Lidhje

Uizner:SHBA duan që rezoluta për Kosovën të miratohet sa më shpejt


I dërguari i posaçëm amerikan për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner, ritheksoi edhe njëherë qëndrimin amerikan pro-planit të zotit Ahtisari, që parashikon pavarësi të mbikqyrur për Kosovën. Zoti Wisner tha se qeveria amerikane kërkon miratimin e rezolutës sa më shpejt që të jetë e mundur në Këshillin e Sigurimit, por ai nuk pranoi të shprehet për një afat konkret kohor.

Zëri i Amerikës: Ambasador Uizner, Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs u takua në Moskë me Presidentin Putin dhe Ministrin e Jashtëm Lavrov. A u arrit ndonjë përparim për çështjen e Kosovës?

Ambasador Uizner: Me informacionet e deritanishme, Sekretarja e Shtetit pati diskutime të plota dhe të hapura për Kosovën. Pala ruse ngriti shqetësimet e saj, që janë tashmë të njohura. Nga ana jonë ne e bëmë të qartë se kjo është koha për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Puna në Këshillin e Sigurimit duhet të vazhdojë. Ne dhe rusët duhet të shohim me kujdes zhvillimet që kemi përpara, duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe bazën e përbashkët për të miratuar rezolutën që do të zgjidhte statusin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se tani është koha për të zgjidhur çështjen e statusit të Kosovës. A vazhdon qeveria amerikane t’i përmbahet ende afatit të fundit të majit për të hedhur në votë rezolutën në Këshillin e Sigurimit.

Ambasador Uizner: Qeveria amerikane ka mbajtur gjithmonë të njejtin qëndrim, duke mbështetur planin e zotit Ahtisari, që ai të sigurojë mbështetjen ligjore në Këshillin e Sigurimit, dhe që rezoluta të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë do të dëshiroja që rezoluta të miratohej deri në fund të muajit, por do të ishte gabim të përcaktohej një datë të konkrete. Ne po e trajtojmë çështjen e Kosovës, me urgjencën më të madhe.

Zëri i Amerikës: E qartë por, a mendoni se mund të ketë vonesa për hedhjen e saj në votë?

Ambasador Uizner: Unë do e shikoja çështjen ndryshe. Synimi është të sigurohet miratimi i rezolutës pa vonesa, menjëherë sa të arrihet konsensusi në Këshillin e Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Grupi Ndërkombëtar i Krizave, botoi një raport të ri para dy ditësh dhe një prej rekomandimeve është që të vendoset një moratorium prej dy vjetësh, para se Kosova të ketë të drejtë të kërkojë anëtarësi të plotë në Kombet e Bashkuara. A po shqyrtohet një propozim i tillë?

Ambasador Uizner: Jo, nuk po shqyrtohet. Për momentin nuk po flitet për anëtarësi në OKB-ë. Ne jemi përqëndruar në miratimin e rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Elementët e saj janë tashmë të njohur, projekt-rezoluta, bazuar në elementët e planit Ahtisari po shqyrtohet. Anëtarësia në OKB-së është një çështje tjetër që zakonisht i nënshtrohet një debati të veçantë në Ksëhillin e Sigurimit dhe pastaj shkon për votë në Asamblenë e Përgjithshme. Por kjo është një çështje tjetër.

Zëri i Amerikës: A egziston mundësia që projekt-rezolutës së paraqitur t’i bëhen ndryshime dhe ky rekomandim të përfshihet në të?

Ambasador Uizner: Kjo është një teori spekulluese dhe për momentin nuk po merret në shqyrtim.

Zëri i Amerikës: Ka një çështje tjetër, që deri tani askush nuk pranon t’i japë përgjigje, por unë po jua shtroje edhe juve. Çdo të ndodhë në se Rusia i vë veton rezolutës?

Ambasador Uizner: Unë nuk mund të spekulloj që një gjë e tillë do të ndodhë. Unë besoj se ka arësye të mjaftueshme që Rusia të mos i verë veton, që Rusia të njohë interesin që kanë evropianët dhe amerikanët për të çuar deri në fund një çështje që kërkon drejtësi, për t’i dhënë Kosovës statusin përfundimtar. Ne kemi punuar me rusët prej më shumë se një viti. Unë dua të mendoj se ky bashkëpunim do të ketë një përfundim pozitiv.

Zëri i Amerikës: Këto ditë, gjithë vëmendja është përqëndruar tek projekt-rezoluta dhe mundësia e vetos nga Rusia. Por unë dua t’ju pyes për çështjen e Mitrovicës. A do të arrijë të integrohet ajo me Kosovën? A nuk mund të thonë edhe banorët serbë atje, siç thoni ju sot për Kosovën, le të pranojmë de jure atë që po ndodh de fakto, pra ndarjen e saj nga Kosova?

Ambasador Uizner: Mitrovica nuk është jashtë Kosovës. Kosova është Kosovë, ne të gjithë i njohim kufijtë e saj, Mitrovica, territoret në veri të lumit Ibër janë pjesë e Kosovës, ka qënë gjithmonë pjesë e paketës së Kosovës. Grupi i Kontaktit e ka pranuar që në fillim parimin e ruajtjes së territorit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje e fundit, si do të vazhdojë procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës. Supozojmë se rezoluta do të miratohet, çdo të ndodhë më tej? (kosova do të shpallë pavarësinë...)

Ambasador Uizner: Fillimisht le të miratojmë rezolutën, pastaj mund të bisedojmë përsëri bashkë për hapin tjetër. //ii

XS
SM
MD
LG