Lidhje

Irak: Arrestohen 16 të dyshuar për çështjen e ushtarëve amerikanë


Ushtria amerikane thotë se trupat irakiane arrestuan edhe 16 persona të tjerë të dyshuar gjatë kërkimit për tre ushtarë amerikanë që mendohet se janë kapur nga militantë të lidhur me al-Kaidën javën e kaluar.

Në një deklaratë të ushtrisë thuhet se forcat irakiane të mbështetura nga këshilltarë ushtarkë amerikanë, i arrestuan të dyshuarit mbi bazën e informacioneve të ardhura nga banorët vendas. Mijra ushtarë janë në kërkim të tre amerikanëve të zhdukur.

Ushtria amerikane ka ofruar një shpërblim prej 200 mijë dollarësh për informacione që çojnë në gjetjen e tyre. Policia irakiane tha ndërkohë se nga shpërthimi i një bombe pranë një ure në Bagdatin juglindor u vranë të paktën dy vetë dhe u plagosën 5 të tjerë.

Sipas policisë, shpërthimi ndodhi sot në mëngjes në afërsi të hyrjes së urës Diyala, e cila ishte dëmtuar javën e kaluar nga shpërthimi i një kamioni bombë. Gjithashtu, një polic irakian u vra nga një shpërthim pranë shtëpisë së tij në qytetin Hillah, rreth 100 kilometra në jug të Bagdatit.

XS
SM
MD
LG