në fundjavë. Kam një shtëpi në Pensilvani, zakonisht bëj 10 kilometra në ditë dhe qëndrojë shumë aktive. Dieta nuk funksionon për mua, nuk e mbaj dot”.

Schiling, një tjetër modele thotë: “Ka gjithmonë klientë të caktuar për tipe të caktuara vajzash. Klientët gjithmonë i gjen pavarësisht nga pamja që ke. Nëse nuk i gjen dot, atëherë duhet të bësh diçka tjetër pasi nuk mendoj se ja vlen të dëmtosh veten për asgjë”.

XS
SM
MD
LG