Lidhje

Filozofët e vegjël në shkollat amerikane


Një numër përherë e më të madh shkollash të mesme në Shtetet e Bashkuara po u ofrojnë njohuritë fillestare të filozofisë nxënësve që duan të shkojnë në universitet. Por një eksperte e arsimit bën tani thirrje për përfshirjen e njohurive fillestare të filozofisë që në programet e shkolles fillore. Ajo është e mendimit se filozofia është një disiplinë e fuqishme që i ndihmon fëmijët në zhvillimin e mendimit kritik, si dhe forcon ndërgjegjen e tyre për jetën.

Marieta Mekarti thotë se gjithkush është filozof.

“Fëmijët janë kuriozë. Ata habiten së tepërmi dhe filozofia është arti i kuriozitetit”.

Për më shumë se 15 vjet, kjo mësuese ka udhëtuar në shumë vende, në zona rurale, periferike dhe shkolla urbane në mbarë vendin, duke i angazhuar fëmijët në diskutime filozofike.

Me librin e saj, “Little Big Minds”, Mekarti paraqet një udhëzues, që e bën filozofinë interesante dhe tërheqëse për të vegjëlit. Ajo i njeh ata me konceptet fillestare të filozofisë, si dhe me filozofinë e lashtë të Platonit, al-Gazalit, Zhan Pol Sartrit e deri të Dalai Lamës.

“Fëmijëve u pëlqen miti i shpellës i Platonit. Atyre u pëlqen së tepërmi nocioni se në shpellë ekziston errësira e një mendeje të mjegulluar dhe se mund të dalësh prej saj, në dritën e ideve të qarta. Atyre u pëlqejnë së tepërmi figura të filozofisë së lashtë dhe asaj moderne. Atyre u pëlqen të dëgjojnë për idetë e e tyre dhe i preferuari i tyre mbetet Martin Luther Kingu, predikimet e të cilit kundër dhunës, janë tepër qetësuese për fëmijët”.

Duke u drejtuar atyre pyetje, thotë Mekarti, të rriturit i angazhojnë fëmijët në diskutime për tema filozofike që kanë lidhje me jetën e tyre të përditshme, që nga miqësia, lumturia dhe përgjegjshmëria e tyre për drejtësinë, vdekjen dhe Zotin. Mekarti thotë se mësuesit mund t’i njohin nxënësit me konceptet e filosofisë, duke e përfshirë atë në programet e tyre, ose duke hapur klube filozofie.

Mësuesja e klasës së katërt Andra Skeen, për shembull, ka hapur një klub pas-shkollor në shkollën fillore Burnley Moran, në Sharlotsville të Virxhinias. Ajo shpesh e fton Marieta Mekartin të shkojë atje.

“Marieta vjen këtu të paktën një herë në muaj dhe ne flasim për çështje të filozofisë. Ky është në të njëjtën kohë një klub për shërbimet ndaj komunitetit”. Aktiviteti i shërbimit të Komunitetit, thotë Skeen, është ana praktike e koncepteve filozofike. Pasi reflektuan mbi dashurinë, anëtarët e klubit, të gjithë 9-vjeçarë, i vunë konceptet që mësuan teorikisht në praktikë, duke pastruar sheshin e lojërave të shkollës dhe duke vizituar disa nga fqinjët.

“Kemi shkuar disa herë për të vizituar një azil, që është shumë pranë shkollës. Kjo i bën fëmijët të dalin nga guacka e tyre, për t’u sjellë gëzim njerëzve që nuk e kanë atë në jetë. Kjo i bën fëmijët të kenë një mënyrë të re të menduari dhe të përjetojnë ndjenja që nuk kanë patur mundësi t’i kenë më parë”.

Skin thotë se kjo është vetëm një mënyrë se si studimi i filozofisë mund të përmirësojë jetën e nxënësve.

“Jetojmë në një botë tepër konkuruese dhe përherë e më pak kemi mundësi të ulemi dhe të bisedojmë për gjëra të kësaj natyre. Mendoj se të flasësh për ide filozofike në mënyrë të çpenguar që në moshën e fëmijërisë, i bën njerëzit më të ndërgjegjshëm për ato që ndodhin në botë dhe në komunitetin e tyre”.

I të njëjtit mendim është edhe mësuesja Marieta Mekarti, e cila shpreson se një numër më i madh shkollash do t’u mësojnë konceptet e filozofisë nxënësve të fillores. Ajo thotë se filozofia nuk është vetëm një instrument për të kupturait e botës, por është edhe një instrument për ndryshimin e saj.//lk

XS
SM
MD
LG