Lidhje

Indeksi i Kujdesit për Nënën dhe Fëmijën: Shqipëria rezulton dobët


Organizata humanitare Save the Children, Shpëtoni Fëmijët, nxori vlerësimin e saj të parë mbi rezultatet e vërejtura në vende të ndryshme lidhur me kujdesin që i kushtohet shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Shqipëria përfshihet në kategorinë e parë të indeksit, me vendet më të zhvilluara, por renditet e fundit ndër 41 vendet e përfshira në këtë kategori, më poshtë edhe se Bullgaria, Rumania, Moldavia dhe Maqedonia. Shqipëria rezulton shumë dobët në kategorinë e vendeve më të zhvilluara edhe në një prej treguesve kryesorë të përfshirë në raportin e organizatës – numrin e vdekjeve në fëmijët nën moshën 5 vjeç. Ajo renditet e parafundit së bashku me Rusinë me nga 18 vdekje për 1 mijë, ndërsa Rumania renditet e fundit me 19 vdekje për 1 mijë.

Megjithatë, indeksi i sivjetshëm kishte për synim të tërhiqte vëmendjen më së shumti tek vendet në zhvillim ku mungesa e angazhimit qeveritar për programet e shëndetit të nënës dhe fëmijës rezulton në vdekje edhe për sëmundje të kurueshme shumë lehtë. Organizata i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtyre vendeve për të vënë në dukje metodat që po japin më shumë sukses në uljen e vdekshmërisë tek fëmijët nën 5 vjeç.

Egjipti është në krye të listës së vendeve në zhvillim, si rezultat i suksesit që ka arritur në përpjekjet për të ulur vdekshmërinë në foshnja. Ky vend ka arritur që në 15 vitet e fundit të reduktojë në masën 68 për qind numrin e vdekjeve të fëmijëve nën 5 vjeç, si rezultat i programeve të angazhuara për shëndetin e nënës dhe fëmijës.

Specialistja Kethrin Bouls, pranë këtij institucioni thotë se përmirësimi i shëndetit për nënat shtatzëna, praktikimi i lindjeve me praninë e një punonjësi të kualifikuar të shëndetit dhe përmirësimi i cilësisë së ushqimit për fëmijët kanë çuar në rënie të vdekshmërisë në fëmijë edhe në Malavi, Bangladesh, Nepal, Tanzani dhe Madagaskar. Iraku, thotë ajo, renditet në fund pasi ka shënuar përparimin më të dobët:

"Iraku ka përjetuar luftë, dhunë e sanksione prej vitesh, gjë që ka ndikuar negativisht tek mirëqënia e fëmijëve irakianë. Kjo bëhet edhe më e qartë duke pasur parasysh se në vitet ’90 Iraku bëri përpjekje të mëdha për të ulur vdekshmërinë tek fëmijët dhe kishte një prej sistemeve më të mira shëndetësore në rajon. Megjithatë, ky vend ka qenë në luftë prej vitesh, si Nepali. Por në Nepal, programet e zbatuara nga qeveria kanë bërë që shëndeti i nënës dhe fëmijës të mos cënohet," thotë zonja Bouls.

6 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç vdesin çdo vit nga sëmundje që mund të parandalohen ose të kurohen lehtë. Aktorja amerikane Xhejmi Li Kërtis, vetë nënë me 2 fëmijë, është zëdhënëse e organizatës Save the Children:

"Nuk ka gjë më të dhimbsur për një familje se sa kur e ke fëmijën të sëmurë. Ne kemi fuqinë ta ndryshojmë fatin e këtyre 6 milion jetëve duke zbatuar programe shumë të thjeshta. Diçka fare e thjeshtë, si për shembull t’i mësojmë nënat si të mbështjellin fëmijën pas lindjes, apo t’i ndihmojmë nënat të kuptojnë vlerën e qumështit të gjirit për foshnjën," thotë aktorja Xhejmi Li Kërtis.

Aktorja thotë se nënat ndjehen shumë më të sigurta kur e kuptojnë se kanë njohuritë e nevojshme për të mbrojtur fëmijën me një metodë të thjeshtë:

"Shumë nga këta fëmijë vdesin nga diareja. Mjafton një kurë e thjeshtë që kushton më pak se 50 centë për të shpëtuar gjithë ato jetë. Mjafton të përziesh në një gotë ujë një lugë sheqer dhe një lugë kripë. Diareja shkakton vdekjen e 1.8 milionë fëmijëve nën moshën 5 vjeç çdo vit. Pneumonia shkakton më shumë vdekje se çdo sëmundje tjetër, biles edhe më shumë se Sida, malaria dhe shytat të marra së bashku. Të gjitha këto mund të parandalohen me metoda të thjeshta".

Xhejmi Li Kërtis thotë se mesazhi që po përpiqet t’i përcjellë botës është se ka metoda dhe programe që po të zbatohen në çdo vend do të ndihmojnë për të krijuar një botë më të mirë dhe me shpresë për fëmijët në mbarë botën. //ad//

XS
SM
MD
LG