Lidhje

Avandia shton rreziqet e goditjeve në zemër;Truri dhe roboti komunikojnë


Ilaçi Avandia kundër diabetit shton rrezikun e goditjeve në zemër

Sipas një studimi botuar kohët e fundit në revistën mjekësore të Nju Englandit, ilaçi kryesor për të sëmurët me diabet të tipit 2, Avandia shton rrezikun e goditjeve në zemër dhe të vdekjeve nga sëmundjet e zemrës.

Për këtë arsye, Agjencia amerikane e Ushqimeve dhe Barnave u bëri thirrje miliona njerëzve me diabet, që marrin Avandia të bisedojnë me mjekun për të marrë një ilaç tjetër. Por kjo agjenci nuk pranoi t’u kërkonte firmave farmaceutike që të vendosin etiketën me këshilla paralajmëruese për ilaçin Avandia në farmaci.

Studimi u krye nga një klinikë në Kleveland të shtetit Ohajo. Pas një shqyrtimi të 42 provave klinike, me pjesmarrjen e 27 mijë personave me diabet, shkkencëtarët vunë re se ata që marrin Avandia kishin 43 përqind gjasa të prekeshin nga goditje në zemër dhe 64 përqind të ngjarë të vdisnin nga një sëmundje në zemër, në krahasim me pacientët e tjerë që trajtohen me ilaçe të tjera. Kjo është alarmuese, thotë doktor Stiven Nesen. Ai shton se këto të dhëna duhen konfirmuar, dhe nëse ato vërtetohen plotësisht, kjo përbën një shqetësim të madh për shëndetin public.

Doktor Nesen arriti në përfundimin se goditjet në zemër tek pacientët që marrin Avandia mund të ndodhin brenda 6 muajve nga marrja e ilaçit Avandia. Sipas disa përllogaritjeve, nëse analizat e doktor Nisenit vërtetohen, kjo do të thotë se dhjetra mijëra njerëz mund të vdesin nga Avandia. Në revistën mjekësore të Nju Englandit, thuhet se Avandia përfaqëson një dështim të madh të procesit të përdorimit dhe rekomandimit të ilaçeve me recetë në Shtetet e Bashkuara.

Si firmat farmaceutike edhe Agjencia e ushqimeve dhe barnave, mendohet se i kanë patur këto të dhëna prej kohësh, thotë doktor David Nathan pranë spitalit të përgjithshëm në Masaçusets. Atëherë shtrohet pyetja, përse ata nuk arritën në të njëtin përfundim si edhe doktor Nisen?

Agjencia federale e barnave thotë se të dhënat që Avandia shtonte rrezikun e goditjeve në zemër i ka patur në dispozicion që nga gushti i vitit të kaluar, por disa të dhëna të studimit janë kundërthënëse. Doktor Robert Mejer i kësaj agjencie thotë se ata arritën në përfundimin që analiza të tjera ishin të nevojëshme për marrë një venndim të drejtë.

Kompania farmaceutike që prodhon Avandian thotë se beson që përfitimet që Avandia u sjell të sëmurëve me diabet vazhdojnë të jenë më të shumta sesa rreziqet.

Ndërkohë që Avandia ul nivelin e sheqerit në gjak, ky ilaç shkakton rritjen në peshë, grumbullimin e lëngjeve dhe rrit nivelin e koleserinës së keqe deri në 18 përqind. Por rezultatet e njofuara sot tregojnë për dëme edhe më të mëdha. Këtu flitet për goditjet në zemër, çka janë shumë më serioze. Këto të dhëna bënë që kongresi të vendosë të mblidhet këto ditë për të marrë në shqyrtim të dhënat e studimit dhe për të dëgjuar dëshmitë e të gjitha palëve rreth vlerave dhe rrezikut të Avandias, ilaçi më popullor mes të të prekurve me diabet të tipit 2.

Truri i njeriut dhe roboti komunikojnë nëpërmjet një kompjuteri

Në një laborator të universitetit të Uashingtonit, studentë e shkencëtarë po kryejnë eksperimente me një robot, që komandohet nërmjet trurit dhe një komputeri.

Ky robot duket i ndërlikuar jo vetëm nga pjesët mekanike. Ai në fakt ka edhe mendjen e vet, mendjen e këtij studenti. Në kapelen e tij lexohet emri, Xhosh Storz. Sinjalet e trurit, i shndërrojnë mendimet e tij në veprime për robotin.

Raxhesh Rao pranë universitetit të Uashingtonit thotë se në çdo vrimë në këtë kapele ndodhet një fije përçuese e sinjaleve elektrike tek një përforcues rryme që i dërgon sinjalet në kompjuter ku ndodh pjesa tjetër e procesit të transferimit të mendimeve, komunikimit.

Raxhesh Rao po bën kërkime për të gjetur mënyra se si të dëgjojë sinjalet në tru. Më parë, shkencëtarëve iu duhej të prisnin lëkurën e kokës ose të hapnin kafkën për të marrë sinjale të mjaftueshme.

Shkencëtari i ri thotë se tani studuesit mbështeten në faktin se truri reagon në mënyra të ndryshme, reagime që prodhohen nga zona të ndryshme të trurit. Në këtë rast, truri ngacmohet vetëm në një zonë, për të dërguar vetëm një reagim të veçantë. Në këtë rast roboti lëviz vetëm një ose dy blloqe nga një tryezë në tjetrën dhe bënë lëvizjet e nevojëshme të këmbëve dhe duarve.

Rao thotë se një nga arsyet që ky projekt ka dalë i suksesshëm është aftësia e trurit të njeriut për t’iu përshtatur Robotit. Njeriu mund t’i përshtatet e të mësojë reagimin e komjuterit kështu që ata punojnë së bashku, në një farë mënyre integrohen me njëri tjetrin.

Por, thuajse njësoj si komunikimi me një fëmijë, gjërat jo gjithmonë shkojnë mirë, çka tregon se leximi robotik i mendjes është një proces, një punë në vazhdim.

XS
SM
MD
LG