Lidhje

Zgjedhja e Nikola Sarkozi errëson shpresat turke drejt BE-së


Zgjedhja e zotit Nikolas Sarkozi në postin e presidentit të Francës u ka dhënë një goditje shpresave të Turqisë për t’u bërë shteti i parë anëtar i Bashkimit Evropian me popullatë kryesisht myslimane. Zoti Sarkozi ka thënë në mënyrë të përsëritur se Turqia nuk ka vend në Bashkimin Evropian.

Ministri i jashtëm Turk, Abdullah Gul, është përkrahës i flaktë i anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. Shumë vëzhgues thonë se ai ishte një nga organizatorët e reformave demokratike të cilat detyruan Bashkimin Evropian të fillonte në vitin 2004 bisedimet për anëtarësim me Turqinë, të pezulluara për një kohë të gjatë. Këto bisedime kanë hasur në pengesa. Problemet më të fundit kanë origjinën tek qëndrimet e ndryshme midis Turqisë dhe qeverisë së Bashkimit Evropian, lidhur me statusin e Qipros.

Por një problem më i thellë po zmadhon armiqësinë në radhët e evropianëve për anëtarësimin e Turqisë. Nokola Sarkozi, i cili u zgjodh president i Francës në fillim të këtij muaji, ka thënë vazhdimisht se vendi i Turqisë nuk është në Bashkimin Evropain. Ai dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kanë propozuar për një partenritet të privilegjuar me qeverinë e Ankarasë, në vend të anëtarësimit me të drejta të plota. Këtij qëndrimi i shtohet edhe gjuha e ashpër e zotit Sarkozi dhe masat e marra ndaj imigracionit në kohën kur mbante postin e ministrit të brendëshëm.

Gjatë protestave të vitit 2005, në lagjet kryesisht myslimane në periferi të Parisit, zoti Sarkozi shokoi publikun duke i quajtur protestuesit të pagdhendur dhe fundërrina. Ministri i jashtëm turk, Abdullah Gul, thotë se Turqia nuk do të pranojë kurrë një status të dorës së dytë. Ai shton se zoti Sarkozi me kohë do të çmojë vlerën e Turqisë.

“Në radhë të parë e përgëzoj zotin Sarkozi. Ai është tani president i Francës. Jam i sigurt se me kalimin e kohës ai do të bëjë një vlerësim më të mirë të Turqisë,” thotë zoti Gul.

Çengiz Aktar është një akademik i specializuar mbi çështjet evropaine që banon në Turqi. Ai është shumë pesimist, duke u shprehur se shpresat e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian janë më të vogla se asnjëherë më parë.

“Procesi i anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian ka marrë një goditje të rëndë dhe do të marrë kohë, energji dhe shumë imagjinatë për të përparuar përsëri. Kjo do të varet shumë nga ana e Bashkimit Evrpoian. Nuk shikoj se si do të jetë e mundur që dyshja Merkel – Sarkozi do të bëjë të mundur një përparim, sepse ata nuk shikojnë me sy të mirë anëtarësimën e Turqisë në Bashkimin Evropian dhe do të bëjnë të pamundurën për ta bllokuar,” thotë akademiku.

Duke shtuar vështirësitë e Turqisë për anëtarësësim, disa vende, përfshirë Francën, janë shprehur se edhe pas përfundimit të negociatave të anëtarësimit do të organizojnë një referendum për miratimin e një anëtarësimi të mundëshëm.

Ministri i jashtëm Gul thotë se Turqisë do t’i duhet të punojë shumë për të fituar opinionin publik evropian. Ai shton se e kupton që evropianët ngurrojnë të pranojnë një vend mysliman me popullsi prej 72 milionë banorësh dhe në këtë mënyrë është i gatshëm të tregojë durim.

“Në radhë të parë ne nuk kërkojmë të jemi një pengesë për Bashkimin Evropian. Ne kërkojmë që fillimisht të japim kontributin tonë dhe më pas të gëzojmë përfitimet. Në të kundërt evropianët nuk do të jenë dakord me anëtarësimin tonë,” thotë ministri i jashtëm turk.

Shumë turq nuk besojnë se vendi i tyre do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Gjatë një vale protestash që kanë përfshirë vendin javët e fundit, një nga parullat ishte “Jo Amerikës” dhe “Jo Bashkimit Evropian.” Zoti Aktar thotë se përhapja e ndjenjave anti-evropaine ka shkaktuar reagimin përsëri të ushtrisë, si asnjëherë më hapur se më 27 prill, kur paralajmëroi se do të ndërhynte me pretendimin se u kërcënua sistemi laik i vendit.

“Kam frikë se ultimatumi i ushtrisë në mbrëmjen e 27 prillit është shembulli më i qartë i rënies dhe zhdukjes së dinamikave evropiane në këtë vend.”

Me sa duket, pa marrë parasysh pengesat, ministri i jashtëm turk Abdullah Gul, këmbëngul se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet varianti më i mirë i Turqisë për të arritur në nivelin e një demokracie të tipit perëndimor. Është kjo arsyeja që Partia e tij Drejtësi dhe Zhvillim, do të zhvillojë një fushatë duke u bazuar tek një platformë pro evropiane përpara zgjedhjeve parlamentare të 22 korrikut. //ad//

XS
SM
MD
LG