Lidhje

Artur Liolin: Shqiptarët dhe amerikanët kanë vlera të përbashkëta

  • Intervistoi: Ikonomi

Kancelari i Kishës Ortodokse shqiptare në Amerikë, At Artur Liolin, i tha Zërit të Amerikës se vizita që Presidenti Bush do të bëjë në Shqipëri më 10 qershor është një ngjarje e veçantë që duhet kremtuar me gëzim. Në intervistën e tij ai foli për lidhjet tradicionale midis shqiptarëve dhe amerikanëve, për emigrantët shqiptarë në Amerikë, për çështjen e identitetit fetar të shqiptarëve si dhe për të ardhmen e Kosovës. At Liolinin e intervistoi në Kishën e Shën Gjergjit në Boston kolegu ynë Ilir Ikonomi.

Zëri i Amerikës: Më 10 qershor, Presidenti Bush do të bëhet presidenti i parë që viziton Shqipërinë në postin e presidentit. Çfarë ju sjell në mend kjo ngjarje lidhur me historinë që kanë përshkuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?

At Artur Liolin: Është e para herë që një president i Amerikës që është në fuqi në administratën e tij udhëton për në Shqipëri dhe kjo ka rëndësi jo vetëm për lidhjet që nga koha e Presidentit Uillson, i cili ndihmoi për shpëtimin e Shqipërisë dhe pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve, duke bashkëpunuar edhe me Imzot Fan Nolin tonë, por edhe më kujton se në qershor është Festa e Rushajeve. Dhe ishte pikërisht Dita e Rushajeve kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu u kthye në Krujë për të parën herë në moshë madhore. Pra, është një rast i veçantë që duhet kremtuar me gëzim.

Zëri i Amerikës: Çfarë u ka ofruar dhe u ofron Amerika shqiptarëve? Përse ka patur aq shumë shqiptarë që kanë marrë një rrugë kaq të gjatë për të ardhur këtu në Amerikë?

At Artur Liolin: Mos harroni se ne shqiptarët dhe amerikanët në disa aspekte kemi të njëjtat parime: Pavarësinë, shqiptari e ka në gen ndërsa amerikani në Kushtetutë; ata kanë të përbashkët dëshirën për ta bërë sa më të mirë jetën e tyre; edhe shqiponjën e kanë simbol si shqiptarët edhe amerikanët. Unë besoj se amerikani e do shqiptarin sepse ka dhimbje për vuajtjet e tij gjatë shekujve, sidomos në kohën tonë. Kurse shqiptari ka admirim për amerikanin, i cili e vlerëson njeriun jo nga prejardhja por nga meritat e tij personale, e vlerëson për punën, për traditat e tij etike dhe morale. Pra, të dy kanë parime dhe vlera të përbashkëta.

Zëri i Amerikës: Komuniteti shqiptar i Bostonit ka patur fatin të ketë në gjrin e tij një personalitet të tillë të shquar si Fan Noli. Cilat kanë qenë përpjekjet e Nolit për të nxitur ndjenjat proamerikane te shqiptarët?

At Artur Liolin: Nolin e njohim jo vetëm si personalitet të shqiptarizmit ose të rilindasve. Edhe si udhëheqës shpirtëror, si peshkop, Imzot Noli forcoi dashurinë e shqiptarëve për Amerikën, për parimet, vlerat dhe Kushtetutën e saj. Këtë ai bënte në një mënyrë praktike sepse duke qenë në krye të Federatës Panshqiptare Vatra dhe në rolin e tij si Peshkop i Kishës Ortodokse, ai e paraqiste atë si një organizatë amerikane. Dhe kështu, me dashurinë për vendin ku ndodheshin, ato kishin më tepër ndikim për të ndihmuar Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Çfarë pune ka bërë Noli me Shtëpinë e Bardhë dhe me zyrtarët amerikanë për t’i bërë ata më të interesuar për Shqipërinë dhe shqiptarët?

At Artur Liolin: Noli përdorte kapelen e peshkopit për çështje fetare por edhe kapelën e Vatrës për çështjen kombëtare. Ai e ndante punën, e kuptonte që nuk duhej përzjerë politika me besimin megjithëse në realitetin e sotëm ne shikojmë që shumë njerëz bëjnë gabim kur thonë se besimi kërkon të përdorë politikën ose kur politika përpiqet të përdorë organizatat fetare për axhendën e saj. Noli i mbante ato të ndara pikërisht ashtu siç kërkon Kushtetuta amerikane. Noli u nderua nga Presidenti Lindon Xhonson duke u ftuar prej tij në Shtëpinë e Bardhë, jo vetëm për të dhënë lutje por edhe për një fjalim që u mbajt aty për Shekspirin. Këtu në Boston, senati i shtetit Masaçusets e ftoi Nolin për të dhënë lutjen e hapjes së legjislaturës në vitin 1963. Pra Noli njihej dhe respektohej për mendjen, rolin udhëheqës dhe parimet e tij.

Zëri i Amerikës: Çfarë e dallon valën e re të emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara në krahasim me atë të paraluftës?

At Artur Liolin: Në thelb janë të njëjtë, emigranti është emigrant. Por mund të themi që emigrantët e dekadës së fundit janë më të arsimuar se sa më parë, shqipen e dinë mirë, më mirë se ne, përshtaten shumë shpejt në shoqërinë amerikane, më shpejt se sa baballarët tanë. Jemi krenarë me sjelljet e tyre sepse kanë një nam shumë të mirë, sidomos në Boston, si punëtorë të mirë, si njerëz me moral të mirë dhe me parime. Ata kanë formuar organizata të ndryshme për të ndihmuar veten dhe ata që vijnë më pas. Ky është një fenomen i ndryshëm sepse zakonisht shqiptari ka alergji për të ndihmuar institucionet. Ai mund të japë këmishën për komshinë qoftë edhe jo shqiptar, por për institucionin ka rezerva. Kjo ndoshta lidhet me historinë e shqiptarëve që janë më të afruar me familjen dhe me klanin por besoj se ata do ta kuptojnë se kur ndihmojnë institucionet e tyre shqiptare ndihmojnë edhe vetveten dhe fëmijët e tyre.

Zëri i Amerikës: Vitet e fundit mes shqiptarëve në Shqipëri por edhe në Kosovë janë shtuar debatet lidhur me identitetin fetar të shqiptarëve. Ju si shqiptaro-amerikan dhe si përfaqësues i fesë si e shikoni këtë debat?

At Artur Liolin: Mbase nga që jam lindur këtu në Amerikë por nuk e shikoj si problem thelbësor. Njeriu lidhet me zotin me anën e faltores së tij, kishës apo xhamisë. Ai lidhet me komshiun me anën e lagjes ku jeton. Njeriu lidhet me prejardhjen e tij përmes gjuhës, historisë dhe dashurisë për kombin. Dikush në Shqipëri më pyeti vite të shkuara, në fillim të viteve 90: At Artur, cilën doni më shumë, Amerikën apo Shqipërinë? I thashë se përpara se t’i përgjigjesha do të desha ta pyesja: Po ju cilin doni më shumë, babanë apo nënën? Pra, njeriu ka shumë aspekte por çdo pyetje të tillë duhet ta shikojë të lidhur me vendin e vet.

Zëri i Amerikës: Si e shikoni të ardhmen e Kosovës, këtij shteti të ri që po krijohet në Ballkan, natyrisht me ndihmën aktive të Shteteve të Bashkuara?

At Artur Liolin: Të gjithë diplomatët me mend e kuptojnë që pavarësia e Kosovës është e pashmangëshme. Ne vetëm i këshillojmë kosovarët që të kenë parasysh të ardhmen e tyre dhe t’i trajtojnë grupet e ndryshme etnike, shqiptare ose jo shqiptare, duke patur në vemendje të ardhmen pas pesëdhjetë vjetësh. Kjo është shumë e vështirë. Po të kisha qenë unë në Kosovë këto dhjetë vitet e fundit, nuk do ta kisha bërë dot por kosovarët duhet ta bëjnë sepse kanë një mundësi të rrallë që jo çdo komb e ka. Kur u formuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shumë se 200 vjet të shkuara, kur hartuan kushtetutën e parë të shtetit amerikan, e bënë atë duke menduar për 100 vjet më vonë dhe jo për kohën aktuale. Duke bërë këtë, ata ndihmuan edhe kohën në të cilën jetonin. Unë besoj se edhe shqiptarët e Kosovës por dhe të Shqipërisë, duke bërë ligjet e tyre duhet të shikojnë 100 vjet më vonë, pra si do të ndihmohen jo vetëm fëmijët por edhe nipërit, stërnipërit dhe stërmbesat e tyre. Nëqoftëse veprojnë kështu, ata do të ndihmojnë edhe kohën e sotme. //ii

XS
SM
MD
LG