Lidhje

SHBA: Debati i dytë i 10 kandidatëve presidencialë republikanë


Në debatin e tyre më të fundit, që u transmetua nga rrjeti televiziv Fox News, ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, mund ta ketë ndihmuar veten me një deklaratë mbi sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

Zoti Xhuliani iu përgjigj komenteve të kongresmenit të Teksasit, Ron Pol, rreth rrënjëve të sulmeve. Zoti Pol është i vetmi kandidat presidencial republikan, që kundërshton luftën në Irak.

“Ata na sulmuan sepse ne kemi qënë atje. Ne kemi bombarduar Irakun gjatë 10 vjetëve të fundit. Ne kemi qënë në Lindjen e Mesme. Ish presidenti Ronald Regan ishte korrekt kur tha se ne nuk e kuptojmë mungesën e gjykimit të shëndeshë të politikave të Lindjes së Mesme”, tha zoti Pol.

“Kjo është një deklaratë e padëgjuar. Që dikush, i cili përjetoi sulmet e 11 shtatorit 2001, të thotë se ne u bënë shkak për sulmet, sepse po sulmojmë Irakun, nuk mendoj se e kam dëgjuar këtë deklaratë më parë. Dhe unë kam dëgjuar shumë shpjegime tepër absurde rreth atyre sulmeve”, u përgjigj zoti Xhuliani.

Mes kandidatëve republikanë pati raste të tjera të toneve agresive. Senatori i Arizonës, Xhon Mekein, u pyet rreth kundërshtimit të tij për përdorimin e torturës gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm dhe zotimit për të mbyllur burgun, ku mbahen terroristë të dyshuar, në gjirin e Guantanamos në Kubë.

“Përdorimi i torturës do të na bënte që ne të humbisnin po aq shumë në opinionin publik botëror, sa edhe do të fitonim informacion nga tortura. Ne nuk i torturojmë njerëzit.”

Edhe ish guvernatori i shtetit Masaçuset, Mit Romni, u shpreh kundër përdorimit të torturës për të nxjerrë informacion rreth një sulmi të mundshëm terrorist. Por zoti Romni tha se ai është në favor të mbajtjes hapur të burgut në Guantanamo të Kubës dhe të dyfishimit të numrit të të dyshuarve terroristë, që mbahen atje.

Ish guvernatori i Virxhinias, Xhim Gillmor, tha se disa prej kandidatëve më popullorë republikanë përpiqen ta paraqesin veten si më konservatorë sesa janë në fakt.

Zoti Gillmor përmendi mbështetjen e ish kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Xhuliani për të drejtat e abortit si dhe faktin që zoti Romni kishte mbështetur më parë abortin dhe tani e kundërshton atë.

Analisti i çështjeve politike pranë Universitetit të Virxhinias, Leri Sabato, thotë se debati i mbrëmshëm, i dyti mes kandidatëve republikanë, tregoi një gadishmëri të re nga ana e disa kandidatëve për t’i bërë sfidë njeri tjetrit.

“Ata nuk e kishin sulmuar njeri tjetrin më parë, por në debatin e mbrëmshëm, vendosën ta bëjnë këtë dhe si rezultat dolën në pah disa aspekte ndoshta negative, veçanërisht për kandidatët me më shumë popullaritet si senatori Mekein dhe ish guvernatori Romni.”

Anketat e opinionit publik tregojnë se Rudi Xhuliani është në krye të garës mes republikanëve, i pasuar nga senatori Mekein dhe zoti Romni. Shtatë kandidatët e tjerë janë shumë mbrapa.

Por anketat e opinionit flasin gjithashtu për një mbështetje për 2 republikanë të tjerë, që nuk e kanë shpallur kandidaturën: ish senatori i shtetit Tenesi, Fred Tomson dhe ish kryetari i Dhomës së Përfaqësusve, Njut Gingriç nga shteti i Xhorxhias.

Zoti Tomson pritet të vendosë brënda pak javësh nëse do të hyjë në garë ajo jo, ndërkohë që Njut Gingriç ka thënë se do ta marrë vendimin deri në muajin shtator. //ze//

XS
SM
MD
LG