Lidhje

Gripi i shpendëve në krye të rendit të ditës në asamblenë botërore të shëndetit

  • Liza Shlajn

Çështja e këmbimit të të dhënave studimore mbi gripin e shpendëve mund të bëhet tema më e debatueshme dhe që ndoshta do të sabotojë rendin e ditës në takimin e sivjetëm të Asamblesë Botërore të Shëndetit. Mbledhja e përvitshme e 193 qeverive që hapet të hënën në Gjenevë, do të diskutojë mbi mënyrat për të luftuar një epidemi të mundshme të gripit të shpendëve. Megjithatë, do të shqyrtohen edhe probleme të tjera globale të shëndetit.

Organizata Botërore e Shëndentit ka punuar fort për t’i bindur vendet që të përgatiten për një epidemi të mundshme të gripit të shpendëve, e cila mund të shkaktojë vdekjen e miliona vetëve. Bashkëpunimi ndërmjet vendeve, në përpjekje për të shmangur këtë rrezik botëror, po shtohet.

Por një mosmarrëveshje në lidhje me shpërndarjen e mostrave të gripit të shpendëve kërcënon të pengojë shumë prej këtyre përparimeve. Indonezia është një nga vendet më të prekura. Zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetit, Ian Simpson, thotë se ekziston shqetësim i madh në lidhje me mungesën e vullnetit nga ana e këtij vendi për t’ua transmetuar të dhënat e veta edhe vendeve të tjera. “Është tepër e rëndësishme që të gjitha qeveritë të shpërndajnë mostrat e virusit në mënyrë që këto të shërbejnë për botën për të ndjekur zhvillimin e gripit të shpendëve dhe për të ndjekur daljen e një varjeteti gripi që mund të shkaktojë epidemi. Prandaj, është me të vërtetë një pronë e përbashkët tepër e rëndësishme në shkallë botërore dhe shpresojmë që në këtë mbledhje të arrihet marrëveshje”.

75 vetë kanë humbur jetën nga virusi i gripit të shpendëve H5N1 në Indonezi. Praktika ndërkombëtare e shpërndarjes së mostrave të gripit tek njerëzit vendeve të tjera konsiderohet e rëndësishme për kërkimet mbi vaksikën.

Qeveria indoneziane ndali në dhjetor praktikën e dhënies së msotrave të virusit nga frika se kompanitë farmaceutike do të arrinin të prodhonin vaksinën, e cila do të ishte e kushtueshme për vendet e varfëra. Në mars Indonezia ra dakord t’i kalonte mostra të virusit Organizatës Botërore të Shëndetit. Por deri tani nuk i ka dërguar asgjë.

Zëdhënësi Simpson thotë se me këtë çështje delikate lidhet një problem tjetër: marrëdhënia ndërmjet shëndetit publik dhe pronës intelektuale. Ai thotë se ekzistojnë ndryshime të mëdha në qendrimet e atyre që besojnë në forcimin e shëndetit publik si diçka jetike dhe atyre që mbrojtjen e pronës intelektuale e shohin si më të rëndësishme. “Si Organizatë Botërore e Shëndetit, ne i vlerësojmë të dy këto aspekte. Jemi tëvetëdijshëm se është e rëndësishme që njerëzit të mund të sigurojnë ilaçe me çmime të përballueshme, por gjithashtu e dimë se, nëse nuk mbrohet prona intelektuale, nuk do të kemi investime në zhvillimin e mekanizmave të së ardhmes, për të cilat kemi aq shumë nevojë. Kështu që na duhet t’u japim përgjigje të dyja shqetësimeve”.

Ministrat përkatës në asamblenë botërore të shëndetit do të diskutojnë gjithashtu mbi përparimin që është bërë drejt zhdukjes së poliomelitit. Organizata Botërore e Shëndetit pritet gjithashtu të kërkojë për fonde të tjera për të përfunduar punën në katër vende ku ka ende epidemi të poliomelitit.

Do të diskutohet edhe mbi probleme të tjera, si kanceri, sëmundjet e zemrës, kontrolli i tuberkulozit, si dhe virusi HIV e sida. Organizata Botërore e Shëndetit do t’i kërkojë gjithashtu asamblesë të miratojë një rritje prej 15 përqind të buxhetit të saj global. Ajo kërkon një buxhet prej 4,2 miliardë dollarë për vitet 2008-2009. //az//

XS
SM
MD
LG