Lidhje

Hapet debati në Senat për projektligjin e debatueshëm të imigracionit


Senati amerikan hapi dje debatin për projektligjin e reformës së debatueshme të imigracionit. Senatorë me influencë për këtë çështje dhe Shtëpia e Bardhë po përpiqen me këmbëngulje për të realizuar miratimin e ligjit dypartiak në Senat para fundit të këtij muaji. Por afati kohor është i papërcaktuar dhe kritikët në Senat thonë se projektligji ka të meta të mëdha.

Kritikët në Senat thonë se legjislacioni do të jetë një program tjetër amnistie për imigrantët. Ata duan të modifikojnë projektligjin dhe të ndryshojnë një dispozitë që u jep shpejt status ligjor miliona imigrantëve të paligjshëm që janë tashmë në Shtetet e Bashkuara. Por përkrahësit e ligjit thonë se imigrantët e paligjshëm nuk do ta kenë të lehtë të legalizohen. Ligji do të forcojë sigurinë në kufi dhe do të krijojë regulla strikte të punësimit për imigrantët e paligjshëm. Ligji përfshin gjithashtu një program punësimi të përkohshëm që do të lejojë imigrantë të rinj të punojnë në Shtetet e Bashkuara për dy vjet.

Senatori Ben Nelson u tha gazetarëve se ka në plan të votojë kundër propozimit pasi ai duhet të përqëndrohet fillimisht në sigurinë e kufijëve. "Imigrantët do të vazhdojnë të shtohen pasi sa më shumë të flitet për amnestinë tani, aq më shumë ka të ngjarë që të kemi një shtim prej 30 përqind të atyre që hynë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Mendoj se procesi është konceptuar sëprapthi, pasi objektivi kryesor i këtij ligji duhet të jetë siguria e kufijëve", tha zoti Nelson.

Senatori republikan Jeff Sessions mbajti një fjalim të gjatë në Senat ku theksoi të metat e projektligjit. Ai tha se është e pallogjikshme që Senati të përpiqet të miratojë ligjin këtë javë. "Nuk ka mundësi që projektiligji të votohet dhe të ndryshohet këtë javë", tha senatori.

Udhëheqësi i shumicës në senat, Harry Reid tha se megjithë rezervat që kishte rreth marrëveshjes, e quan ligjin një pikë fillimi për të ndryshuar politikën amerikane të imigracionit. "Projektligji që po debatojmë dhe që eventualisht do të miratohet, do të na japë mundësi për të forcuar sigurinë e kufijëve, për të vendosur një sistem të efektshëm të verifikimit të punësimit, për hartimin e një programi të ri punësimi dhe për t’u dhënë 12 milionë imigrantëve pa dokumenta mundësinë për të mos qendruar më të fshehur në Amerikë".

Reid tha se Senati do t’i referohet propozimit të Partisë Demokrate për të zvogëluar programin e përkohshëm të punësimit që lejon të paktën 400 mijë punëtorë çdo vit. Të tjerë thonë se nisma është e padrejtë dhe jo praktike për këta imigrantë pasi do t’i lejojë ata të qendrojnë përkohësisht në Shtetet e Bashkuara pa u garantuar një shans për t’u bërë të ligjshëm.

Përkrahësit e ligjit thonë se kjo nuk është një rrugë e lehtë për imigrantët pa dokumenta. Ata thonë se edhe ata që do të lejohen të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara do të duhet të paguajnë 5 mijë dollarë gjobë dhe do të marrin dokument për qëndrim të përhershëm. Imigracioni do të bazohet gjithashtu në një sistem të ri pikësh që do të marrë parasysh aftësitë dhe edukimin më shumë sesa në lidhjet familiare.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi është kritike që projektligji u jep më shumë rëndësi aftësive individëve se sa lidhjeve familjare. "Kam kundërshtime serioze rreth sistemit të pikëve që parashikon projektligji. Parimi i bashkimit familjar që ka qënë themelori për imigracionin është anashkaluar", tha zonja Pelosi.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti Bush i ka dhënë një përparësi të lartë miratimit të projektligjit në muajt e ardhshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG