Lidhje

Dikarlo: Rezoluta e rishikuar për Kosovën mbështet planin Ahtisari

  • Intervistoi Çoçoli

Britania e Madhe, në emër të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe vendeve evropiane në Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara paraqiti rezolutën e rishikuar për statusin e Kosovës, në themel të të cilës qendrojnë përsëri propozimet e Presidentit Ahtisari. Në një intervistë ekskluzive me kolegen tonë Isabela Çoçoli, ndihmës-sekretarja e Shtetit, Rozmeri Dikarlo, tha se negociata të mëtejshme janë të nevojshme, por Shtetet e Bashkuara mendojnë se shtyrjet nuk do t’i bënin palët të ndryshonin qendrimet dhe as nuk do të sillnin një zgjidhje më të mirë.

Zëri i Amerikës: Zonja Sekretare, çfarë mund të na thoni për rezolutën e re, apo rezolutën e rishikuar të Këshillit të Sigurimit për Kosovën?

Rozmeri Di Karlo: Sot në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Britania e Madhe paraqiti një rezolutë për çështjen e Kosovën në emër të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe anëtarëve evropianë të Këshillit të Sigurimit. Kjo është një rezolutë shumë e rëndësishme që shpresojmë se do t’i japë fund me sukses procesit të statusit të Kosovës. Rezoluta mbështet planin Ahtisari, ajo autorizon një prani të re civile në Kosovë, vazhdimin e pranisë së forcave të NATO-s dhe një mision të Bashkimit Evropian për shtetin ligjor.

Zëri i Amerikës: A ka ndonjë rrezik apo mundësi që Rusia apo ndonjë vend tjetër i Këshillit të Sigurimit t’i vërë veton rezolutës në formën e saj të re?

Rozmeri Di Karlo: Natyrisht ne do të vazhdojmë diskutimet me të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Ne dhe partnerët tanë evropianë do të angazhohemi në një dialog intensiv me ta për versionin më të fundit. Ne kemi zhvilluar diskutime me të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit që kur Presidenti Ahtisari i paraqiti raportin e tij Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Ne duam të kemi mbështetjen e plotë të Këshillit për rezolutën tonë, për propozimin e zotit Ahtisari, dhe për mendimin tonë kjo është shumë e rëndësishme. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ta. Një mision i Këshillit të Sigurimit ishte kohët e fundit në rajon, ku pa drejtpërdrejt gjendjen në terren, bisedoi me udhëheqësit serbë në Beograd, me udhëheqësit shqiptarë dhe me përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë. Ne presim që ata të nxjerrin konkluzionin e tyre, që ky proces të përfundojë shpejt.

Zëri i Amerikës: Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs pati dje në Gjermani një debat të nxehtë me homologun e saj rus, Sergei Lavror, edhe për Kosovën. Duket se Rusia vazhon t’i përmbahet qendrimit të saj kundër pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën. Si e shikoni ju këtë qendrim të Rusisë?

Rozmeri Di Karlo: Po, pati bisedime për këtë çështje dje në Berlin. Do të doja të theksoja se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht propozimet që ka paraqitur Presidenti Ahtisari. Siç e dimë, Rusia ka një pikpamje tjetër. Megjithëse negociata të mëtejshme janë të nevojshme, ne mendojmë se shtyrjet nuk do t’i bënin palët të ndryshonin qendrimet dhe as nuk do të sillnin një zgjidhje më të mirë. Rezoluta që kemi tani përpara i hap rrugën pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës, por nuk detyron asnjë shtet që të njohë një Kosovë të pavarur. Ajo krijon kushtet për zbatimin e dispozitave të planit Ahtisari, që janë të rëndësishme si për pakicat serbe dhe pakica të tjera në Kosovo, ashtu edhe për vetë shqiptarët. Ajo do të ndihmojë për zhvillimin e demokracisë dhe një shoqërie shumetnike në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Atëhere, në mungesë të miratimit të kësaj rezolute, a do të ishte e drejtë të presupozonim se vende të ndryshme nëpër botë, anëtare apo jo anëtare të Këshillit të Sigurimit, do ta njihnin në mënyrë të njëanëshme pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës?

Rozmeri Di Karlo: Nuk do të dëshiroja të spekulloja se çfarë mund të ndodhë, por dua të përsëris se objektivi ynë është miratimi i një rezolute në Kombet e Bashkuara, një rezolutë që do ta çonte rajonin drejt një stabiliteti të vërtetë e të qendrueshëm, drejt një begatie më të madhe, dhe që do t’i ndihmonte të gjitha vendet për të ecur drejt një faze pas-evropiane.

Zëri i Amerikës: Zonja Sekretare, sot në shqypin e Kosovës ka patur tituj që dëshmojnë për një ndjenjë ankthi të shqiptarëve për rezultatin e procesit të statusit të Kosovës. Një prej këtyre titujve ishte “Pavarësi apo luftë”. Çfarë do të thoshit për këtë?

Rozmeri Di Karlo: Para së gjithash do të inkurajoja gjithkënd që të punonte në kuadrin e procesit të Kombeve të Bashkuara, për të cilin kemi rënë dakord në Këshillin e Sigurimit, në Grupin e Kontaktit, si edhe në Bashkimin Evropian, që statusi i Kosovës të zgjidhet një herë e përgjithmonë. Unë besoj se palët kanë punuar në kuadër të këtij procesi. Në veçanti kosovarët kanë qënë të angazhuar në mënyrë konstruktive në të dhe do t’i bëja thirrje gjithkujt në Kosovë që ta vazhdojë këtë angazhim në këtë proces që po udhëhiqet nga Kombet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Ka patur edhe një shqetësim tjetër të shprehur nga udhëheqja e Kosovës. Në qoftë se shtyrjet vazhdojnë, ajo mund të mos jetë me tej në gjendje t’i përmbajë masat, ankthin e tyre për përfundimin e këtij procesi. A mund të bëni ndonjë koment për këtë shqetësim të udhëheqjes kosovare?

Rozmeri Di Karlo: Para së gjithash do të thosha se ne kemi avancuar ndjeshëm që nga fillimi i këtij procesi në nëntor të vitit 2005. Mendoj se ka patur mjaft përparim në shumë çështje dhe ky proces i ka ndihmuar autoritetet kosovare të kuptonin reformat që ishin të nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe për anëtarësimin në NATO, nëse ata vendosin për një gjë të tillë. Mendoj se ky ka qënë një proces i dobishëm për të gjithë, por ky proces do kohën e tij, kërkon durim, pjesëmarrje dhe angazhim. Unë do t’u bëja thirrje edhe një herë të gjithë kosovarëve të tregohen të duruar. Ata kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ata kanë mbështetjen e Bashkimit Evropian, ata kanë mbështetjen e shumë vendeve nëpër botë. Është e qartë se shumica e vendeve të Këshillit të Sigurimit mbështesin propozimet e Presidentit Ahtisari, përfshirë propozimin për pavarësi të mbikqyrur, prandaj durimi është shumë i nevojshëm dhe bashkëpunimi në procesin e Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës është në mënyrë të padiskutueshme i domosdoshëm.

Ne nuk e justifikojmë në asnjë mënyrë dhunën. Kosova duhet të ndjekë rrugën e filluar një vit e gjysmë më parë, duke bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të saj, gjë që do ta ndihmojë të marrë pjesë në shumë institucione që ajo aspiron të jetë anëtare dhe të bëhet plotësisht partnere me ne. Natyrisht ky është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën në radhë të parë, por edhe për gjithë rajonin. Ne jemi shumë të angazhuar që rajoni i Ballkanit të ecë përpara. Ne kemi besimin e patundur se statusi i Kosovës duhet patjetër të zgjidhjet, në të njejtën kohë ne duam ta shikojmë Serbinë të ecë drejt integrimit evropian. Ne mbështesim plotësisht si Serbinë ashtu edhe Kosovën në këtë proces dhe dëshirojmë të kemi marrëdhënie shumë të mira me të dyja dhe të ecim përpara me to si partnerë. //iç//

XS
SM
MD
LG