Lidhje

Siguria në Mosul, qyteti i tretë për nga madhësia në Irak

  • Barry Newhouse

qytetin verior të Irakut, Mosul, në provincën Ninewa, ka disa lagje historike përreth lumit Tigër. Mosuli, qyteti i tretë për nga madhësia dhe me një popullsi të përzjerë arabësh suni, kurdësh dhe grupesh të minoritetit, është tipik irakian. Ai ka përjetuar periudha dhune dhe relativisht të qeta, që nga koha e ndërhyerjes ushtarake nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Barry Newhouse ishte kohët e fundit në Mosul dhe përgatiti këtë material.

Një grup ushtarësh amerikanë, pjesëtarë të njësisë policore ushtarake 144 të Gardës Kombëtare, janë mbledhur në zyrën e kolonelit të policisë, Abdul Salman, komandant i stacionit policor në distriktin Al Karama të Mosulit.

Një përkthyes irakian për ushtrinë amerikane, i maskuar, i përcjell komandantit irakian informacionet e ushtarëve, lidhur me krimet e kohëve të fundit në distrikt. Komandanti thotë se me gjithë përgjegjësitë e stacionit të tij, ai ka nevojë për më tepër burime dhe oficerë.

Koloneli Salman thotë se kemi të bëjmë me një lloj të ri terrorizmi dhe se njësitë e policisë dhe ato të ushtrisë duhet të bashkëpunojnë më mirë.

Rreth 8 mijë policë irakianë të shpërndarë në qendër të Mosulit, janë në frontin e parë të luftës mes forcave irakiane të sigurisë, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe disa grupe kryengritësish suni, mes tyre edhe të Al-Kaidës.

Në janar forcat amerikane ia dorëzuan sigurinë e qytetit forcave irakiane, por trupat amerikane vazhdojnë patrullimet, si dhe sigurojnë mbështetje të rëndësishme logjistike dhe informacione zbulimi për policinë lokale dhe ushtrinë.

Komandantët amerikanë thonë se stërvitja e forcave të sigurisë në Mosul, është, para së gjithash, një sukses, por forcat irakiane vazhdojnë të ndeshen me mungesën e pajisjeve dhe me korrupsionin.

Lejtnanati i ushtrisë amerikane, Krieger, i cili vëzhgon stërvitjen e forcave policore, e krahason policinë irakiane në Mosul me policinë e qytetit amerikan të Çikagos në vitet ’30, kur blerja e bandave me para dhe policia e armatosur rëndë, mbikqyrte sigurinë e qytetit.

"Ajo që duhet të kuptoni, sidomos në Mosul, është se atje ka nivel të lartë korrupsioni, në një nivel të tillë, që merren rryshfete, që shpeshherë ne nuk jemi dot në gjendje t’i dallojmë".

Mosuli është një qytet me shumicën e banorëve myslimanë suni dhe zyrtarët irakianë dhe ata amerikanë, thonë se ky fakt nuk është ndikuar nga forcat milicore shiite të organizuara mirë, të cilat kanë depërtuar tek forcat e sigurisë në Bagdad, apo gjetkë. Por edhe komandantët e policisë këtu, janë përfshirë në ndihmën ndaj kryengritësve.

Komandantët irakianë thonë se disa nga operacionet më të sofistikuara të kryengritësve organizohen jashtë Mosulit, ku policia lokale hesht, për shkak të rryshfeteve, apo frikësimit, duke ua bërë të vështirë forcave irakiane dhe atyre amerikane të sigurojnë informacione.

Ndërsa brenda Mosulit, është anonimiteti i jetës civile që shërben si një mburojë e mirë për kryengritësit.

Qyteti ka një popullsi sa një e katërta e Bagdatit, por këtu kryhen po aq sulme me bombë, sa edhe në kryqytet.

Një nga ditët e fundit, në njërën prej lagjeve perëndimore të qytetit, me shumicën e banorëve arabë, ku ka dyshime se një pjese e tyre mund të kenë depo armësh, ushtarët amerikanë zhvillojnë kërkime nëpër shtëpitë.

Ndërsa ushtarët kërkojnë në shtëpinë e një oficeri të ushtrisë irakiane në pension, ai thotë se siguria është problem, por se problemi më i madh për të, është t’i sigurojë familjes paratë e nevojshme për të jetuar, që ai i nxjerr nga një dyqan i tij i vogël aty pranë. Burri thotë se banorë të tjerë, në situata të ngjashme, nganjëherë i bashkohen prapë kryengritjes, vetëm për të siguruar para për famijen.

"Ata paguhen deri në 100 dollarë, për t’i shkaktuar dëme ushtrisë, policisë, amerikanëve".

Ai thotë se gjatë dy vjetëve të fundit, gjendja e ekonomisë dhe e sigurisë ka mbetur kryesisht e njëjtë, në kushtet kur një numër gjithnjë e më i madh njerëzish janë larguar nga qyteti. Ai thotë se shpreson që forcat amerikane dhe ato irakiane do ta shtypin kryengritjen, sepse ai nuk e përballon dot ekonomikisht largimin prej andej. //ze//

XS
SM
MD
LG