Lidhje

Mijëra dollarë në vit borxhe për studentët amerikanë

  • Aida Akl
  • Uashington

Rreth dy të tretat e studentëve që ndjekin universitetin 4 vjeçar në SHBA, marrin hua mijëra dollarë në vit për të paguar për arsimimin e tyre. Disa prej tyre kanë rreth 100 mijë dollarë borxhe dhe shumica vazhdojnë t’i paguajnë ato për vite të tëra pas diplomimit. Në shumë raste, studentët e thellojnë borxhet e tyre, për arsye se vazhdojnë studimet pasuniversitare:

Grupet për mbrojtjen e të drejtave të studentëve thonë se borxhet që studentët kanë nga universitetet publike, apo private, janë më tepër se dy-fishuar gjatë dekadës së fundit, duke shënuar një rritje prej 58 për qind pas përllogaritjes së inflacionit, nga 9 mijë, në rreth 19 mijë dollarë.

Analistja Zhaklin King e Këshillit amerikan të Arsimit, thotë se shifrat ndryshojnë në varësi të një sërë faktorëve.

Studentët që përfundojnë universitetin 4-vjeçar, rreth 60 për qind e tyre, kur diplomohen, kanë një borxh prej rreth 10 mijë dollarësh. Ndërsa për studentët pasuniversitarë, sasia e borxhit ndryshon nga tipi i diplomës dhe i gradës shkencore që ata marrin. Studentët që marrin masterin, zakonisht dalin nga shkolla me një borxh prej rreth 25 mijë dollarësh.

Shumë studentë që kryejnë studimet pasuniversitare, shpeshherë marrin edhe më tepër kredi. Studentët e mjekësisë psh., marrin kredi me vlerë prej rreth 115 mijë dollarësh dhe më tepër se një e treta e tyre kanë një borxh 150 deri në 200 mijë dollarë kur diplomohen.

Shumica e studentëve i paguajnë borxhet deri në 10 vjet pas përfundimit të studimeve. Por, siç thotë botuesi faqes kompjuterike FINAID.ORG, një faqe interneti për ndihmat financiare të studentëve, një numri përherë e më të madh studentësh me të ardhura të ulëta dhe që marrin shumë hua për të vazhduar shkollën, u duhet të luftojnë me vështirësitë financiare, për të paguar borxhet.

Vitin e kaluar, qeveria federale u dha mbi 8 milionë studentëve, grante me vlerën e mbi 40 miliardë dollarëve hua të subvencionuara, me përqindje të ulët interesi. Por shumë analistë, të cilët e konsiderojnë këtë ndihmë të nevojshme për familjet me të ardhura të pakta, thonë se vlera në dollarë e huave të subvenionuara nga shteti, nuk ka qenë në përputhje me ritmin e inflacionit dhe me shtimin e kostos së universiteteve.

Sipas Bordit të Kolegjeve në Departamentin amerikan të Arsimit, kostoja mesatare për universitetet publike 4-vjeçare është rritur me 51 për qind gjatë dekadës së fundit, në përshtatje me vlerën e inflacionit. Shumë specialistë të financave paralajmërojnë se kjo i ka detyruar shumë studentë t’i plotësojnë huatë e tyre të subvencionuara me hua të tjera më të kushtueshme dhe t’i paguajnë faturat me karta krediti.

Barra e borxheve, thonë disa analistë, ka ndikuar në stilin e jetesës të disa stdudentëve me të ardhura të pakta, duke i detyruar ata ta shtyjnë martesën, blerjen e një shtëpie, apo grumbullimin e kursimeve për pensionin.

Analistë të tjerë thonë se nga programet e ndihmave federale për studentët përfitojnë shpesh edhe studentët që vijnë nga familje në gjendje të mirë ekonomike dhe se huatë bëjnë që të shtohet kostoja e univesiteteve. Kjo është arsyeja, përse analisti i politikave i Insitutit Cato në Uashington, Nil Meklaski, e kundërshton sistemin e ndihmave federale.

"Shumë prindër, të cilët duan që fëmijët e tyre të ndjekin shkollën, thonë se “ne nuk mund ta përballojmë këtë: prandaj, ata i ankohen Uashingtonit. Politikanët, të cilët duan të sigurojnë vota, i shtojnë ndihmat për studentët. Kjo e shton kërkesën për vazhdimin e studimeve, që natyrisht, bën që të rriten çmimet. Atëhere, kolegjet i rrisin çmimet, duke thënë se “Njerëzit mund ta përballojnë tani, që të paguajnë më shumë për shkollën. Dhe natyrisht, që pagesat rriten më tej. Atëhere, prindërit përsëri u kërkojnë ndihmë politikanëve dhe kemi kështu një rreth vicioz, ku ne ushqejmë inflacionin, duke u përpjekur t’i ndihmojmë njerëzit ta përballojnë atë për momentin.”

Por shumë grupe të mbrojtjes së të drejtave të studentëve nuk e pranojnë këtë vlerësim, duke thënë se nevojiten më shumë ndihma federale për të pakësuar hendekun që ekziston tek mundësia e njerëzve për të vazhduar shkollën e lartë, që shpesh përcaktohet nga përkatësitë etnike dhe mundësitë ekonomike.

Shumica e ekspertëve të ndihmave financiare për studentët, e shohin marrjen e huave si një investim të mirë për të ardhmen e studentëve. Kjo është arsyeja përse Kongresi amerikan, gjatë muajve të fundit, ka miratuar një numër nismash për uljen e ritmeve të interesit ndaj huave për studentët, shtimin e granteve dhe huave dhe dhënien e më tepër fondeve federale për studentët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta.//lk

XS
SM
MD
LG