Lidhje

Analistët: OKB po dështon në mbrojtjen e të drejtave të njeriut


Analistët perëndimorë pohojnë se përpjekjet kohëve të fundit nga ana e OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë karakterizuar nga dështime ose mosveprime. Ata argumentojnë se edhe shkeljet më të rënda të lirive kanë marrë dënime të lehta. Për këtë arsye Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, u zëvendësua vitin e kaluar me Këshillin e OKB-së për të Drejtet e Njeriut, si forumi më i lartë i të drejtave të njeriut në kuadrin e sistemit të OKB-së. Tani shtrohet pyetja, nëse këshilli i ri është më efektiv se komisioni i mëparshëm, i diskredituar.

Në mars të vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me 170 vota pro dhe 4 kundër, formimin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Votimi synonte zëvendësimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, i cili sipas shteteve anëtare nuk mundi të mbronte të drejtat themelore dhe liritë bazë të njeriut. Shtetet e Bashkuara ishin njëri nga 4 shtetet që votuan kundër formimit të Këshillit të ri.

Shtetet e Bashkuara argumentuan se struktura e Këshillit të krijuar nuk ishte e pajisur me mekanizmat e nevojshme për të mos lejuar që Këshilli me 47 anëtarë të kontrollohej nga shtete që shkelin të drejtat e njeriut. Një vit pas formimit të Këshillit të ri, Mark Lagon, zyrtar i lartë pranë Departamentit të Shtetit, thotë se nuk janë shënuar përmirësime në krahasim me Komisionin e diskredituar.

“Nuk ka asnjë fushë, ku Këshilli ka shënuar përmirësime në krahasim me Komisionin”, - thotë ai.

Zoti Lagon thotë se forumi i OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është ende i politizuar dhe jofunksional. Në këtë forum përfshihen shumë shtete që shkelin të drejtat e njeriut, si Kina, Kuba, Arabia Saudite, Tunizia, Pakistani dhe Rusia. Shuma të mëdha shpenzohen për takime dhe jo për të përmirësuar të drejtat e njeriut, thotë zoti Lagon. Më 17 maj do të pranohen edhe 14 anëtarë të rinj. Edhe këtë herë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të mos kandidojnë për të patur një vend në Këshill. Mark Lagon shpjegon:

“Ne nuk dëshirojmë t’i japim besimin një institucioni i cili nuk e ka fituar ende këtë besim”,- thotë ai.

Ndër kandidatët e këtij viti për një vend në Këshillit e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, janë edhe Bjellorusia dhe Katari, vende të cilësuara si jo të lira, sipas raportit të organizatës Freedom House.

Zoti Lagon thotë se kandidatura e Bjellorusisë për të marrë pjesë në Këshill ka shkaktuar shqetësime të mëdha për Shtetet e Bashkuara. Bjellorusia cilësohet gjerësisht si diktatura e fundit në Evropë. Freedom House e cilëson Bjellorusinë si një vend jo të lirë dhe thotë se qeveria e presidentit Llukashenko ka paralizuar opozitën, i ka vënë fre medias dhe shkel vazhdimisht të drejtat bazë të qytetarëve.

Doki Fasihinian nga një organizatë joqeveritare që përpiqet të përhapë shoqëritë demokratike, thotë se mbi 40 grupe për të drejtat e njeriut në mbarë botën u kanë bërë thirrje vendeve anëtare të OKB-së për të mos pranuar kandidaturën e Bjellorusisë.

“Ne mendojmë se do të ishte gabim i madh pranimi i Bjellorusisë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe po punojmë për ta parandaluar. Në dhjetor, Asambleja e Përgjithshme e dënoi qeverinë e Bjellorusisë dhe do të ishte tragjike që 5 muaj më vonë Bjellorusia të pranohet në Këshillin për të Drejtat e Njeriut",- thotë ai.

Shtete, ndaj të cilave janë vendosur sanksione nga Këshilli i Sigurimit mund të pranohen në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Ky Këshill varet nga Asambleja e Përgjithshme me 192 anëtarë, e cila zgjedh anëtarët e rinj me votë të fshehtë dhe me shumicë të thjeshtë.

Leonard Leo, ish-delegat amerikan në OKB, thotë se disa shtete me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, nuk ngurrojnë të përdorin mënyra të pandershme për të fituar një vend në Këshill.

“Kina për shembull, e ka shndërruar në art praktikën e blerjes së votave nëpërmjet zotimeve për ndihat e huaja”,- thotë ai.

Këshilli i të Drejtave të njeriut ka 6 vende më pak se paraardhësi i tij. Demokracitë perëndimore humbën 3 vende nëpërmjet këtij shkurtimi.//lk

XS
SM
MD
LG