Lidhje

Presidenti i ri i Francës bën betimin


Sot në Francë u zhvillua ceremonia e betimit të Presidentit të ri të vendit, konservatorit Nikola Sarcozi, ish-ministër i brendshëm i vendit. Zoti Sarkozi i fitoi zgjedhjet ndaj kandidates rivale, socialistes Segolen Ruajal, në raundin e dytë të zgjedhjeve që u mbajtën në fillim të muajit.

Po sot, ish presidenti Jacques Chirac i dorëzoi pasardhësit të tij kodet e arsenalit bërthamor të Francës ndërsa jashtë Pallatit Elize oshëtinin të shtënat e artilerisë. Në fjalimin që mbajti pas inagurimit të tij, zoti Sarkozi tha se kërkon të bashkojë popullin francez për t’u përballur me sfidat e reja.

Pas ceremonisë, zoti Sarkozi shkoi në Harkun e Triumfit dhe vendosi një kurorë me lule në Varrin e Ushtarit të Panjohur. Presidenti i ri i Francës pritet të shpallë të enjten ose të premten kabinetin e tij.

Ndërkaq, Presidenti i ri i Francës mbërriti në Berlin për bisedime me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Gjatë takimit të tyre sot, ata pritet të diskutojnë mënyrat për të bërë të mundur miratimin e një kushtetute të Bashkimit Evropian. Presidenti Sarkozi ka thënë se dëshiron të zgjidhë një ngecje që u krijua nga votimi në Francë kundër një referendumi mbi kushtetutën në vitin 2005.

Politikani konservator Sarkozi ka bërë thirrje për shkurtimin e taksave, reforma të tregut të lirë dhe lidhje më të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Por si do të ndikojnë këto propozime për ndryshime tek Franca dhe aleatët e saj?

Nikola Sarkozi është një politikan i kontrasteve. Ai është konservator në çështjet e rendit dhe njihet si njeri i ashpër ndaj krimit. Ai beson gjithashtu se Franca duhet të ketë një ekonomi më liberale të bazuar në modelin amerikan dhe atë britanik. Disa njerëz në Francë i mirëpresin idetë e tij, ndërsa të tjerë e akuzojnë atë si autoritar dhe i gatshëm të shkëmbejë liritë civile për përfitime politike.

Robert Lieber është profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Xhorxhtaun këtu në Uashington.

“Ai u zgjodh mbi baza që do të sillnin ndryshime në Francë. Mendoj se është e mundur që ai të ketë sukses".

Zoti Sarkozi ka mbajtur disa poste ministrore, madje ishte ministër i brëndshëm dhe ministër i financave në kohën e paraardhësit të tij, presidentit, Zhak Shirak.

Ai thotë se synon t’i japë një shtytje ekonomisë së Francës, duke zbutur rregullat e tregut të punës dhe duke krijuar vende të reja pune. Por një gjë e tillë do të dobësonte ligjet për mbrojtjen e punëtorëve. Zoti Sarkozi mbështet gjithashtu uljen e ndjeshme të taksave, ndryshimin e sistemit të pensioneve dhe reformimin e sistemit të arsimit të lartë.

Ashtu si Zhak Shiraku, Nikola Sarkazi thotë se nuk do të lejonte hyrjen e Francës në luftën në Irak. Megjithatë ai thotë se shpreson të përmirësojë marrëdhëniet amerikaneo-franceze. Ai tha në fjalimin e tij të fitores se Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten tek miqësia e Francës. Presidenti Xhorxh W. Bush thotë se, megjithë mosmarrëveshjet e tyre, ai mezi pret të punojë me zotin Sarkozi. Profesor Lieber mendon se me zotin Sarkozi në pushtet, Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të pasura në Evropë do të bashkëpunojnë më mirë.

“Shtetet e Bashkuara do të kenë partnerë në Evropë, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, vende këto që do t’i bëjnë të njohura pikpamjet e tyre kur nuk janë dakord me Shtetet e Bashkuara. Por kjo gjithnjë do të bëhet duke mos haruar faktin se këto vende janë aleatë, me vlera, besime dhe interesa të përbashkëta".

Babai i zotit Sarkozi është imigrant nga Hungaria, ndërsa nëna e tij është franceze. Ai thotë se dëshiron të reformojë sistemin e imigracionit për të bërë të mundur hyrjen në vend të punëtorëve më të kualifikuar. Dhe ndërsa ai është përpjekur të ulë tensionet në marrëdhëniet me myslimanët në Francë, ai kërkon të shtypë dhunën në komunitetet myslimane.

“Një sfidë interesante për zotin Sarkozi do të jetë se si do ta trajtojë ai çështjen e imigracionit. Ndërsa përpiqet të shmangë një rritje të ndjeshme të armiqësive, ai do të zbatojë plane për integrimin më të mirë të imigrantëve në shoqërinë franceze si dhe ligjet e imigracionit".

Vendimtare për zbatimin e reformave të presidentit të ri janë zgjedhjet legjislative të muajit të ardhshëm. Partia e tij konservatore, Unioni për një Lëvizje Popullore, ka një shumicë të madhe në të dyja dhomat e parlamentit. Dhe që zoti Sarkozi të jetë në gjendje të zbatojë reformat e tij ambicioze, partia e tij duhet të ruajë shumicën në parlament.

Dje, Presidenti Zhak Shirak i dha lamtumirën politikës, duke i bërë thirrje popullit francez që të qëndrojë i bashkuar. Ai tha se ka në plan t’i kushtohet zhvillimit të qëndrueshëm dhe nxitjes së dialogut mes kulturave të ndryshme. Ai tha se do të vazhdojë të jetojë në Paris. //ze//

XS
SM
MD
LG