Lidhje

Takimi Rusi-BE pa marrëveshje rreth disa çështjeve përfshi Kosovën


Udhëheqësit rusë dhe të Bashkimit Evropian debatuan ashpër rreth çështjeve të të drejtave të njeriut gjatë një takimi të nivelit të lartë dje në qytetin rus të Samarës ku policia parandaloi zhvillimin e protestave të opozitës.

Takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje dhe pa ndonjë përparim rreth çështjeve mbi tregëtinë, energjinë, sigurinë dhe çështje të tjera që Rusia dhe Bashkimi Evropian kanë qëndrime të kundërta.

Kancelarja gjermane Merkel kritikoi Rusinë për parandalimin e veprimtarëve të opozitës që të vinin në Samara për zhvillimin e një proteste.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se këto masa kishin për synim të parandalonin dhunën. Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje praktikat që demokracitë perëndimore ndjekin për të drejtat e njeriut.

Zoti Putin gjithashtu akuzoi vendet baltike, Letoninë dhe Estoninë për përndjekjen e pakicave rusisht-folëse që banojnë në këto republika.

Kosova ishte ndër temat e takimit të Samarës. Bashkimi Evropian dhe Rusia qëndrojnë të ndarë mbi çështjen e Kosovës. BE-ja ka shprehur shqetësim për kërcënimet e fundit të Moskës, se do të përdorë veton për të bllokuar një rezolutë e cila do të siguronte pavarësi të mbikqyrur për Kosovën.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i tha shtypit britanik se ata që mendojnë se e ardhmja e Kosovës mund të vendoset nga Bashkimi Evropian, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, mbartin instinkte kolonialiste.

XS
SM
MD
LG