Lidhje

Dita e të Rënëve - nderim për sakrificën më të madhe për atdheun


Të hënën në Shtetet e Bashkuara shënohet Dita e të Rënëve, kur amerikanët kujtojnë personelin ushtarak që humbi jetën gjatë shërbimit për atdheun. Vetëm Gjatë Luftës së Dytë Botërore, afro 300 mijë ushtarë amerikanë u vranë në detyrë. Korrespondentja Margaret Beshir shtjellon një pjesë të historisë së familjes së saj, dhe sakrificat e bëra nga të afërmit e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Korrespondentja Beshir kujton xhaxhallarët e saj, tre vëllezër, bij të imigrantëve libanezë, të rritur gjatë periudhës së Krizës Ekonomike në lagjen Bruklin të Nju Jorkut. Lufta e Dytë Botërore ndërpreu rutinën e rinisë së tyre, duke i dërguar në vende të largëta që i kishin lexuar vetëm në libra.

Lufta filloi në Evropë në vitin 1939. Ajo zgjati 6 vjet dhe u shndërrua në konfliktin më të përgjakshëm njerëzor në histori. Pikërisht kjo tragjedi njerëzore tërhoqi djaloshin Fred në ushtri në vitin 1941, katër muaj para sulmit japonez ndaj Gjirit të Perlave, i cili rezultoi në angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Luftë.

Në mars 1942 Fredi hipi në një anije me formacionin e vet dhe u nis për në Indi. Sot, 89-vjeçari Fred Balesh jeton në Ohajo:

"Ishte një udhëtim i tmerrshëm. Ishte tepër nxehtë, nuk kishte ventilim. Nuk kishim ujë të pishëm në sasi të mjaftueshme. Laheshim me ujë deti."

Gjatë udhëtimit 2-mujor, anija bëri një ndalesë në Keip Taun të Afrikës së Jugut, e cila ishte në atë kohë pjesë e Komonuelthit britanik. Fredi kujton që edhe Afrika e Jugut ishte boshatisur, pasi të gjithë britanikët e rinj ishin nisur për në luftë. Në përfundim të udhëtimit, Fredi u dërgua në Delhi, si pjesë e trupave të Komandës së Azisë Juglindore, ku kishin nën përgjegjësi Kinën, Birmaninë dhe Indinë. Ai qëndroi atje 2 vjet duke organizuar dërgesa për forcat kineze që luftonin kundër japonezëve.

Ndërkohë, vëllai i tij, Xhou ishte regjistruar në radhët e forcave ajrore. Në moshën 19-vjeç ai ishte kualifikuar si radist dhe artiljer dhe në nëntor 1943 u nis për në Angli me anijen Queen Mary. Një muaj më pas, më 31 dhjetor, gjatë një misioni në Bordo të Francës, një avion gjerman sulmoi avionin e tij bombardues, B-17.

9 pjesëtarë të ekuipazhit, ndër të cilët edhe Xhou, u hodhën me parashutë. I dhjeti vdiq nga plagët. Joe ra në një fshat pranë Tuluzës, në territor të pushtuar francez. Ai është tani 83-vjeç dhe jeton në Bruklin të Nju Jorkut:

"M’u afrua një burrë, që më dukej se mund t’i besoja. Gjithsesi nuk kisha alternativë tjetër. Më tha se do të më çonte tek disa miq."

Burri ishte në fakt një anëtar i Rezistencës Franceze. Në javët që pasuan, Xhou u shoqërua shtëpi më shtëpi, u strehua dhe u mbrojt nga rezistenca. Sot ai i kujton ata si njerëz të guximshëm që po ndërmerrnin një akt shumë të rrezikshëm.

E vetmja rrugë drejt sigurisë ishte që Xhou të kalonte Malet Pirenej për të kaluar në Spanjë. Sapo kishte arritur majën, shoqëruesi francez, pjesëtar i Rezistencës i tha gabimisht se ndodhej në territor spanjoll. Xhou u nis i vetëm për të zbritur në anën tjetër, kur hasi në një postbllok gjerman:

"Krejt papritur dëgjova lehje qensh, dhe më pas pashë qen që u turrën drejt meje, të ndjekur nga ushtarë gjermanë."

Xhoun e arrestuan dhe e dërguan në Tuluzë, ku e mbajtën në izolim dhe më pas e dërguan në kampin Stalag-17 për të burgosurit e luftës. Ndërkaq, familja e tij nuk kishte lajme prej tij, deri kur ushtria u dërgoi një letër në të cilën Xhou cilësohej si “i humbur në luftime”.

Ndërsa familja shqetësohej për fatin e Xhous, djali i madh Tedi u thirr ushtar dhe u dërgua në Evropë. Ai luftoi me Betejën e Ardenës, beteja më e përgjakshme në të cilën u angazhuan trupat amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, Xhou ishte ende i burgosur në Austri.

Më 2 maj 1945 trupat amerikane çliruan Xhoun dhe të burgosurit e tjerë. Të tre vëllezërit u kthyen gjallë pas luftës në Nju Jork.

Historia e tyre është një shembull tipik i sakrificës, guximit dhe thjeshtësisë me të cilën luftuan dhe mbrojtën vendin e tyre amerikanët në Luftën e Dytë Botërore. Nuk është për t’u çuditur që ata cilësohen sot si brezi më i mrekullueshëm amerikan. //ad//

XS
SM
MD
LG