Lidhje

Graham Kalduell, skulptor i punimeve prej qelqi


Artistët përdorin një shumëllojshmëri materialesh për krijimet e tyre – bojëra vaji mbi pëlhurë, laps dhe letër, metalin, apo gurin, të cilave u japin formën e objekteve të ndryshme nga jeta e përditshme. Por ka të tjerë, të cilët krijojnë objekte arti, tepër të veçanta, prej xhami.

Graham Caldwell është skulptor, që përdor xhamin si lëndë të parë për krijimin e veprave artistike, në studion e tij në periferi të Washingtonit.

“Gjithmonë më ka pëlqyer uji dhe xhami është materiali më pranë ujit. Vetë procesi për prodhimin xhamit është mahnitës, pikërisht për shkak të vetive të këtij materiali. Në temperatura normale ai është në gjendje të ngurtë, reflekton dritën dhe të shohësh procesin e prodhimit të tij, është diçka shumë e bukur”.

Kur ishte student, Caldwell pa studion e njohur Urban Glass, në Bruklin të Nju Jorkut, dhe ishte pikërisht ajo vizitë që i hapi atij rrugën si artist për të arritur atje ku është sot në moshën 33 vjeçare. Pas disa orëve mësimi që ai ndoqi, fillimisht për të kaluar kohën e lirë, Caldwell u regjistrua në Shkollën e Dizenjatorëve të Rhode Islandit, ku dhe u diplomua në arte, me specialitet të veçantë punimin në xham.

“Xhami është një material i çuditshëm, pikërisht për këtë ai është shumë interesant dhe kjo është arsyeja përse u pëlqen njerëzve. Xhamin mund ta shohësh, por njëkohësisht edhe mund të shohësh përmes tij”.

Edhe pse xhami është material me veti të çuditshme, thotë artisti, nuk është e lehtë të punosh me të.

“Ka vështirësi të shumta, si për shembull, vetia e thyeshmërisë, që e bën shumë të vështirë të punosh me të. Xhami mund të thyhet në çdo fazë të procesit të përpunimit të tij, por edhe pasi objekti i krijuar prej tij ka përfunduar. Ai mund të thyhet, gjithashtu, gjatë transportimit. Pra, ka aftësi të kufizuara për një sërë faktorësh”.

Duke fryrë xhamin e lëngshëm në temperaturat 1 mijë e 100 gradë celsius, në një punishte, ku temperaturat arrijnë deri në 49 gradë Celsius, Coldwell thotë se ai tashmë ka mësuar se si t’i durojë djegijet.

“Gjithmonë digjem, kështu për shembull, u dogja javën e kaluar, por të paktën shumica e djegijeve janë sipërfaqësore. Ato dhembin për pak kohë dhe pastaj kalojnë”.

Kaldwell pranon se shumica e njerëzve e shohin xhamin si një material për prodhimin e objekteve artizanale. Por, ai thotë se ka një ndryshim të qartë mes prodhimeve artizanale dhe atyre artistike.

“Për mua, dallimi mes prodhimeve artizanale dhe të artit ka të bëjë pikërisht me gjërat që dihen dhe me ato që janë të panjohura. Në prodhimet artizanale gjithshka është e njohur, funksionale, historike. Bota e artit dhe ajo e skulpturës ka të bëjë me të panjohurën, prandaj edhe të mrekullon, ngaqë e panjohura është shumë më tërheqëse se ajo që njihet”.

Çdonjëri nga punimet e krijuara nga Caldwell, të paraqitura në ekspozitën e tij të kohëve të fundit në galerinë e arteve në rrugën G në Washington, është një fragment i shumë pjesëzave të veçanta, por të ngjashme me njëra tjetrën. Copërat individuale, në fakt nuk janë të veçuara. Caldwell thotë se ajo që ka rëndësi, është efekti i përgjithshëm i vendosjes së copëzave, se si pjesët e veçanta reflektojnë njëra tjetrën, si dhe pasqyrojnë hapësirën, apo personin që i sheh ato.

“Unë krijoj copëra të veçanta, të cilat nuk kanë ndonjë kuptim, pa i bashkuar. Ato nuk paraqesin asgjë në vetvete, pra pa krijuar një skulpturë. Gjëja më e vështirë është të kesh idenë dhe që ajo të jetë e mirë dhe të mund të materializohet në art”.

Kaldwell thotë se është përpjekur të krijojë me materiale të tjera, por se gjithmonë i është kthyer xhamit. Ai thotë se interesi i tij kryesor është krijimi i një vepre skulpture të realizuar mirë artisikisht, si dhe shprehja e ndjenjave të habisë nga e panjohura dhe të së bukurës nëpërmjet xhamit, njëlloj siç befasohesh kur sheh një park argëtimi./al/

XS
SM
MD
LG