Lidhje

Parlamenti i Serbisë miraton qeverinë me 133 vota pro, 106 kundër


Parlamenti i Serbisë votoi mbrëmë duke miratuar qeverinë e re pro-demokratike dhe duke shmangur kështu një sfidë të ultranacionalistëve anti-perëndimorë si dhe një afat, që kërcënonte inaugurimin e saj.

Kabineti qeveritar u mbështet me 133 vota pro dhe 106 kundër vetëm gjysëm ore para para afatit të fundit në mesnatë.

Në se afati kushtetutor do të kishte kaluar, kjo do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke u sjellë përfitime radikalëve, që përbëjnë tashmë grupin më të madh në parlament.

Konservatorët, që sunduan me ish presidentin Sllobodan Millosheviç nga fundi i viteve 90-të, u përpoqën të shtynin miratimin e qeverisë me debate të gjata dhe me forma të tjera me shpresë për të kaluar afatin.

Vetëm disa orë para votimit, ata ndërprenë seancën e parlamentit pas njoftimeve se policia kishte kryer një operacion të pasukseshëm në një hotel në qendër të Beogradit në kërkim të Ratko Mlladiçit.

Radikalët e konsiderojnë hero lufte Mlladiçin, i akuzuar nga Gjykata e Hagës për gjenecid në masakrën e rreth 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995.

Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian pezulloi bisedimet e anëtarësimit me Serbinë për shkak të dështimit të kësaj të fundit për të kapur Mlladiçin.

Dje, kryeministri i emëruar i Sericë, Vojisllav Koshtunica parashtroi në parlament programin e qeverisë, duke thënë se objektivi i Serbisë është anëtarësia në Bashkimin Evropian, por jo duke humbur Kosovën.

“Serbia ka tani një qeveri të qëndrueshme, të formuar mbi parime, që u pranuan nga tre parti. Serbia ka nevojë për qëndrueshmëri, dhe jam i bindur se pas formimit të qeverisë Serbia do të sigurojë stabilitetin dhe zhvillimin në të ardhmen, pa lënë mënjanë diskutimin në të ardhmen të statusit të Kosovës dhe Metohisë.”

Qeveria e re do të përballet me provën e parë të rëndësishme pas pak javësh, kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë mbi planin Ahtisari.

Zoti Koshtunica ka kërcënuar të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me çdo vend që njeh pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që partneri i tij në koalicionin qeveritar, presidenti pro-perëndimor, Boris Tadiç, ka mbështetur një qëndrim më të moderuar ndaj një krize të mundshme. //ze//

XS
SM
MD
LG