Lidhje

Uashingtoni, Varshava, bisedime për sistemin e mbrojtjes nga raketat


Polonia dhe Shtetet e Bashkuara filluan bisedimet zyrtare lidhur me planin amerikan, që ka ngjallur debate, për dislokimin pjesërisht të një sistemi amerikan për mbrojtjen nga raketat në territorin polak.

Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Loftis, u takua sot në Varshavë me zyrtarë polakë të mbrojtjes. Zëdhënësi i ambasadës amerikane, Andrew Shilling, e karakterizoi takimin si një fillim të mirë, ku u shkëmbyen ide se si të vazhdohet me negociatat në të ardhmen. Një raund tjetër i lartë bisedimesh është caktuar për javën e ardhshme me pjesëmarrjen e të dërguarit të lartë amerikan, John Rood.

Polonia ka shprehur mbështetje për dislokimin e 10 interceptuesve amerikanë raketash në Poloni dhe të teknologjisë së telekomanduar në Republikën Çeke.

Në një zhvillim tjetër, po sot një grup ekspertësh amerikanë mbërritën në Republikën Çeke për të ekzaminuar një pikë ushtarake ku Uashingtoni synon të instalojë radarë për ndjekjen e raketave me bazë në Poloni. Inspektimet amerikane të bazës në jugperëndim të Pragës pritet të zgjatin gjatë gjithë javës.

Uashingtoni ka thënë në mënyrë të përsëritur se sistemi i raketave ka për qëllim mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tyre nga sulmet e Iranit me raketa. Rusia e kundërshton me forcë këtë plan, duke thënë se sistemi i mbrojtjes nga raketat do të kërcënonte sigurinë e saj. //rd//

XS
SM
MD
LG