Lidhje

Basha: Shqipëria e palëkundur në mbështetjen për pavarësinë e Kosovës


Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha, i cili po zhvillon një vizitë tre-ditëshe në Kosovë, tha se Shqipëria ka një qëndrim të palëkundur në mbështetje të plotë të pavarësisë së Kosovës. Zoti Basha theksoi se kjo zgjidhje garanton paqen dhe stabilitetin në rajon dhe u hap rrugën integrimeve euro-atlantike të të gjithë vendeve të rajonit. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë bisedoi me udhëheqësit shqiptarë të Kosovës edhe për hapat që janë hedhur dhe vazhdojnë të hidhen për fqinjësinë e mirë midis Shqipërisë dhe shtetit të ardhshëm të Kosovës dhe shprehu mbështetjen për grupin e unitetit, duke bërë thirrje që shqiptarët e Kosovës të flasin me një zë të vetëm. Zoti Basha ka theksuar gjithashtu rëndësinë e jashtëzakonshme që ka miratimi i paketës së kryenegociatorit Ahtisari duke ruajtur integritetin e saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju shprehët mbështetje të fortë për planin Ahtisari dhe për mos-ndryshimin e tij. Ndërkohë, projekt rezoluta, që është duke qarkulluar në OKB mund të pësojë ndryshime. Zyrtari i lartë i departamentit të shtetit Daniel Fried, tha të mërkurën, në Bruksel, pas kthimit nga Moska, se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, po qarkullojnë një rezolutë në OKB-ë dhe jo po e paraqesin. Paraqitja e një rezolute tha ai, nënkupton që ekzistojnë shanse të mira që ajo të miratohet, ndërsa qarkullimi nënkupton që do të vazhdojnë konsultimet dhe konsultimet, nënkuptojnë ndryshime. Nga takimet tuaja me zyrtarët në Prishtinë, a u ngrit edhe ceshtja e ndryshime të mundshme?

Lulzim Basha: Përqasja e diplomacisë shqiptare është në përputhje të plotë me përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për të kaluar në Këshillin e Sigurimit një rezolutë që mbështet paketën e propozuar nga presidenti Ahtisari për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe pavarësimit të saj brenda një kohe të shkurtër. Sigurisht në dinamikën diplomatike, përpjekjet e aleatëve tanë do të gjejnë mbështetje të plotë me qëllim që konsensusi më i gjerë i mundshëm të arrihet dhe rezoluta të miratohet në Këshillin e Sigurimit. Ajo që kam theksuar dhe vazhdoj të theksoj është se paketa Ahtisari paraqet alternativën më të mirë për të kaluar këtë proces nëpërmjet Këshillit të Sigurimit dhe se nuk mund të pësojë ndryshime thelbësore të cilat disintegrojnë thelbin e propozimit të paketës Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, nga ana tjetër zyrtarët amerikanë kanë thënë se Kosova, në një formë ose tjetër do të jetë e pavarur. Gjatë kësaj vizite ju thatë se keni diskutuar edhe për hapat që do të hidhen për fqinjësinë e mirë midis Shqipërisë dhe shtetit të ardhshëm të Kosovës. Si e shikoni ju të ardhmen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës?

Lulzim Basha: Shqipëria ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë edhe në këtë fazë përfundimtare të vendimit të procesit të statusit të gjithë përpjekjet e klasës politike kosovare, të institucioneve të Kosovës për të arritur në përfundimin e procesit me gjakftohtësi, mature dhe durim duke kërkuar unitet, një zë të vetëm në komunikimin me partnerët ndërkombëtarë dhe besim të plotë të qytetarëve të Kosovës në kapacitetet e provuara dhe sprovuara të klasës politike kosovare për t’ja dalë mbanë edhe këtij procesi përfundimtar të përcaktimit të statusit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e klasës politike kosovare në çdo rafsh duke përfshirë dhe theksuar edhe rafshin diplomatik në mënyrë që ky proces të mos zgjatet dhe të përfundojë në përputhje të plotë me parashikimet e komunitetit ndërkombëtar, në përputhje të plotë me axhendën e përcaktuar tashmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe me miratimin e plotë të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, gjatë vizitës ju bëtë thirrje siç u shprehët edhe pak më parë se klasa politike e Kosovës duhet të shprehet me një zë të vetëm karshi komunitetit ndërkombëtar. Pikërisht ditët e fundit ka patur debate në Kosovë lidhur me pjesëmarrjen ose jo në konferencën islamike. Ndërkohë Shqipëria u përfaqësua në këtë konferencë me zëvendës ministren e jashtme Edit Harxhi. A i bashkërendoni ju veprimet për gjëra të tilla me Prishtinës?

Lulzim Basha: Bashkërendimi ynë për këto çështje është i vazhdueshëm dhe kuptimplotë. Sigurisht që arritja në Islamabad e një rezolute ku mbështetet përpjekja e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës nëpërmjet paketës Ahtisari është një ngjarje për tu shënuar veçanërisht kur kjo mbështetje vjen nga 56 vende anëtare të cilat gjithashtu kanë përfaqësimin e tyre në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe në Këshillin e Sigurimit. Një arritje e tillë është përshëndetur tashmë edhe nga autoritetet më të larta kosovare dhe përbën një nga hapat e shumtë që ne hedhim bashkarisht në fushën e diplomacisë bilaterale dhe multilaterale për të sjellë një përfundim të suksesshëm dhe të shpejtë të çështjes së statusit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, kjo ishte vizita juaj e parë në Kosovë si Ministër i Jashtëm. Me çfarë përshtypjesh po largoheni?

Lulzim Basha: Largohem me përshtypje jashtëzakonisht të mira dhe shumë i inkurajuar nga ajo që dihet tashmë, nga një qëndrim i unifikuar i gjithë faktorit politik kosovar, nga një ndërgjegjësim i institucioneve të Kosovës për rolin vendimtar që duhet të vazhdojnë të luajnë në këtë periudhë përfundimtare të përcaktimit të statusit dhe gjithashtu i inkurajuar nga tonet e matura, nga pjekuria, nga zgjuarsia dhe urtësia që karakterizon institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj të cilët bëhen gati për të prekur realizimin e një ëndre shumë shekullore. //rd//

XS
SM
MD
LG