Lidhje

Uizner: SHBA do të luftojnë për të ruajtur integritetin e rezolutës mbi Kosovën


I dërguari i posaçëm amerikan për statusin e Kosovës, Frenk Uzner i tha Zërit të Amerikës, se negociatat për projekt rezolutën për çështjen e Kosovës janë përqëndruar në rishikimin e terminologjisë, për të parë mundësinë në se ndryshimet frazeologjike do të çojnë në pranimin e saj nga gjithë vendet e Këshillit të Sigurimit. Zoti Uizner theksoi se Shtetet e Bashkuara do të luftojnë për të ruajtur elementët bazë të projekt-rezolutës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, kur pritet të paraqitet rezoluta për votim në Këshillin e Sigurimit? Pritet ndonjë lëvizje deri në fund të javës?

Ambasador Uizner: Negociatat kanë vazhduar gjatë gjithë javës, diskutimet po zhvillohen në nivel tekink. Personalisht dyshoj se rezoluta do të arrijë të paraqitet këtë javë, por ne po i afrohemi me shpejtësi fundit.

Zëri i Amerikës: A ka patur ndonjë sinjal se Rusia mund të ndryshojë qëndrim?

Ambasador Uizner: Qëndrimi rus është shprehur publikisht. Rusët kanë kundërshtime ndaj rezolutës. Nuk kam ndonjë informacion të ri për qëndrimin rus. Siç e thashë, diskutimet teknike po vazhdojnë, pres që debatet private të fillojnë shumë shpejt.

Zëri i Amerikës: Kur flisni për diskutime teknike, a kanë të bëjnë ato me ndryshime të mundshme të projekt-rezolutës dhe në se po, a mund të na jepni ndonjë hollësi?

Ambasador Uizner: Në diskutimet e tanishme po rishikohet gjithë gjuha, terminologjia e përdorur në projekt-rezolutë, që rezoluta të kuptohet qartë, dhe po shikohet mundësia në se ndryshimet në frazeologjinë e rezolutës, mund të ndihmojnë për të gjetur gjuhë të përbashkët mes gjithë vendeve të Këshillit të Sigurimit. Këto diskutime po vazhdojnë, do të ishte e parakohsme të spekullonim se çfarë do të dilte prej tyre. Por ajo që ne dimë, është se çfarë duhet të ofrojë rezoluta. Ky është edhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe ne do të luftojmë për të. Në bazë të qëndrimit tonë ne do të kërkojmë zbatimin e planit Ahtisari, ne e mbështesim propozimin e tij, që përfshin kërkesën për pavarësi të Kosovës. Shtetet e Bashkuara e mbështesin atë. Përfshirja e komunitetit ndërkombëtar në mbikqyrjen e pavarësisë po ashtu është e rëndësishme. Kosova e ka pranuar atë dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin një gjë të tillë. Këto janë elementët kryesorë dhe ne do të luftojmë që ato të ruhen në variantin përfundimtar. Por se si do të jetë terminologjia përfundimtare në rezolutë, kjo është shumë shpejt të thuhet.

Zëri i Amerikës: Pra egziston mundësia që të ketë ndryshime në projekt-rezolutë?

Ambasador Uizner: Nuk do të doja të egzagjeronim thelbin e ndryshimeve. Ne do të luftojmë për parimet bazë që duhet të ruhen, në mënyrë që rezoluta të ketë integritetin e saj dhe që rruga në të ardhmen të jetë e lehtë. Çështja sot për Kosovën shtrohet, a do të zgjidhet çështja e saj përmes një procesi që gëzon mbështetjen e mekanizmave të Keshillit të Sigurimit, që drejt pavarësisë të shkohet me mbikqyrje ndërkombëtare, apo a do të ndiqet një rrugë tjetër? Ajo që duam ne është një proces që gëzon mbështetjen ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: A janë të përgatitura Shtetet e Bashkuara ta njohin pavarësinë e Kosovës në mënyrë të njëanshme, në se për një arësye a një tjetër, rezoluta nuk miratohet në Këshillin e Sigurimit.

Ambasador Uizner: Është e parakohshme të shtrohet dhe t’i japësh një përgjigje tani një pyetjeje të tillë. Për momentin ajo mbetet thjesht një çështje hipotetike. Synimi i politikës së Shteteve të Bashkuara është të sigurojë rezolutën në Këshillin e Sigurimit, me mbështetjen më të gjerë të mundshme për të. Kjo do të ishte në interes të Kosovës, që të hyjë në botë duke patur një mbështetje sa më të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG