Lidhje

SHBA: Fushata presidenciale 2008 ka filluar herët


Fushata presidenciale e vitit 2008 ka filluar herët dhe me intensitet të lartë. Zgjedhjet e ardhëshme presidenciale janë më shumë se një vit e gjysmë larg, por pretendentët nga të dyja partitë politike kanë filluar tashmë fushatën me intensitet për Shtëpinë e Bardhë. Kjo nuk është e papritur për analistët politikë. Kraig Krauford pranë revistës Congressional Quorterly.

“Ky është një vakum pushteti dhe pushteti e do vakumin, prandaj ndjehet kaq shumë nxitim për ta mbushur atë. Gjithashtu edhe shtypi, është treguar mëse i ethshëm për ta mbuluar fushatën kaq herët. Mendoj se ky mbulim duket se e ka nxitur më tepër këtë fushatë”.

Demokratët besojnë se 2008-ta do të jetë viti kur ata do të rifitojnë Shtëpinë e Bardhë, pas 8 vjetësh të mandatit të presidentit Bush. Senatorja e Nju Jorkut, Hillari Klinton, kryeson listën e pretendentëve demokratë, për të fituar kandidaturën brenda partisë dhe ajo e ka bërë përparësinë e saj më të madhe përfundimin e luftës në Irak.

“Në qoftë se presidenti nuk tërhiqet nga Iraku brenda mandatit, unë do ta filloj këtë në ditën kur të inaugurohem si presidente, u shpreh zonja Klinton.”

Tetë pretendentët demokratë kundërshtojnë luftën, por ata kanë mendime të ndryshme për kohën e tërheqjes së trupave nga Iraku.

Senator Barak Obama nga Ilinoi ndodhet në vendin e dytë në anketat e opinionit, menjëherë pas senatores Klinton.

“Ju duhet të shikoni se çfarë bëjnë senatorët tuaj dhe t’u shkruani atyre dhe t’u thonë se ju doni ta mbyllni këtë kapitull të hidhur në Historinë amerikane dhe të filloni një kapitull të ri që i përshtatet fuqisë sonë ushtarake”.

Ish-senatori i Karolinës së Veriut, Xhon Eduards, renditet i treti, së bashku me ish-nënpresidentin Al Gor. Zoti Gor e ka pohuar në mënyrë të përsëritur se nuk do të kandidojë për president. Analisti politik Kreg Krauford, thotë se kjo i krijon një pozitë të favorshme zonjës Hillari Klinton.

“Mendoj se nisur nga pozicionimi i deritanishëm, Hillari Klinton do të jetë presidentja e ardhëshme. Besoj se kjo nuk do të ndryshojë, por momentalisht ajo është e organizuar mirë, jo vetëm për të fituar kandidaturën partiake, por edhe për të marrë presidencën.”

Në anën republikane në garë janë 10 pretendentë për kandidaturën partiake. Nëntë prej tyre mbështetin politikën e presidentit Bush në Irak.

Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, vazhdon të kryesojë sondazhet, kryesisht sepse shumë republikanë e cilësojnë atë si udhëheqës të fuqishëm për sigurinë kombëtare, duke u bazuar tek qëndrimi i tij pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001.

“Nëse doni të ngrini flamurin e bardhë, dhe nëse do t’u caktoni trupave një afat për tërheqje dhe ta shtyni vendin në atë pozitë, kjo për mua do të thotë se ju merrni pozita mbrojtëse”

Në vendin e dytë për listën e republikanëve renditet senatori i shtetit të Arizonës, Xhon Mëkein. Ai është bërë përkrahësi më i madh i strategjisë së re të presidentit Bush në Irak, megjithëse sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve e kundërshtojnë luftën.

“Amerika kurrë nuk duhet të ndërmarrë luftë, nëse ne nuk jemi përgatitur për të bërë gjithçka të nevojëshme për ta fituar atë; nëse ne nuk kemi njjë plan të qartë për sukses. Fillimisht ne nuk e përmbushëm këtë përgjegjësi dhe ky gabim nuk duhet përsëritur më”.

Ndërsa gara vazhdon, dy republikanë të tjerë të njohur prite të paraqesin kandidaturën e tyre; ish senatori Fred Thompson nga shteti Tenesi dhe ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Njut Gingriç.

XS
SM
MD
LG