Lidhje

Kosova dhe mbrojtja nga raketat dy çështje divergjencash mes SHBAsë dhe Rusisë


Sekretarja amerikane Shtetit Kondoliza Rajs dhe Presidenti rus Vladimir Putin ranë dakord t’i lehtësojnë tensionet dhe ta ulin retorikën e ashpër, por pas dy ditë bisedimesh në Moskë për një gamë të gjerë çështjesh, mes dy vendeve mbeten ende mosmarreveshje të mëdha për programin e mbrojtjes nga raketat dhe Kosovën. Në përfundim të vizitës së saj në Moskë, zonja Rajs dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhanë një konferencë shtypi ku diskutuan këto dhe çështje të tjera.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, mori dje garanci nga Presidenti rus, Vladimir Putin se Rusia do të zbutë retorikën për të përmirësuar marrëdhëniet e tendosura me Shtetet e Bashkuara, por të dy palët nuk bënë asnjë lëshim për çështjet kryesore si sistemi mbrojtës nga raketat dhe Kosova.

Zonja Rajs tha se asnjë vend nuk mund t’u vërë veton planeve amerikane për sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropë, plane të cilat Rusia i kundërshton me forcë.

Ajo tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin planin e Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, ide të cilën Rusia po ashtu e kundërshton.

Zonja Rajs dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavror, dhanë një konferencë të përbashkët shtypi dje, ku atyre iu bënë pyetje të shumta për çështjet që të dy vendet kanë mosmarrëveshje të thella.

Ata theksuan aspektet e bashkëpunimit Amerikë-Rusi, përfshirë luftën kundër terrorit dhe përpjekjet për të ndaluar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Zoti Lavror tha në konferencën e shtypit se ka patur gjithmonë çështje për të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë mbajtur qendrime të kundërta.

“Nuk është e mundur që dy vende të mëdha, të jenë dakord me njeri tjetrin plotësisht dhe për gjithçka”.

Zoti Lavror tha se Rusia beson se sistemi evropian i raketave është kërcënues për sigurimin e saj.

Sekretarja Rajs ishte për një vizitë dy ditëshe në Moskë në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet amerikano-ruse para takimit të planifikuar për muajin e ardhëshëm mes Presidentit Putin dhe Presidentit George Bush në takimin e nivelit të lartë të tetë vendeve më të industrializuara në Gjermani.

Megjithatë, ajo nuk la aspak dyshime se Shtetet e Bashkuara do të heqin dorë nga planet e tyre për sitemin evropian të raketave.

"Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë dakord për planet e tanishme për dislokimin e raketave mbrojtëse, megjithatë po vazhdojnë diskutimet mes tyre. Do të kalojë mjaft kohë deri sa ky sistem të bëhet realitet. Ne e vlerësojmë sëtepërmi mundësinë për ta diskutuar këtë çështje me Rusinë dhe për të biseduar për kërcënimet që mund të paraqiten”.

Lidhur me Kosovën, Rusia është kundër pavarësisë pasi thotë se ajo mund të shërbejë si shembull për disa republika ruse dhe ish ruse. Zonja Rajs dhe zoti Lavror thanë se nuk është arritur ndonjë rezultat për ngushtimin e divergjencave. //iç//

XS
SM
MD
LG